2014-09-21 17:58:33

Kremtimi i lutjeve mbrëmësore me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët e lëvizjet laikale (tekst i plotë, i dorëzuar)


Jam shumë i gëzuar, që po ju takoj në tokën tuaj të dashur; falënderoj Zotin e edhe ju të gjithë për mikpritjen. Duke qenë mes jush, mund t’ju siguroj se jam gjithnjë pranë veprimtarisë suaj ungjillëzuese.

Që kur vendi juaj doli nga diktatura, bashkësitë kishtare u vunë përsëri për udhë dhe riorganizuan veprimtarinë baritore, me sytë e ngulur plot shpresë nga e ardhmja. Kujtoj sot me mirënjohje, posaçërisht ata barinj, që e paguan shtrenjt besnikërinë ndaj Krishtit dhe vendimin për të mbetur të bashkuar me Pasardhësin e Pjetrit. Mbajtën qëndrim burrëror në vështirësi e në provë. Ka edhe sot ndërmjet nesh priftërinj e rregulltarë, që pësuan burgime e persekutime, si motra e vëllau, që treguan historinë e tyre. Ju përqafoj, i prekur thellë e falënderoj Zotin për dëshminë tuaj besnike, që e nxit mbarë Kishën ta çojë përpara me gëzim kumtimin e Ungjillit.

Duke përfituar nga kjo përvojë, Kisha e Shqipërisë mund të bëhet gjithnjë më misionare e gjithnjë më e guximshme në apostullim. E njoh dhe e vlerësoj zellin me të cilin i kundërviheni formave të reja “të diktaturës”, që krijojnë rrezikun t’i skllavërojnë njerëzit e bashkësitë. Nëse regjimi ateist synonte ta shuante fenë, këto diktatura, më tinzare, mund t’ia zënë frymën dashurisë. Mendoj për individualizmin, rivalitetet e përplasjet e tepruara: është mendësi e botës, që mund ta molepsë edhe bashkësinë e krishterë. Mos e humbisni guximin përballë këtyre vështirësive e mos kini frikë të ecni përpara në udhën e Zotit. Ai është gjithnjë përkrah jush, ju jep hirin e tij e ju ndihmon ta mbështesni njëri-tjetrin, ta pranoni tjetrin ashtu si është, me mirëkuptim e mëshirë, të kultivoni bashkimin vëllazëror.
Ungjillëzimi është më i frytshëm, kur vihet në jetë me të njëjtat qëllime e me bashkëpunim të sinqertë ndërmjet realiteteve të ndryshme kishtare e edhe ndërmjet misionarëve e klerit vendas; e gjithë kjo kërkon guxim, kërkon forma të përbashkëta pune e ndihmë të anasjelltë në fushat e katekizmit e të edukimit katolik, ashtu si dhe në atë të zhvillimit njerëzor e të bamirësisë. Në këto fusha është e çmuar edhe ndihmesa e lëvizjeve kishtare, të cilat dinë të bëjnë projekte e të punojnë të bashkuar me Barinjtë e ndërmjet tyre. E pikërisht këtë shikoj këtu: ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e laikët, Kishën, që dëshiron të ecë e bashkuar, në vëllazëri.
Kur dashuria për Krishtin vihet mbi gjithçka, edhe mbi nevojat e veçanta, të ligjshme, atëherë bëhemi të aftë të dalim nga vetvetja, nga “vogëlsitë” tona vetjake apo të grupit, e të shkojmë drejt Jezusit, i cili na del para, i pranishëm tek vëllezërit; plagët e tij janë të dukshme ende sot, në trupin e shumë burrave e grave të uritur e të etur, të poshtëruar, të burgosur apo të shtruar në spital. Pikërisht duke i prekur këto plagë e duke u kujdesur për to me dhembshuri, është e mundur ta jetojmë deri në fund Ungjillin dhe ta adhurojmë Hyjin, të gjallë, mes nesh.
Problemet, me të cilat përballeni sot, janë të shumta. Ato ju shtyjnë t’i kushtoheni me gjithë zemër veprimtarisë bujare të apostullimit. Megjithatë, e dimë se të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë: “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot mundohen ndërtuesit” (Ps 127,1). Kjo vetëdije na shtyn t’i japim Zotit çdo ditë hapësirën e duhur, t’i kushtojmë kohë, t’ia hapim zemrën, me qëllim që ai të veprojë në jetën e në misionin tonë. Çka Zoti premton se mund ta arrijmë me anë të lutjes plot besim e ngulm, e tejkalon çdo përfytyrim (khs Lk 11,11-12): përveç asaj që i kërkojmë, na jep edhe Shpirtin e Shenjtë. Përmasa kundruese bëhet e domosdoshme në mes të punëve më të ngutshme e të rënda. Sa më shumë të na thërrasë misioni për të shkuar drejt periferive ekzistenciale, aq më shumë zemra jonë ndjen nevojën e thellë për t’u bashkuar me Zemrën e Krishtit, plot mëshirë e dashuri.
Duke pasur parasysh se ende nuk ka aq meshtarë e rregulltarë sa nevojiten, Zoti Jezus jua përsërit edhe juve sot: “Të korrat janë shumë, por punëtorë ka pak. Lutjuni, prandaj, të zotit të të korrave, të çojë punëtorë në të korrat e veta” (Mt 9,37-38). Nuk duhet të harrojmë se kjo lutje niset nga një shikim: shikimi i Jezusit, i cili e sheh begatinë e të korrave. A e kemi edhe ne këtë shikim? A dimë ta njohim begatinë e fryteve, që ka dhënë hiri i Hyjit dhe të punës që duhet bërë në arën e Zotit? Lutja, kërkesa e përditshme dhe këmbëngulëse, që i drejtojmë Zotit për thirrjet meshtarake e rregulltare, buron pikërisht nga ky shikim plot fe mbi arën e Hyjit. Ju, të dashur seminaristë, e ju, të dashur postulantë e rishtarë, jeni fryti i kësaj lutjeje të popullit të Hyjit, që i paraprin gjithmonë përgjigjes suaj personale dhe e shoqëron atë. Kisha në Shqipëri ka nevojë për entuziazmin tuaj e për bujarinë tuaj. Koha që i kushtoni sot formimit të thellë shpirtëror, teologjik, të përbashkët e baritor, i jep frytet e begata, kur t’i shërbeni si duhet, nesër, popullit të Hyjit. Njerëzit, më shumë se mësues, kërkojnë dëshmitarë, dëshmitarë të përvuajtur të mëshirës e të dashurisë së Hyjit; priftërinj e rregulltarë, të bërë një me Jezusin, Bariun e Mirë, të aftë për t’ua përcjellë të gjithëve dashurinë e Krishtit.

Me këtë rast, së bashku me ju e me gjithë popullin shqiptar, dëshiroj ta falënderoj Hyjin për misionaret e misionarët e shumtë, veprimtaria e të cilëve qe vendimtare për rilindjen e Kishës në Shqipëri e mbetet akoma me rëndësi të madhe. Ata dhanë një ndihmesë të shquar për konsolidimin e trashëgimisë shpirtërore që ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët e laikët shqiptarë e ruajtën ndër prova të rënda e ngushtica. Le të kujtojmë punën e madhe të instituteve rregulltare për rilindjen e edukimit katolik, punë që meriton të njihet e të mbështetet.

Të dashur vëllezër e motra, mos t’ju lëshojë zemra përballë vështirësive; në gjurmët e etërve tuaj, dëshmojeni me guxim Krishtin, duke ecur së bashku me Hyjin, drejt shpresës, që nuk zhgënjen kurrë. Në udhën tuaj duhet ta ndjeni shoqërimin dhe mbështetjen plot dashuri të mbarë Kishës. Ju falënderoj me zemër për këtë takim e ia besoj secilin prej jush e bashkësitë tuaja, planet e shpresat tuaja, Nënës së shenjtë të Zotit.
Ju bekoj me zemër e ju kërkoj të luteni për mua.

Shënim: ky tekst nuk u lexua, por u dorëzua me shkrim. "Përgatita disa fjalë për ju, për t’jua thënë, e do t’ia dorëzoj kryeipeshkvit që ai, më pas, t’jua japë të përkthyera" - u tha- "Por tani mendoj t’ju drejtoj një gjë tjetër".
Kryebariu u foli pa tekst, me fjalë të dala nga zemra, njerëzve të Grigjës së Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.