2014-09-22 13:08:55

Java XXV gjatë vitit


Të parët e të fundit
Çelësin për leximin e ungjillit të sotëm na e jep vetë Jezusi (v.15). Qortimi kryesor që i bëhet pronarit të vreshtit (Hyjit), është mungesa e drejtësisë, qortim që e kemi parë edhe në Ungjillin sipas Lukës (15,29-30), ku djali i madh kundërshton të atin, i cili tregohet i mëshirshëm me djalin plangprishës. Edhe judenjtë, kur dëgjojnë doktrinën e shpërblimit (Ez 18,25-29) bëjnë të njëjtin qortim; edhe profeti Jona mërzitet me Hyjin, kur dëgjon se e ka falur Ninivën (Jon 4,2).
Drejtësia e njerëzve dhe drejtësia e Hyjit
Në secilin nga këto raste, tekstet vënë kundër drejtësisë së Hyjit, të konceptuar sipas njerëzve, sjelljen e tij të mëshirshme, e re për njerëzit (Lk 15,1-2). Krishti i përgjigjet kështu këtij kundërshtimi: pronari i vreshtit është i drejtë (sipas gjykimit njerëzor) me ata që thirri të parët, sepse u jep pagën për të cilën ishin marrë vesh, dhe është i drejtë me të fundit (sipas gjykimit hyjnor), sepse nuk priste asnjë kthim nga ana e tyre.
Kështu del në pah parësia e mirësisë së Hyjit: mënyra e tij e të vepruarit nuk bie ndesh me drejtësinë njerëzore, por e tejkalon atë me anë të dashurisë. Për rrjedhojë, marrëveshja e arritur ndërmjet pronarit të vreshtit e punëtorëve të tij paraqitet si besëlidhje ndërmjet Hyjit dhe njerëzve të vet, besëlidhje që nuk ka asnjë përkim me kontratën “të jap, më jep”, që kërkonin judenjtë, por është veprim falas i Hyjit (Lgj Pert. 7,7-10; 4,7).
Besëlidhja është dhuratë e dashurisë falas të Atit, e themeluar mbi lirinë absolute, që përcakton edhe mundësinë e lirisë sonë (Gal 3,16-22;4,21-31). Duke zbatuar një drejtësi për të parët e një tjetër për të fundit, Hyji dëshiron para së gjithash të dëshmojë dasurinë e tij për të gjitë, duke mbajtur parasysh situatat e ndryshme në të cilat gjendet secili.
Jezusi dëshiron t’i ruajë bashkëkombasit e vet nga sjellja krenare e atij që ka pretendime kundrejt Hyjit dhe e gjykon mirësinë e tij dhe vendimin që ndërmerr: Hyji është i mirë e besnik dhe mirësia e tij, pikërisht sepse është sovrane, gjen mënyra të reja për t’u zbatuar gjithnjë e më shumë për të mirën e të thirrurve. Në të njëjtën kohë, përfundimi i shëmbëlltyrës, në të cilën përmbysen vendet e të parëve dhe të të fundmëve, shërben si thirrje për hebrenjtë, të cilët, edhe pse janë thirrur të parët nga Hyji, rrezikojnë, duke u mbyllur në qarkun e drejtësisë së tyre, të tejklohen nga ata që janë thirrur më vonë, sepse mbretëria është vetëm dhuratë e hir i mirësisë së Zotit.
Logjika e mbretërisë
“Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia” (leximi i parë). Logjika e Hyjit është e ndryshme nga logjika e njerëzve. Nganjëherë, madje, është e kundërta e saj dhe e papajtueshme me të, por gjithmonë më e lartë. Shpesh herë, ajo që për njeriun është fitim, për Hyjin është humbje; dhe ajo që për njeriun është në vend të parë, për Hyjin vjen e fundit. Fjala e Hyjit, gjykimi i tij, i përmbysin vlerat: të parët janë të fundit (ungjilli); të lumët janë ata që qajnë; të pasurit e vërtetë janë ata që braktisin gjithçka; kush dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, e humb…
Ligji i mbretërisë së tij duket se është paradoksi, e paparashikueshmja, e papritura. Hyji zgjedh gjërat e dobëta e të përçmueshme të kësaj bote, për të hedhur poshtë të fortët e të çmueshmet. Ai nuk zgjedh të parin, por të fundmin, jo të drejtin, por mëkatarin, jo të shëndoshin, por të sëmurin. Bën më shumë festë për delen e humbur e të gjetur, sesa për të nëntëdhjetë e nëntë të paprekurat.
Hyji i krishterë është para së gjithash “Tjetri absolut”, i paparashikueshmi. Asnjë kategori njerëzore nuk mund ta rrokë. Ai nuk mbyllet në asnjë përkufizim dhe zbulon vazhdimisht aspektet e reja të misterit të vet.
Parapëlqimet e Hyjit
Kemi një aspekt të fytyrës së Hyjit, që Jezusi e ka zbuluar në mënyrë të qartë e me shumë këmbëngulje: parapëlqimi për të varfrit, për të fundmit, për të përvuajturit. Ata, duke e njohur dashamirësinë falase të Hyjit, janë caktuar të jenë të parët, të pasurit, të zgjedhurit.
Nuk duhet harruar aventura e popullit hebraik, i cili ishte i pari e u bë i fundmi, ishte populli i zgjedhur dhe u largua përkohësisht. Shëmbëlltyra e Jezusit ka vlerë paralajmëruese edhe për të thirrurit e rinj, që marrin pjesë në mbretëri, sepse edhe për ata ekziston rreziku të sillen si të thirrurit e parë e të harrojnë se ajo që kanë është vetëm dhuratë dhe nuk mund të shërbejë as si mburrje, as si arsye për të pretenduar.

Nga “Fjalimet” e Shën Agostinit
Çfarë do të thotë se filloi t’i paguante duke filluar nga të fundit? A nuk do ta merrnin pagën të gjithë në të njëjtën kohë, siç lexohet në Bibël? Në të vërtetë, në një tjetër pjesë të ungjillit lexohet se Zoti, atyre që do t’i caktojë të rrinë në të djathtën e tij, do t’u thotë: Ejani, të bekuarit e Atit tim; merreni mbretërinë e përgatitur për ju që nga fillimi i botës. Nëse të gjithë e morën shpërblimin në të njëjtën kohë, si do ta kuptojmë se e morën të parët ata që punuan vetëm në orën e fundit të ditës e pas tyre ata që kishin shkuar për të punuar që në orën e parë? Nëse do të mund ta shpjegoj në mënyrë që ju të mund ta kuptoni, falënderoj Hyjin. Në të vërtetë, duhet të falënderoni Atë që ju jep dhuratat e veta nëpërmjet nesh, sepse nuk japin asgjë nga vetja jonë.
Nëse, për shembull, kur bëhet fjalë për dy njerëz, shtrohet pyetja kush e mori i pari rrogën, ai që punoi vetëm një orë, apo ai që punoi dymbëdhjetë orë, të gjithë do të përgjigjeshin: “I pari e mori ai që punoi vetëm një orë, e jo ai që punoi dymbëdhjetë orë”. Kështu, pra, edhe pse të gjithë e morën shpërmblimin në të njëjtën orë, disa e morën pas një ore të vetme pune, disa pas dymbëdhjetë orësh, prandaj thuhet se e morën të parët ata që e morën pas një kohe të shkurtër pune. Të drejtët e parë, si Abeli e Noehu, të thirrur, si të themi, në orën e parë, do të marrin bashkë me ne lumninë e ringjalljes. Të drejtët e tjerë pas tyre, Abrahami, Isaku, Jakobi e të gjithë të gjallët në epokën e tyre, të thirrur, si të themi, rreth orës nëntë, edhe ata do ta arrijnë lumturinë e ringjalljes bashkë me ne. Të drejtët e tjerë, Moisiu e Aroni, e të gjithë të tjerët të thirrur me ta, si të themi, në mesditë, edhe ata do ta arrinë lumturinë e ringjalljes bashkë me ne. Pas tyre, profetët e shenjtë, të thirrur, si të themi, rreth orës tre të pasdites, do të marrin të njëjtën lumni të ringjalljes bashkë me ne. Në fund të botës, të gjithë të krishterët, si të ishin thirrur në orën e fundit të ditës, do të arrijnë bashkë me të tjerët lumninë e ringjalljes. Do ta arrijnë të gjithë në të njëjtën kohë: megjithateë, shikoni pas sa shumë kohësh do ta arrijnë ata që u thirrën në fillim. Nëse, pra, të parët do ta arrijnë pas një kohe të gjatë, ne do ta arrijmë pas një kohe të shkurtër; edhe nëse do ta arrijmë bashkë me ta, do të duket se e kemi arritur para tyre, sepse shpërblimi ynë nuk do të vonojë.

Të krishterët e dobët
Nga “Fjalime për barinjtë”, shkruar nga Shën Agostini, ipeshkëv

Thotë Zoti: “Nuk ua keni kthyer forcën deleve të dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurat” (Ez 34,4).

U flet barinjve të këqinj, barinjve të rremë, bërinjve që kërkojnë interesat e tyre, jo ato të Jezu Krishtit, të cilët janë shumë të dhënë pas të ardhurave të punës së tyre, por nuk merren aspak me grigjën e nuk e ndihmojnë të sëmurin.

Meqë flitet për të sëmurë e të ligshtë, edhe pse duket se bëhet fjalë për të njëjtën gjë, duhet pranuar se ekziston një ndryshim. Në të vërtettë, po t’i shqyrtojmë mirë fjalët në vetvete, i sëmurë është ai që është prekur nga e keqja, ndërsa i ligshtë është ai që është i lig e vetëm i dobët.
Për atë që është i dobët duhet pasur frikë se e sulmon dhe shemb tundimi. I sëmuri, përkundrazi, është i pleksur nga ndonjë pasion dhe kjo e pengon të hyjë në udhën e Hyjit, t’i nënshtrohet zgjedhës së Krishtit.
Disa njerëz, që dëshirojnë të jetojnë mirë dhe janë zotuar se do të jetojnë sipas virtytit, kanë më pak aftësi për të duruar të keqen sesa gatishmëri për të bërë të mirën. Mirëpo virtyti i krishterë jo vetëm bën të mirën, por di edhe të durojë të keqen. Ata që duket se janë të zellshëm për të bërë mirë, por nuk duan apo nuk dinë të durojnë vuajtjet që i zënë, janë të ligshtë, ose të dobët. Por ai që e do botën për shkak të ndonjë dëshire të pashëndoshë dhe heq dorë edhe nga veprat e mira, e ka pësuar të keqen dhe ëshë i sëmurë. Sëmundja e lë pa forca dhe të paaftë të bëjë të mirën. I tillë ishte në shpirt i paralizuari që nuk mundi të shkonte tek Zoti. Atëherë, ata që e bartnin, hapën çatinë dhe prej andej e futën brenda. Edhe ti duhet të sillesh sikur të duhet të bësh të njëjtën gjë në botën e brendshme të njeriut: të hapësh çatinë e tij dhe të vendosësh para Zotit vetë shpirtin e paralizuar, me gjymtyrë të këputura dhe të paaftë të bëjë vepra të mira, të shtypur nga mëkatet e veta dhe të vuajtur për shkak të sëmundjes së pangopshmërisë.
Mjeku është aty, është fshehur dhe rri brenda zemrës. Ky është kuptimi i vërtetë i Shkrimit të Shenjtë, që duhet shpjeguar.
Nëse gjendesh para një të sëmuri me gjymtyrë të mpira dhe të gjymtuar në shpirt, për ta ndihmuar të shkojë tek mjeku, hape çatinë dhe fute brenda të paralizuarin,, domethënë ndihmoje të hyjë brenda vetes dhe zbuloji çfarë fshihet në skutat e zemrës së tij. Tregoja të keqen dhe mjekun që duhet ta mjekojë. A keni dëgjuar çfarë i ndodh atij që lë pas dore këtë gjë?
Ky qortim: Nuk ua keni kthyer fuqinë deleve të dobëta, nuk jeni kujdesur për të ligshtat, nuk ua keni lidhur plagët të plagosurave” (Ez 34,4). I plagosuri për të cilin flitet këtu është, siç e kemi thënë, ai që gjendet si i terrorizuar nga tundimet. Mjekimi që duhet dhënë në këtë rast, gjendet n këto fjalë ngushëlluese: “Hyji është besnik e nuk do të lejojë që të tundoheni përtej forcave tuaja, por bashkë me tundimet do të na japë edhe rrugëdaljen e forën për t’i duruar” (1Kor 10,13).








All the contents on this site are copyrighted ©.