2014-09-20 15:54:09

Papa krijon Komisionin e reformimit të gjyqit kanonik për martesën


Një komision i posaçëm studimi për reformimin e gjyqit kanonik martesor, me synim “të thjeshtohet procedura, duke e bërë më të zhdërvjellët e duke mbrojtur parimin e pazgjidhshmërisë së martesës”. E krijoi sot Papa Françesku që, sipas një note të Sallës vatikanase të Shtypit, thirri për ta kryesuar imzot Pio Vito Pinton, Dekan i Gjykatës Rota Romana.
Organizmi i ri do të përbëhet nga kardinali Francesco Coccopalmerio, kryetar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore; imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, S.I., sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; imzot Dimitrios Salachas, hekzark apostolik per katolikët grekë të ritit bizantin dhe disa prelatë të tjerë të Gjykatës Rota Romana.Punimet e Komisionit të posaçëm, përfundon nota, do të fillojnë së shpejti e do të kenë synimin të përgatisin një propozim për reformimin e gjyqit kanonik të martesës, duke u përpjekur ta thjeshtojnë procedurën, në përkim me parimin e pazgjidhshmërisë së Sakramentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.