2014-09-21 10:58:54

Katedralja e Shën Palit në Tiranë


Më 26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, me një kremtim solemn liturgjik, në praninë e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte katedralen e vet Shën Palit Apostull. Shtatë vjet më vonë, ky kushtim merrte një rëndësi të veçantë, kuadruar në Vitin kushtuar dymijëvjetorit të ditëlindjes së Shën Palit, i pari nga Apostujt e Krishtit, që mendohet të ketë shkelur në trevat shqiptare për të mbjellur ndër to farën e mirë të Ungjillit të Krishtit, e cila mbiu e u rrit e vaditur me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre trojeve, duke arritur një nga kulmet nën diktaturën komuniste.Prandaj edhe i dërguari i Papës Gjon Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, gjatë homelisë vuri theksin pikërisht mbi persekutimin e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature e edhe rolin e tyre sot, duke u lënë shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës:
“Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur të afërmin”.
Kështu, dymbëdhjetë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull. Po ngrehina kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës, nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç misionit të saj kryesor, që është ai fetar, katedralja e Shën Palit në Tiranë është edhe qendër kulture e arti.
Është vetëm dymbëdhjetë vjeçare, ndër më të voglat në moshë, përballë katedraleve madhështore të krishtërimit kushtuar Apostullit të Popujve, që lartohen në kryeqytetet e botës prej mijëra vjetësh e ku punuan artistë të pavdekshëm. Por gjithsesi as asaj nuk i mungojnë veprat e artit: madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo hyn në Katedrale, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar, që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta, realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena nga jeta e Shën Palit. U shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin e parë të katedrales, imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit u ngrit ky tempull. E një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që shkeli në Shqipëri. Ai nuk e pa të kryer katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin e saj të parë.
Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet të dalin nga duart e artistëve shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim i pashterrshëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli… për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenj të të gjitha kohërave e kombeve.
Duhen kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore. Katedralja ka korin e saj tejet të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike e kulturore gjatë gjithë vitit.
Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale është kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që në shekullin XIII e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Burimi më i lashtë, që na flet për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekullin IV, është vëllimi VII i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”, e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë.









All the contents on this site are copyrighted ©.