Nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga
figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë. Kardinali Koliqi lindi në Shkodër
më 29 shtator 1902. Shkollen fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911
në kolegjin "Arici" te Eterve Jezuit në Breshia të Italisë. Në klasë me të ishte edhe
papa i ardhshëm, Pali VI. Edhe gjimnazin e kreu ne Itali pjesërisht në Monxa, në
Bergamo dhe në Bari. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake,
thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë
në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar
i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike.
Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë
me Don Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit
komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie. Ati i Shenjtë Gjon
Pali II e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së
tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994. Menjëherë
pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin
"Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para
vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997. U
përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen
shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë
të jashtzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi",
shkruar nga kushëriri i tij, Gjon Simoni.