2014-09-20 19:22:59

Intervistë e Kardinalit Pietro Parolin në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri


Sot gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” botoi intervistën e sekretarit të Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinalit Pietro Parolin me gazetaren vatikanase Barbara Castelli, në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit me titull: “Mbaroi edhe dimri i gjatë”:

Pyetje: - Gjatë shtegtimit nga Seuli në Romë, Papa Françesku, duke folur me gazetarët, shpjegoi arsyet e shtegtimit të tij në Shqipëri, posaçërisht për t’i dhënë zemër gjithë popujve ta pranojnë frymën e dialogut, që vihet në jetë në Tiranë: një qeveri e unitetit kombëtar me pjesëmarrjen e islamikëve, ortodoksëve e katolikëve. Të punosh së bashku, pra, qenka e mundur?

Përgjigje: - Është i mundur dialogu. Është e mundur kultura e takimit, mbi të cilën ngul këmbë Papa. E do të desha të nënvizoja faktin se Papës i pëlqen të flasë me shembuj konkretë, me modele. Shqipëria është një nga këta shembuj, një nga këto modele. Që kur u bë e pavarur, rreth një shekull më parë, duke u shkëputur nga Perandoria Otomane, zgjodhi rrugën e shtetit me shumë fe. E zgjedhja e kësaj rruge për t’ i përfshirë të gjithë, për t’iu kundërvënë çdo lloj diskriminimi fetar, pati vlerë të madhe gjatë shekullit të kaluar, tejet të trazuar, përplot me konflikte – e ka vlerë edhe për ditët tona - përballë shumë situatave, në të cilat shikojmë sesi feja bëhet pretekst për t’u ndeshur, për t’u shkatërruar reciprokisht. Prandaj besoj se vendimi i Papës Françesku për të shkuar në Shqipëri nënvizon pikërisht këtë: pavarësisht nga vështirësitë ekonomike - që i njohim të gjithë e që nuk janë aspak të vogla – ky vend zgjodhi rrugën për të mos e përdorur kurrë fenë si shkak për konflikte.

Pyetje: - Çfarë ndihmese ka dhënë Selia e Shenjtë për rindërtimin e Shqipërisë?

Përgjigje: - Selia e Shenjtë ka qenë shumë e pranishme në rindërtimin e Shqipërisë. Mund të nisemi nga kohët e fundit, edhe pse marrëdhëniet me Shqipërinë fillojnë shumë më parë e kanë qenë gjithnjë plot gjallëri: që nga viti 1991, kur u vendosën marrëdhëniet pas rënies së regjimit komunist, duke i krijuar Kishës kushtet të rifillonte jetën e edhe të hynte përsëri në radhët e shoqërisë shqiptare. Pasoi, pastaj, shtegtimi i Gjon Palit II, që e konsolidoi këtë rol, e fuqizoi praninë dhe kontributin, që i jep Kisha vendit. E akoma, ndërmjet çasteve më themelore, mund të kujtojmë nënshkrimin e dy marrëveshjeve, më 2002 e 2007, për marrëdhëniet reciproke, në përgjithësi, e edhe për çështjet ekonomike e financiare, në veçanti. Falë këtyre hapave, Selia e Shenjtë i shoqëroi çastet e rindërtimit e të përtërijes së vendit. Natyrisht Papa Françesku, me këtë vizitë, ecën në këtë vazhdë, për të dhënë një ndihmesë të mëtejshme.

Pyetje: - Si mund ta ndihmojë Selia e Shenjtë Shqipërinë, e cila, që nga muaji qershor, është zyrtarisht kandidate për të hyrë në Bashkimn Evropian? Cilat janë problemet më të ngutshe që duhet t’i zgjidhë Shqipëria?

Përgjigje: - Shqipëria doli nga një periudhë e gjatë dimri dhe izolimi nga vendet e tjera. Selia e Shenjtë i jep zemër dhe e mbështet në integrimin evropian, duke kujtuar gjithashtu ndihmesën e veçantë që sjell në këtë integrim; mund të kujtojmë trashëgiminë e saj shpirtërore, të ruajtur pavarësisht nga shtypja fetare, nga persekutimi fetar, prandaj duhet kujdesur e duhet mbajtur gjallë. Mund të nënvizojmë, për shembull, edhe ndjenjën e thellë të familjes, që karakterizon shoqërinë shqiptare. Pikërisht me nënvizimin, që i pëlqen aq shumë Papës: me vlerësimin e rolit të të rinjve, që janë ardhmëria; e të të moshuarve, nga ana tjetër, që janë kujtesa, që kanë një pasuri të vërtetë urtie e përvoje, e cila meriton të vlerësohet. Prej këndej themi se vetëm duke sjellë këto pasuri e këto veçori karakteristike, Shqipëria mund të ndihmojë në mënyrë të frytshme në projektin e integrimit evropian. E dua të kujtoj edhe disa fjalë, që i pati thënë Gjon Pali II në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, më 1988, me vlerë për të gjitha vendet e, posaçërisht, për Shqipërinë, me që po flasim për të: “Nëse Evropa dëshiron të jetë besnike ndaj vetvetes, duhet të dijë t’i mbledhë në një të gjitha forcat e gjalla të këtij Kontinenti, duke respektuar karakterin e veçantë të çdo vendi” (Strasburg, 8 tetor). Më duket se pikërisht në këtë kuadër e shikon dhe e vlerëson Selia e Shenjtë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pyetje: - A mund të luajë Shqipëria një rol të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit dhe për forcimin e stabilitetit të gjendjes në rajon?

Përgjigje: - Sigurisht. Para së gjithash sepse u gjet, në një farë kuptimi, në një situatë të privilegjuar në krahasim me ish-Jugosllavinë; – duke qenë se nuk bënte pjesë në të, nuk përjetoi tronditjen e shpërbërjes konfliktuale që e goditi atë vend – e pastaj falë politikës tradicionale të fqinjësisë së mirë me vendet kufitare. Këto dy elemente mund ta ndihmojnë me siguri stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Pastaj duhet kujtuar edhe ajo që thamë në fillim e që përbën lajtmotivin e vizitës së Papës: bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi i grupeve fetare. Edhe kjo më duket shumë e rëndësishme në rajonin e Ballkanit e mund të jetë me të vërtetë shembull për t’u ndjekur.

Pyetje: - Një tjetër çështje, që Papa Françesku e ka për zemër: tema e lirisë fetare, në një vend – Papa e theksoi gjithnjë gjatë fluturimit nga Seuli – ku në të shkuarën janë rrënuar 1820 kisha. Si është gjendja sot?

Përgjigje: - Liria fetare respektohet; e në këtë kontekst, Kisha e ka nisur prej kohësh rindërtimin e vet, edhe pse ka shumë rrugë për të bërë. Përndjekja ka qenë tejet e ashpër, shumë e rëndë; rrënimtare, mund të themi. Përveç kishave, përveç rrënimit të të gjitha vendeve të kultit, mund të kujtojmë edhe eliminimin e pothuajse të gjithë personelit kishtar. Më duket se para ardhjes së komunizmit kishte rreth 180-200 priftërinj. Në fund, më 1990 kishin mbetur vetëm 33. Kjo tregon se vepronte politika e zhdukjes tërësore të personelit kishtar. Pastaj Shqipëria filloi të rindërtohej e në vitin 2000 u shuguruan priftërinjtë e parë, shumë të rinj e të reja përqafuan jetën rregulltare, ndërsa laikët po gjejnë rolin e tyre. Domethënë, kemi shpresë. Edhe pse bie gjithnjë një kambanë alarmi: shpresojmë se Shqipëria nuk do t’ia hapë rrugën valës së shekullarizimit, që karakterizon të gjithë kontinentin evropian. Është e rëndësishme, mendoj, të themi se një vend ku Hyji është eliminuar, është mohuar me ligj, duhet të na mësojë të jetojmë me Zotin, të mos pranojmë tundimin e një jete nga e cila dëbohet ose mënjanohet Hyji.

Pyetje: - Papa do të takojë edhe meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe anëtarët e lëvizjeve laikale. Si është sot jeta e Kishës në Shqipëri? Cilat janë karakteristikat e saj të veçanta?

Përgjigje: - Është një Kishë e re, sepse ka shumë, shumë të rinj e shumë të krishterë që e pranojnë fenë. Është një Kishë që ka maritirizimin si notën karakteristike dhe duhet të them se dëshmia e martirëve vlerësohet nga të gjithë, sepse është dëshmia e faljes së përndjekësve. Kisha karakterizohet nga feja e thjeshtë e të moshuarve, të cilët kanë ditur ta ruajnë e ta përçojnë përtej kësaj periudhe të mundimshme e të trazuar nga përndjekja. Një kishë misionare, gjithashtu, mbi të gjitha në kuptimin që ka pranuar shumë misionarë, sidomos pas rënies së regjimit, duke qenë se kleri vendas ishte zhdukur pothuajse fare. Misionarët që shkuan në Shqipëri, kanë qenë bujarë. Shumica janë italianë e ndoshta kanë dhënë ndihmesën kryesore. Këto janë, më duket, karakteristikat kryesore të kësaj Kishe, që duhet të shndërrohen në punë të mëtejshme, për të vijuar rritjen dhe përçimin e fesë si dhe vlerësimin e të gjitha aspekteve të saj.

Pyetje: - Cilët shpreson se mund te jenë frytet e këtij udhëtimi të Papës Françesku në Tiranë?

Përgjigje: - Frytet i di Zoti. Mendoj se mund të përmblidhen në moton e caktuar: “Së bashku me Hyjin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”. Pra Papa do të vijë për të përforcuar punën e bërë gjatë këtyre viteve e për t’i dhënë hov të ri, si për shpalljen e Ungjillit, për fenë, ashtu edhe për bashkëjetesën paqësore e të frytshme ndërmjet realiteteve të ndryshme fetare në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.