2014-09-20 19:23:11

Imzot Mirdita për gazetën “Osservatore Romano”: Papa Françesku gjen një vend që dëshiron të dalë nga tranzicioni i gjatë


“Besoj se vuajtjet dhe aspiratat e njerëzve tanë janë në themel të vendimit të Papës për të vizituar vendin tonë”. Kështu shprehet Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkvi metropolit i Tiranës, që përgatitet të pretë nesër Atin e Shenjtë në kryeqytetin e Shqipërisë, në një intervistë dhënë gazetës së Selisë së Shenjtë “Osservatore Romano”. Në këtë intervistë të gjatë, kryeipeshkvi kujton vizitën e Gjon Palit II 21 vjet më parë dhe flet për zhvillimet e jetës kishtare e shoqërore në vend. Thekson se Papa Françesku gëzon simpatinë dhe respektin e shqiptarëve, të cilët “admirojnë thjeshtësinë dhe koherencën” e tij, si dhe vlerësojnë vendosmërinë me të cilën ai denoncon korrupsionin, temë që prek një pikë të ndjeshme në jetën e njerëzve në rrethanat shqiptare.
Duke folur për bashkëjetesen ndërfetare si karakteristikë fatlume të shqiptarëve, Imzot Mirdita thekson se “të krishterët janë (katolikë, ortodoksë e protestantë) janë qytetarë të një Atdheu pa fe zyrtare, siç janë myslimanët dhe jobesimtarët”, prandaj, edhe pse komuniteti mysliman është më i madhe në vend, “asnjë fe nuk ndjehet pakicë”.
Vizita e Atit të Shenjtë pritet me interes si nga Kisha, ashtu edhe nga opinioni publik. “Shoqëria qytetare – thotë kryeipeshkvi – pret që Papa t’i japë zemër” dhe që fjalët e tij të kenë ndikim edhe në mjediset politike dhe të tërheqë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare drejt Shqipërisë, “vend që ka dalë nga një ndër diktaturat më mizore të Evropës”. Kisha, nga ana e saj, pret nga Françesku vetëm një gjë: “ta përforcojë në fe, që të mund të jetë e sigurtë për mbështetjen e Papës”.
Për rolin e Kishës në shoqërinë e sotme shqiptare, Imzot Mirdita thotë se ajo duhet të dijë t’u qëndrojë pranë njerëzve, të cilët kërkojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës. “Në Shqipëri ka shumë varfëri e varfëria është fryti i hidhur i padrejtësisë. Kisha duhet të kujdeset për të varfrit, por edhe të edukojë njerëzit me mirëqenie me ndjenjën e bamirësisë e të drejtësisë”. Ajo “duhet të mbajë në dorë Ungjillin” ku gjen të njerëzit që ndesh në shoqëri dhe Jezusin mes tyre, si mësues e shpëtimtar.
I pyetur nëse modeli politik shqiptar është i eksportueshëm, kryeipeshkvi përgjigjet se “është e vështirë të thuhet cili është modeli politik shqiptar, meqë këto 23 vite liri kanë shërbyer si shkollë e demokracisë dhe politikanët tanë janë ende studentë në këtë lëndë. Nganjëherë i kalojnë provimet, por shpesh nglin në klasë”. Megjithatë thekson se “nëse nënkuptojmë me model politik marrëdhëniet e politikës me fenë në vendet me fe të ndryshme” atëherë “Shqipëria mund të jetë një shembull i mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.