2014-09-19 15:04:21

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista. Dekalogu i Françeskut


Në prag të vizitës së Papës në Shqipëri, Dekalogu i Françeskut, 10 këshilla, për të qenë i lumtur.RealAudioMP3
Të diel, më 27 korrik, “Viva” (shtojcë e përjavshme e gazetës argjentinase “Clarin”) botoi një intervistë me Papën Françesku. Ishte intervista e parë e Jorge Mario Bergoglios, argjentinas, dhënë një gazetë të vendit të vet. E duhet kujtuar se dilte në një numër të posaçëm, kushtuar 500 ditëve të papnisë së tij. Artikulli, nënshkruar nga gazetari Pablo Calvo, lindi nga takimi i 7 korrikut në Shtëpinë e Shën Martës, që zgjati 77 minuta. U ribotua e u citua nga shumë faqe të internetit e gazeta ndërkombëtare, për përmbajtjen tejet personale të pyetjeve e po aq edhe të përgjigjeve, që dha Ati i Shenjtë. E, sidomos, për formën e tij.
Ndërmjet tjerash, e kjo ishte pjesa më e cituar e më e përsëritur e gjithë intervistës, Papa dha dhjetë këshilla, që të ndihmojnë për të qenë i lumtur. U paraqitën nga revista ‘Viva’ në një video të shkurtër, botuar online, si dekalog:
1. Jeto e lërë të jetojnë
Papa i këshillon të gjithë të udhëhiqen nga ky parim, që Roma e përmbledh në shprehjen “Campa e lascia campare”: “Ec përpara e lëri edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë”.
2. Dhuroja veten të tjerëve
Njerëzit kanë nevojë të jenë zemërhapur e bujarë me të tjerët, sepse po ta mbyllin zemrën, rrezikojnë të bëhen egoistë. E uji i ndenjur qelbet shpejt.
3. Ec ngadalë
Për ta shpjeguar këtë pikë, Françesku përdori personazhin e një romani të Rikardo Güiraldes, në të cilin protagonisti, don Segundo Sombra, kthehet mbrapa e lexon jetën e vet. Kujton, kështu, se në rini ishte përrua plot gurë, që merrte me vete ç’të gjente; në pjekuri, lumë i rrëmbyer; në moshë të shtyrë, rridhte akoma, po me rrjedhë të shtruar”. Tha se i pëlqen shumë kjo figurë, ky simbol i lumit me rrjedhë të qetë, sepse i kujton aftësinë për të lëvizur njerëzishëm e përvujtërisht, simbol i “kohës së qetësisë në jetë”. Të moshuarit e kanë këtë urti, janë kujtesa e popullit.
4. Ruaje kohën e lirë
Papa citoi artet, letërsinë e edhe kohën për të luajtur me fëmijët. Konsumizmi na mbush me ankth, shtoi, kur mendojmë se mund ta humbasim kulturën e shëndetshme të kohës së lirë. Kam thënë se duhet shuar televizori, kur ulemi në sofër: është i nevojshëm për ecur me kohën, por në sofër të pengon të komunikosh me të tjerët.
5. Kaloje të dielën në familje
E diela është ditë feste. Dje, në Campobasso, mora pjesë në një takim të botës universitare e asaj të punës; të gjithë kërkonin që e diela të jetë ditë pushimi. E diela është për familjen”.
6. Të punojmë me frymë krijuese, për t’u siguruar punë të rinjve
Duhet të jemi krijues me të rinjtë. Nëse u mungojnë mundësitë, bëhen lehtë viktima të drogës. E ndërmjet të rinjve pa punë, përqindja e vetvrasjeve është shumë e lartë. Nuk mjafton t’u japësh për të ngrënë: duhen shpikur kurse për hidraulikë, elektricistë, rrobaqepës. Dinjiteti fitohet, kur çon bukën e përditshtme në shtëpi.
7. Të kujdesemi për natyrën
Degradimi ambiental është një nga sfidat më të mëdha, për të cilën jemi të thirrur.
8. Harroji shpejt e shpejt punët e këqija
Nevoja për të folur keq për të tjerët, tregon se e nderon tepër pak vetveten. Është njëlloj si të thuash: “Ndjehem aq i vogël sa, në vend që të përmirësoj vetveten, përpiqem ta keqësoj të afërmin”. Gjë shumë e mirë, t’i harrosh sa më shpejt punët e liga!
9. Respektoje mendimin e tjetrit, pa prozelitizëm
Besimi i tjetrit duhet respektuar. Mund ta frymëzojmë tjetrin me dëshminë tonë, që të rritemi së bashku, por jo me prozelitizëm fetar, gjëja më e keqe. Paralizon! Flas me ty, për të të bindur. Jo, çdo njeri duhet të dialogojë, duke u nisur nga identiteti i vet. Kisha zhvillohet për forcën tërheqëse, jo për prozelitizëm.
10. Puno për paqen
Jetojmë në një kohë luftërash e duhet ta ngrejmë zërin në kupë të qiellit, për të kërkuar paqen. Paqja nganjëherë të krijon përshtypjen e një gjëje të qetë, por nuk është kurrë ashtu: është gjithnjë paqe aktive.










All the contents on this site are copyrighted ©.