2014-09-18 15:33:32

Françesku ipeshkvijve të Bregut të Fildishtë: dialogoni me Islamin për t’i shkurajuar devijimet e dhunshme


Vendi juaj ka jetuar në atmosferën e përçarjeve të rënda, prandaj ju duhet të jepni gjithë kontributin tuaj në veprimtarinë e paqëtimit kombëtar”. Është ftesa e Papës, drejtuar ipeshkvijve të Bregut të Fildishtë, të cilët i priti sot për vizitë “ad Limina”. Papa i nxiti prelatët ta vijojnë dialogun me myslimanët, për ta shkurajuar, theksoi, çdo devijim të dhunshëm e çdo shpjegim të gabuar fetar të konfliktit, që shkaktoi aq vuajtje në vend.
Dielli i shpresës shndrit mbi Kishën në rritje. Por kur era fryn në drejtim të kundërt, mund ta bëjë fenë të brishtë e të paqëndrueshme.
Shumëkush mund të lëkundet, si pasojë e konflikteve, që gjakosën vendin kohët e fundit, duke krijuar një atmoferë përçarjeje, në të cilën përkatësia etnike merr epërsi mbi vëllazërinë ungjillore, duke i shtyrë shumë të pagëzuar, të lodhur e të zhgënjyer, të largohen nga drita e së vërtetës e të pranojnë propozime më të lehta.
E ky është Bregu i Fildishtë, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të 21-të, sipas Papës, që u informua thellësisht për gjendjen në vend, nga bisedat me vetë ipreshkvijtë, të cilët i takoi në Pallatin Apostolik. Papa e vlerësoi punën ungjillëzuese në kombin afrikan, gjithsesi duke i porositur barinjtë të kenë kujdes për klerin, t’u kushtojnë vëmendje të dorës së parë instituteve rregulltare e t’i angazhojnë laikët, posaçërisht, të rinjtë.
Porosi edhe për të mbajtur lidhje konstruktive me autoritetet e vendit si dhe me përfaqësuesit e shtresave të ndryshme të shoqërisë, për të përhapur frymën e vërtetë ungjillore të dialogut e të bashkëpunimit. E, në këtë drejtim, shtoi Papa, roli i një Kishe, që njerëzit e duan, e vlerësojnë dhe e dëgjojnë, mund të jetë themelor. Me këtë frymë, vijoi Françesku, ju jap zemër ta vijoni dialogun me myslimanët, për t’i prerë hovin rrezikut të dhunës si dhe çfarëdo interpretimi fetar të konfliktit, që jetuat.
Ballafaqim, dëgjim, klimë besimi të ndërsjelltë: këtë ndërton i krishteri kudo që jeton!
Ëmbëlsi, fuqi bindëse, inkurajim: këto duhet të jenë cilësitë e ipeshkvijve.
Papa kujtoi, në vijim, rreziqet, me burim nga procesi i shekullarizimit, me propozimet e tij shumë më pak kërkuese, që vërshojnë nga të katër anët. Kujtoi pleqtë, që deri dje rrethoheshin me nderimet tradicionale të mendësisë afrikane, sot, të vetmuar e të harruar, sepse të rinjtë vijojnë të lëvizin nga një vend në tjetrin, për shkak të konfliktit, duke bërë të veten edhe përvojën e vendeve, ku shkelin. Papa propozoi inkulturimin, si përgjigje ndaj propozimeve të tjera të lehta, që i joshin shumë të krishterë, e edhe dialogun me realitetet kulturore e fenë tradicionale, për ta rrënjosur Ungjillin në truallin ivorian, duke refuzuar çdo gjë, që i kundërvihet e duke pranuar gjithçka është vërtet e mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.