Papa Françesku në Tiranë, Kisha e populli në pritje... sot Imzot Rrok Mirdita
Na ndajnë vetëm dy ditë nga takimi me Papën Françesku në Tiranë dhe mbarë kisha në
trevat shqiptare, por edhe shumë qytetarë të vendit e kombit tonë, presin me gëzim
ardhjen e pasardhësit të Shën Pjetrit. Ndër ta, edhe ipeshkvi i Tiranës, i cili foli
për jetën e vet dhe për kishën shqiptare në një bisedë me gazetarin polak Wlodzimierz
Redzioch u paraqit kështu:
Jam një i krishterë, të cilin Hyji e thirri
t’i shërbejë Kishës, fillimisht si meshtar e më vonë si ipeshkëv. Kam lindur në një
familje të devotshme katolike shqiptare në fillim të Luftës II Botërore, në ish-Jugosllavi,
kam studiuar teologji në Zagreb (Kroaci) gjatë viteve kur po mbahej Koncili II i Vatikanit
dhe jam shuguruar meshtar për kryedioqezën e Tivarit më 1965. Pas tri vjetësh shërbesë
në dioqezën time, kam shërbyer për njëzet vjet në New York, ku jam kujdesur për nevojat
shpirtërore të emigrantëve katolikë shqiptarë. U bëra anëtar i klerit dioqezan të
New York-ut, por pas rënies së komunizmit, më 1993, Papa Gjon Pali II më emëroi kryeipeshkëv
të Durrës-Tiranës. Selia e Shenjtë vendosi ta zhvendoste katedralen dhe selinë ipeshkvnore
nga qyteti i lashtë i Durrësit në kryeqytetin e Shqipërisë. Tirana ishte, për shqiptarët
jashtë shtetit, simboli i Atdheut të mbajtur peng. Mua më besuan misionin ta udhëheq
pikërisht aty Kishën e rilindur. Mund të them se jam njeri i privilegjuar, sepse kam
përjetuar dashurinë e Hyjit për bijtë e bijat e tij në çaste të vështira të jetës.
Jam ipeshkëv, që do të thotë kujdestar: kam qenë i kujdesshëm ndaj hirit të Hyjit
dhe mund të dëshmoj se Hyji e ka shfaqur hirin e vet në Shqipëri, në Kishën tonë dhe
në popullin tonë. Sigurisht, nevojitet drita e fesë për të parë si vepron fuqia e
dashurisë së tij dhe si ai e shndërron në bekim gjithçka që nga pikëpamja njerëzore
përjetohet vetëm si fatkeqësi. Kjo dritë më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Historia
e Kishës në Shqipëri njihet pak. Çfarë duhet të dimë në lidhje me këtë?
Para
së gjithash se Kisha në dheun tonë i shtrin rrënjët thellë deri në kohët apostolike
dhe, që kur u kumtua ndër ne Ungjilli i Zotit tonë, në shekullin e parë, dashuria
e Hyjit i mbushi zemrat e shumë burrave e grave, të cilët u treguan të gatshëm të
jepnin jetën për Krishtin. Ne kemi një traditë të gjatë e të lavdishme martirizimi,
por kohët e rrepta, nëpër të cilat iu desh të kalonte Kishës sonë, e rrëgjuan atë
dhe bashkësia katolike në Shqipëri përfaqëson më pak se 15% të popullsisë, sipas të
dhënave të fundit. Pushtimi i gjatë osman (gati 500-vjeçar) nuk i lejoi katolikët
ta ushtronin haptas fenë dhe i përjashtoi nga të gjitha shërbimet publike, por kjo
bashkësi e vogël katolike e pasuroi jetën e mbarë kombit me shenjtërinë e anëtarëve
të saj. Shenjtëria jep fryte që mund të çmohen përtej Kishës dhe mund të ushqejnë
jetën e mbarë shoqërisë. Kisha jonë u bë e vogël, por kontributi i bijve të saj për
vendin qe i madh. Le të kujtojmë vetëm një fakt të thjeshtë: gjatë tre shekujve të
parë të pushtimit osman, shqipja u shkrua vetëm në qarqet katolike dhe u ruajt, kështu,
pa u gëlltitur nga gjuhët e kombeve pushtuese. Kjo nuk ndodhi për arsye nacionaliste,
por për dëshirën e thjeshtë dhe vendosmërinë për t’ua kumtuar njerëzve në gjuhën e
tyre lajmin e mirë të dashurisë së Hyjit, të zbuluar në Krishtin, duke komunikuar
kështu drejtpërdrejt me shpirtin e njerëzve. Edhe në vitet para dhe pas shpalljes
së Pavarësisë (1912), Kisha luajti një rol kryesor për rigjallërimin e atdhedashurisë
së shëndoshë, me anë të arsimit dhe duke marrë pjesë në jetën politike, por nuk vonoi
shumë dhe regjimi komunist (1945), për ironi të fatit, i paditi katolikët si tradhëtarë
të çështjes kombëtare dhe nisi një periudhë e gjatë dhe e tmerrshme përndjekjesh,
që arriti kulmin me shpalljen e shtetit ateist (1967). Nuk mund të përshkruhet sa
u shtyp Kisha, por ajo mbështetet mbi premtimet e Krishtit dhe banon në zemrat e besimtarëve,
ku nuk mund ta rrënojë asnjë pushtet i kësaj bote, kjo është arsyeja pse, pas rënies
së Komunizmit, jeta e krishterë mundi të lulëzojë sërish.