2014-09-18 15:32:48

Papa: guximi i pranimit të mëkateve, na hap portën për ledhatimin e Jezusit


Guximi që marrim duke pranuar se jemi mëkatarë, na hap udhën për të fituar përkëdheljet e Jezusit, faljen e Tij. Këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Liturgjia e ditës paraqet Ungjillin e mëkatares, që ia lan këmbët Jezusit me lotë, ia lyen me parfum e ia fshin me flokët e saj. Jezusi është i ftuar në shtëpinë e një farizeu, njeri me një farë niveli, me kulturë, shpjegoi Papa, që dëshironte ta dëgjonte, ta njihte doktrinën e tij, të dinte diçka më shumë. E i gjykon, me vete, si mëkataren, ashtu edhe Jezusin, sepse, po të ishte profet, do ta kishte marrë vesh çfarë soj gruaje qe ajo, që po e prekte. Ai nuk ishte njeri i keq, por nuk mund ta kuptonte gjestin e gruas, aq më pak, të Jezusit:
“Nuk arrin t’i kuptojë gjestet më të thjeshta; gjeste fillestare të njerëzve. Ndoshta-ndoshta ky njeri kishte harruar si përkëdhelet një fëmijë, si ngushëllohet një gjyshe. Në teoritë e tij, në mendimet e tij, në jetën e tij si drejtues - sepse ka shumë mundësi të ishte ndonjë nga këshilltarët e farizenjve – i kishte harruar gjestet më të thjeshta të jetës, gjestet e para, që ne të gjithë, sapo dolëm në dritë, i morëm nga prindërit tanë”.
Jezusi, nënvizoi Papa, e qorton farizeun me përvujtëri e dashuri: durimi i tij, dashuria e tij, dëshira për t’i shpëtuar të gjithë, e shtyn të shpjegojë çfarë bëri gruaja e cilat nga gjestet e mirësjelljes duhet t’i kishte bërë ai vetë, e nuk i bëri. E, i rrethuar nga mërmëritja shkandulluese e të gjithëve, i thotë gruas: “Të janë falur fajet. Shko në paqe, feja jote të shpëtoi”:
Fjalën shpëtim -‘feja jote të shpëtoi’- ia thotë vetëm gruas, që ishte mëkatare. E ia thotë sepse ajo qau për mëkatet e veta, i rrëfei mëkatet e tha ‘jam mëkatare’, ia tha vetvetes. Nuk ua tha këtyre njerëzve, që nuk ishin të këqij, po nuk e pranonin se ishin mëkatarë. Mëkatarë ishin të tjerët; publikanët, prostitutat… Këta ishin mëkatarë. Jezusi ia thotë këtë fjalë: –‘Ti je i shpëtuar, ti je e shpëtuar, shpëtove’ vetëm atij, që di ta hapë zemrën e pranon se është mëkatar. Shëlbimi hyn në zemër, kur ne e hapim zemrën për t’i pranuar vërtetësisht mëkatet tona”.
Vendi i zgjedhur i takimit me Jezu Krishtin, kujtoi Papa, janë pikërisht mëkatet tona. Duket si herezi, kjo, vërejti, por e thoshte edhe Shën Pali. Apostulli i Popujve krenohej vetëm për dy gjëra: për mëkatet e veta e për Krishtin e ngjallur, që e shpëtoi:
Prandaj t’i pranosh mëkatet, ta pranosh mjerimin tonë, të pranosh kush jemi e çfarë jemi të zotët të bëjmë, ose e kemi bërë, është pikërisht porta që hapet për ledhatimin e Jezusit, për ndjesën e Jezusit, për Fjalën e Jezusit: ‘Shko në paqe, feja jote të shpëtoi!’, sepse ishe i guximshëm, ishe e guximshme për t’ia hapur zemrën tënde Atij, të vetmit që mund të të shpëtojë”.Jezusi u thotë hipokritëve: - Prostitutat e publikanët do të hyjnë para jush në Mbretërinë e Qiellit! E fortë, kjo! - përfundoi Papa - mbasi ata që pranojnë se janë mëkatarë, e hapin zemrën duke i rrëfyer mëkatet e duke u takuar, kështu, me Jezusin, që dhuroi gjakun e vet, për të na shpëtuar ne të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.