Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë është mbushur me fotografitë e 40 martirëve
të Kishës Katolike në Shqipëri, për të cilët ka përfunduar procesi dioqezan i lumnimit.
Në pritje që Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve të shqyrtojë dosjet, këta meshtarë,
rregulltarë e laikë, pjesa më e madhe e të cilëve, martirizuar gjatë komunizmit, konsiderohen
që tani shenjt nga ata që i njohën e nga ata, që e dinë se ç’tortura e persekutime
kanë kaluar për të dëshmuar Krishtin. Por, jo vetëm fotografitë janë shenjë e
pritjes së Papës Françesku, i cili, që kur e shpalli ditën e shtegtimit të tij apostolik,
nënvizoi se një nga arsyet e vizitës është përforcimi në fe i katolikëve dhe i popullit
shqiptar, të martirizuar gjatë komunizmit. Në Tiranë e gjetiu po zhvillohen veprimtari
pa fund. Në prag të udhëtimit të Papës, përurohet kisha e Shën Marisë në Lurë,
me financimin e afaristit të njohur katolik Dodë Doçi, president i Grupit Lura. Në
Galerinë Kombëtare të Arteve përurohet sot në orën 19.00, ekspozita e përgatitur nga
Gjon Radovani, me titull “Lin Delija mes sakrales dhe profanes”. Në të paraqiten
punime në pikturë të Lin Delisë, arratisur nga Shqipëria gjatë komunzimit, për t’u
vendosur në Itali, ku i kaloi vitet e fundit të jetës në Antrodoko, pranë Romës. Karakteristikë
e punimeve të tij është malli për Shqipërinë e Shkodrën dhe denoncimi i fuqishëm kundër
komunizmit. Në sallën “American Corner” të Biblikotekës Kombëtare në Tiranë,
u paraqitën 177 libra të fondit të Arkivit, me autorë si atë Zef Pllumbi, don Ndre
Mjeda, Arshi Pipa, Martin Camaj etj.. I pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili
njoftoi se pala shqiptare i ka kërkuar Papës të sjellë në Shqipëri një kopje të Mesharit
të don Gjon Buzukut, një nga dokumentet e para të gjuhës shqipe. Natyrisht, Papa
e merr me vete për t’ia dhuruar popullit shqiptar këtë kopje të Mesharit, i cili është
kopjuar fillimisht në format dixhital, për t’u shtypur kështu në një libër të njëjtë
me origjinalin.