2014-09-15 19:21:45

Papa në Shqipëri. Atë Lombardi: në plan të parë, martirët e dialogu ndërfetar


U mbajt sot paradite, në Sallën vatikanase të Shtypit, një takim i Atë Federiko Lombardit, kushtuar shtegtimit apostolik në Shqipëri, në program për të dielën e ardhshme, 21 shtator. Është shtegtimi i katërt ndërkombëtar i Atit të Shenjtë, i pari në një shtet evropian. Zëdhënësi i Vatikanit theksoi se ky shtegtim do të ketë si tema kryesore fenë e martirëve dhe dialogun ndërfetar. Pohoi gjithashtu se nuk ka kërcënime të veçanta nga pala islamiste kundër Papës.RealAudioMP3

Shtegtim i shkurtër, njëditor, por tejet i ngarkuar me ngjarje, që ka në zemër fenë e martirëve të mbytur nga komunizmi i pa Zot dhe inkurajimin e dialogut e të bashkëjetesës ndërmjet feve. Ky, thënë me dy fjalë, është qëllimi i shtegtimit apostolik të Papës Françesku ndër shqiptarë. Zgjedhje, që nënvizon sa shumë i ka për zemër Papa periferitë:
“Shkasi i parë është ai i nderimit të martirëve të rënë për fenë, në këtë vend, që iu nënshtrua persekutimit të tmerrshëm nga ana e komunizmit ateist. Konsiderohej shteti i parë ateist në botë, që e vuri vulën e ateizmit edhe mbi Kushtetutë. E, siç e kujtoi vetë Papa, në sa ktheheshim nga Koreja, ajo që i intereson më shumë, është klima e bashkëjetesës ndërfetare, pozitive, e qetë, e harmonishme, aq sa kjo bashkëjetesë ndërmjet feve të ndryshme në Shqipëri, mund të tingëllojë si mesazh edhe për vendet e tjera, për pjesët e tjera të botës”.
Përsa i përket programit, përqendrohet në Tiranë, ku Papa do të mbajë 6 fjalime, të gjitha në gjuhën italiane. Çastet kryesore, pas ceremonisë së mirëseardhjes, në Pallatin presidencial, do të jenë Mesha në Sheshin e madh të Tiranës, kushtuar Nënë Terezës, takimi ndërfetar në Universitetin katolik të “Zojës së Këshillit të Mirë” dhe Lutjet mbrëmësore në katedralen e re të Tiranës, ku do të ndiqen edhe dëshmitë e atyre pak njerëzve, që dolën gjallë nga persekutimi komunsit. Papa do të vizitojë edhe Qendrën Betania, strehë për fëmijë të gjymtuar e të braktisur.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve: “a ka ndonjë rrezik nga ana e Shtetit Islamik (Is) dhe grupeve të tjera xhihadiste kundër Papës”, atë Lombardi u përgjigj:
“Jo, nuk ka. Do të shkojmë të qetë, do të përdoret xhipi i Sheshit të Shën Pjetrit në takimin kryesor me njerëzit, duke e ditur se Papa dëshiron të mos ketë asnjë pengesë, kur është fjala për këtë takim, mes njerëzve”.
E Lumja Nënë Terezë dhe Shën Karol Vojtila do të jenë dy figurat e mëdha, që do ta shoqërojnë e do ta mbrojnë këtë shtegtim.
Atë Lombardi kujtoi posaçërisht shtegtimin e paharrueshëm të Gjon Palit II, më 25 prill 1993, kur Papa Shenjt rindërtoi hierarkinë katolike shqiptare, asgjësuar plotësisht nga regjimi komunist. Me atë rast, Papa Vojtila shuguroi 4 ipeshkvij shqiptarë:
“Ia vlen ta rikujtojmë këtë shtegtim jashtëzakonisht emocionues, edhe për të gjithë ata, që morën pjesë: fjalime tejet të forta; ju këshilloj t’i rilexoni… mund të rilexohen të gjitha, sepse nuk ishin shumë. Sidomos ai i pasdites, në Shesh, me reflektimin për përvojën e ateizmit, që deshi të mohojë Zotin e të rrënojë njeriun dhe me perspektivën e re, që po hapej. Ja, pra, shtegtimi i Gjon Palit II është natyrisht në kujtesë, ndërsa tani po jetojmë këtë shtegtim të ri të Papës Françesku në Shqipëri".








All the contents on this site are copyrighted ©.