2014-09-15 18:43:22

Libi: Habeshia, gjendja e emigrantëve gjithnjë e më e e rëndë


Luhet tragjedia e radhës, e panumërta, në Detin Mesdhe: prapë mbytet një anije, prapë deti kthehet në varr për viktimat e fundosura ndërmjet Maltës e Kretës. Mjetet e flotës ushtarake italiane, malteze e greke arritën të shpëtonin disa nga udhëtarët e këtij lundrimi, përfshirë një vajzë dy vjeçe, në gjendje të rëndë. Nuk ka të mbaruar zbritja në brigjet italiane e emigrantëve të shpëtuar nga Roja bregdetare gjatë ditëve të fundit, në jug të Lampeduzës. Vetëm në qytetin e Krotones mbërritën, gjatë orëve të fundit, më një anije të Marinës Ushtarake, 956 vetë me kombësi të ndryshme, të cilët ishin nisur nga brigjet e Libisë me dy anije. Shumë prej emigrantëve, që përpiqen të vijnë në Evropë, janë nga Libia, ku po zhvillohet lufta ndërmjet forcave qeveritare dhe ushtrisë integraliste islamike të Ansar Al Sharias. Kjo luftë ka shkaktuar tashmë qindra të vdekur. Të dëgjojmë si e përshkruan situatën meshtari Mussie Zerai, kryetar i Agjencisë Habeshia për Bashkëpunim e Zhvillim:
Në Libi, por edhe në vendet nga vijnë këta njerëz, mbizotëron kaos i plotë. Për sa kohë këta popuj nuk do të pajtohen plotësisht e nuk do t’i zgjidhin problemet me rrënjë, është e qartë se këto flukse emigrantësh, të cilët arratisen nga vendi i vet dhe synojnë të shkojnë në vende të tjera, do të vijojnë edhe pasi të kenë hyrë në shtetet kufitare, që janë kalimtare, deri kur të gjejnë një vend ku mund të rindërtojnë një jetë të qetë e të sigurt. E kështu, këta njerëz do të detyrohen në përballen me udhëtime të gjata, të shtrenjta, të rrezikshme, dhe shumë vetë humbin jetën para se të arrijnë në Mesdhe.
Sipas jush, Evropa, në tërësinë e saj, si duhet t’i ndihmojë emigrantët, që përpiqen të hyjnë në Kontinentin Evropian?
Zgjidhja nuk arrihet duke shtuar praninë ushtarake në Mesdhe; zgjidhja duhet gjetur në rrënjë, prandaj duhet punuar në tre nivele. I pari: shuarja e konflikteve në këto vende afrikane. Në pritje të paqes në këto zona, niveli i dytë: në shtetet fqinje duhen krijuar kushtet për këta refugjatë, u duhet dhënë një alternativë jete, me anë të bashkëpunimit ndërkombëtar, me bursa studimi, me mekanizmat e ndryshme për t’i mbajtur në vendet kufitare me atdheun, pa u dashur të përballen me udhëtime të gjata. Niveli i tretë: për rastet më të dobëta, më të rrezikshme – njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare – në marrëveshje me Bashkimin Evropian, duhet caktuar një vend i tretë, që t’i pranojë dhe t’u sigurojë kushtet e nevojshme të jetesës. Nëse nuk kalojmë nëpër këto tre nivele, nuk do të mund t’i ndalojmë mbërritjet e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.