2014-09-14 18:10:37

Papa në Engjëllin e Tënzot: lufta, marrëzi, nga e cila nuk kemi nxjerrë mësime


Në festën e sotme të Lartimit të Kryqit, mendimi i Papës, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, shkoi tek të krishterët e persekutuar për fenë e tyre e, menjëherë pas, tek viktimat e luftërave, duke kujtuar shtegtimin e djeshëm në Redipuglia e edhe Republikën Qendërafrikane, ku nesër nis një mision paqeje i OKB-së. Pasi shpjegoi se në Kryqin e Krishtit dëftohet e gjithë dashuria e Hyjit për njerëzimin, përshëndeti edhe çiftet e sapobashkuara me Sakramentin e martesës, në kremtimin e jashtëzakonshëm e tejet prekës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku spikasnin e bardha dhe e zeza: fustanet e bardha të nuseve e kostumet e zeza të dhëndurëve të rinj.

Lufta, “marrëzi, nga e cila njerëzimi nuk ka nxënë mend akoma”. Përballë Kryqit të Krishtit, që shpreh tërë forcën e ligë të së keqes e tërë gjithëpushtetin e butë të mëshirës, Papa Françesku e mori shtytjen nga shtegtimi i tij i djeshëm në Varrezën austrohungareze e në Mauzoleun e Redipuglia-s për reflektimin mbi numrat tmerrues të Luftës së Madhe e të konflikteve, në përgjithësi, dhe për lutjen kushtuar viktimave:
Flitet për 8 milionë ushtarë të rinj të rënë e për rreth 7 milionë civilë. Kjo lë të kuptohet menjëherë se lufta është marrëzi! Marrëzi, mësimin e së cilës nuk e ka nxënë ende njerëzimi, sepse pas saj, shpërtheu një tjetër, e dyta, botërore, e pas saj, shumë të tjera, që vijojnë edhe sot e kësaj dite. Po kur, vallë, do ta nxëmë këtë mësim? I ftoj të gjithë të shikojnë Krishtin e Kryqëzuar, për të kuptuar se urrejtja dhe e keqja duhen mundur me falje e me të mirë, se përgjigjja me luftë s’bën tjetër, veçse të shtojë të keqen e vdekjen”.
Më pas Papa, duke ua përcjellë emocionin e tij të thellë besimtarëve të pranishëm në Shesh, i ftoi të gjithë të mendojnë për vëllezërit e motrat e persekutuara e të vrara për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Krishtit:
Kjo ndodh posaçërisht atje, ku liria fetare nuk është e garantuar ose nuk është realizuar ende. Ndonëse ndodh edhe në mjedise që, në parim, i mbrojnë lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut, por ku konkretisht besimtarët, e posaçërisht të krishterët, ndeshen me kufizime e diskriminime. Prandaj i kujtojmë e lutemi në mënyrë të posaçme për ta”.
Françesku e mori shtytjen nga kuptimi i Lartimit të Kryqit, në të cilin, kujtoi, u zbulua në kulm dashuria e Hyjit për njerëzimin. Ati, shtoi, duke kujtuar Ungjillin e sotëm të Gjonit, na dhuroi Birin, për të na shpëtuar: Jezusi vdiq në kryq, për shkak të ligësisë së pafundme të së keqes, që na mbante nën skllavëri, vijoi. Ai qe deri në fund të fundit besnik i planit të dashurisë së Atit: prandaj Hyji e ‘lartoi’ Jezusin, duke i dhënë pushtet mbretëror universal. Prej këndej, kryqi nuk është dështimi i Tij, po fitorja e Tij. Duke e parë Kryqin, kundrojmë shenjën e dashurisë së pafundme të Hyjit për secilin nga ne si dhe rrënjën e shëlbimit tonë:
“Nga ky Kryq buron mëshira e Atit, që rrok mbarë botën. Përmes Kryqit të Krishtit u mund djalli, u arrit fitorja mbi vdekjen, na u dhurua jeta, na u kthye shpresa. Kjo është e rëndësishme: përmes Kryqit të Krishtit na u rikthye shpresa! Kryqi i Krishtit është shpresa jonë, e vetmja shpresë e vërtetë!”.
Prandaj e larton Kisha Kryqin e Shenjtë, e ne, të krishterët, bekojmë me shenjën e Kryqit, shpjegoi akoma Papa:
Ne nuk lartojmë kryqet, por Kryqin e lumnueshëm të Jezusit, shenjë e dashurisë së pafundme të Hyjit, shenjë e shëlbimit tonë e udhë drejt Ringjalljes. E kjo është shpresa jonë!”.
Më pas Papa kujtoi Republikën Qendërafrikane, që tronditet që prej më se një viti nga dhuna gjakatare. Nesër, kujtoi, do të fillojë misioni i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të favorizuar paqëtimin e vendit e për të mbrojtur popullsinë civile, që vuan rëndë për shkak të pasojave të konfliktit, në vijim e sipër:
“Ndërsa siguroj angazhimin e lutjen e Kishës katolike, inkurajoj përpjekjet e Bashkësisë ndërkombëtare, që po i ndihmon qendërafrikanët vullnetmirë. Uroj që dhuna t’ia lëshojë sa më shpejt vendin dialogut; që palët kundërshtare t’i lënë mënjanë interesat e veçanta e të përpiqen për të mirën e gjithë qytetarëve, pavarësisht nga etnia e feja, së cilës i përkasin e të bashkëpunojnë për të mirën e përgjithshme. Zoti e shoqëroftë këtë përpjekje për paqen!”.
Zojës së Dhimbshme, që do të kremtohet nesër, Papa ia besoi ardhmërinë e Kishës, duke uruar që të gjithë të dijmë ta zbulojmë e ta pranojmë gjithnjë mesazhin e dashurisë e të shëlbimit, që buron nga Kryqi i Krishtit. Nënës së Dhimbjeve ia besoi edhe çiftet, të cilave pati gëzimin t’u vërë kurorë. Së fundi, përshëndeti gjithë besimtarët e mbledhur rreth tij, në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u lutur së bashku. Ndërmjet tyre, edhe shqiptarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.