2014-09-14 14:53:14

Papa: martesa nuk është “fiction”, por dashuri e Krishtit e garanci për bashkëshortët


Familjet janë si populli i Izraelit, për udhë në shkretëtirë, i prirë prej Moisiut. Udhë premtuese, por edhe e lodhshme, e ngarkuar me konflikte. Janë fjalët e Papës në homelinë e Meshës së sotme, me ritin e martesës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, përqendruar tek Lartimi i Kryqit. Njëzet, çiftet të reja rreth elterit; më të rinjtë, nën tridhjetë vjeç, më të pjekurit, mbi pesëdhjetë, me përvoja jete krejt të ndryshme mbi shpatulla.RealAudioMP3

Emocioni e gëzimi u lexohej në fytyrë, burrave e grave, që sot bashkuan jetët e tyre në sakramentin e martesës, kremtuar prej Papës. Në sytë e një nuseje vezullojnë lotët. Në Bazilikë ndjehet klima e festës. Ushton fort shqiptimi i ‘po’së, plot siguri e qartësi, pas pyetjes nga ana e Françeskut. Jeta bashkëshortore nuk është ‘fiction’, u kujton Papa, në përfundim të homelisë, përqendruar tek përvoja e popullit të Izraelit në shkretëtirë, sipas Leximit të parë, shkëputur nga Libri i Numrave, përvojë që të bën të mendosh menjëherë për Kishën, për udhën në shkretëtirën e botës së sotme, për Popullin e Hyjit, të përbërë kryesisht nga familjet:
Është e pallogaritshme forca, ngarkesa me humanitet në gjirin e familjes: ndihma reciproke, shoqërimi edukativ, marrëdhëniet që rriten, në sa rriten vetë njerëzit, ndarja e gëzimeve dhe e vështirësive… familjet janë vendi i parë ku formohemi si njerëz e, njëkohësisht, janë ‘tullat’ për ndërtimin e shoqërisë”.
Por udha nuk është e lehtë, përkundrazi, e lodhshme, mungon uji, bëhet e padurueshme e, theksoi Papa, lind edhe tundimi për t’u kthyer mbrapsht:
Çiftet e bashkëshortëve nisin të mendojnë se ‘nuk janë më në gjendje ta vijojnë shtegtimin’ e jetës bashkëshortore e familjare. Lodhja e udhës bëhet kapitje shpirti; humbet shija e Martesës, nuk pihet më ujë nga gurra e Sakramentit. Jeta e përditshme bëhet e rëndë, nganjëherë edhe e neveritshme”.
Populli rebelohet, e pastaj edhe pendohet e i lutet Moisiut t’i kërkojë Hyjit t’i largojë gjarpërinjtë e helmatisur që kafshonin njerëzit. E Hyji u jep ilaçin e kërkuar: një gjarpër bronzi varur mbi një shtizë, që të shëron menjëherë, kur ia ngul sytë:
“Ç’kuptim ka ky simbol? Zoti nuk i zhduk gjarpërinjtë, por ofron kundërhelmin: përmes këtij gjarpëri prej bronzi, bërë nga Moisiu, Hyji përcjell forcën e Tij shëruese, që është mëshira e Tij, më e fortë se helmi i tundimit. Jezusi, siç e dëgjuam në Ungjill, u njëjtësua me këtë simbol(…) Kush i beson Krishtit të kryqëzuar, fiton mëshirën e Hyjit e shërohet nga helmi vdekjeprurës i mëkatit”.
Ilaçi i ofruar nga Zoti popullit, vetë Biri i Tij, i vdekur në kryq, vlen edhe, e në mënyrë të posaçme, për bashkëshortët, vijoi Françesku, të cilët nuk e durojnë udhën e kafshohen nga tundimet e çkurajimit, të pabesisë, të prapsimit, të braktisjes…Por në se ia besojnë vetveten Krishtit, ai i shëron me dashurinë përdëllyese, që gurron nga Kryqi i Tij, me forcën e hirit, që të rilind e t’i fuqizon hapat, për të vijuar udhën e jetës, krah për krah:
Dashuria e Jezusit , që bekon e shenjtëron bashkimin e çifteve, është në gjendje ta ruajë dashurinë e tyre e ta përtërijë kur, parë me syrin njerëzor, nis të humbasë, të brehet, të shterrojë. Dashuria e Krishtit mund t’u rikthejë bashkëshortëve gëzimin e të ecurit bashkë. Sepse kjo është martesa: udhë e bërë bashkë e një burri me një grua, në të cilën burri e ka për detyrë ta ndihmojë gruan të jetë më grua e gruaja, detyrën ta ndihmojë burrin të jetë burrë i vërtetë”.
Papa nënvizoi, në vijim, se udha në të cilën janë të thirrur bashkëshortët, nuk është e shtruar, pa pengesa. Kështu është jeta. E Papa dha edhe këshillën e vet:
“Është normale që bashkëshortët të grinden, normale. Grinden gjithnjë. Por ju këshilloj: mos e përfundoni kurrë ditën, pa bërë paqe! Kurrë! Mjafton një gjest i vogël. E kështu vijohet udha”.
Në përfundim, urimi i Françeskut:
“Ju uroj, ju të gjithëve, udhë të mbarë: udhë pjellore, që të rritet dashuria. Ju uroj lumturi. Do të keni edhe kryqe! Por gjithnjë Hyji është aty, për t’ju ndihmuar të ecni përpara. Zoti ju bekoftë!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.