2014-09-14 14:56:02

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (10)


Emisioni i dhjetë i rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, i kushtohet Veprimtarisë misionare në Siri e Palestinë.

Në këtë periudhë zgjerimi i veprimtarisë misionare, posaçërisht në Siri e në Palestinë, arriti një nga kulmet, ndonëse arsyetohej në mënyra të ndryshme, nga konfesionet e ndryshme fetare: luteranët e anglikanët pohonin se ishin aty për të përhapur Biblën në trojet ku kishte lindur, ndonëse nganjëherë veprimtaria e tyre mori pamjen e prozelitizmit agresiv, që më shumë prishi, sesa ndreqi punë. Prej këndej, në vitin 1824, përmes një fermani të Sulltanit, u ndalua rreptësisht importimi dhe shpërndarja e Biblave të shtypura në Evropë.
Katolikët shtegtonin drejt Lindjes, për t’i ardhur në ndihmë bashkësive katolike lindore, prej shekujsh besnike të Papës, si për shembull, maronitët libanezë të cilët, duke nisur nga Mesjeta, ishin përfaqësuesit më të mëdhenj të katolicizmit në trojet e Lindjes. Por, përveç tyre, në kohët moderne, me Romën u ‘bashkuan’ edhe disa bashkësi të vogla, por tejet të lashta të ritit lindor, që anonin herë nga Kisha ortodokse, herë nga ajo armene, duke pasur përfaqësitë e tyre pranë Sulltanit, si Kisha kaldeje, siro-katolike, armeno-katolike dhe ajo melkite.
Për t’i ndihmuar këto Kisha, Papa, duke nisur nga fundi i shekullit XVI, nisi në ndihmë jezuitët, të mirënjohur në veprimtarinë e krijimit të seminareve e kolegjeve për formimin e klerit e të laikëve katolikë. Pas shpërndarjes së Shoqërisë së Jezuitëve (1773), veprimtari të tilla vijuan nën drejtimin e laxaristëve, që bënë përpjekje të shumta për të depërtuar në gjirin e shoqërisë otomane edhe përmes mësimdhënies në gjuhën turke.
Në fillimet e tetëqindës, arritën misionarë të tjerë, të gjuhës franceze, në mënyrë të posaçme, lionezët e Propagation de la foi. Në dhjetvjeçarët e mëpasëm, vijuan të hyjnë rregulltarë të Kongregatave të reja, që merreshin me edukimin e të rinjve e me mësimdhënien, si maristët e salezianët. Jezuitët u rikthyen në Lindje në vitin 1831, me ftesën e ipeshkvijve maronitë melkitë e, në vitin 1857, themeluan universitetin Saint-Joseph të Beirutit, edhe sot e kësaj dite, nga më të rëndësishmit në Lindje. Në këtë kohë vëreheshin përpjekje për t’i bërë ballë depërtimit, në rritje, të misionarëve protestantë (evropianë dhe amerikanë), që kishin hapur shkolla në zona të ndryshme të Lindjes së Mesme: vetëm në Beirut, në vitin 1827, numëroheshin 13 shkolla të drejtuara nga misionarët e American Board, në të cilat studionin 600 nxënës. Evropianët e shpjegonin praninë e tyre në trojet e Sulltanit si mision qytetërues, për të cilin Evropa ishte e thirrur.
Në këtë kohë edhe Porta e Lartë u hap, për t’i bërë shteg risive evropiane, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë ushtarake e admnistrative, duke nisur realizmin e një projekt reforme, që synonte modernizimin e shtetit. Me kalimin e kohës këto prirje u thelluan gjithnjë më shumë, në përpjekjen për t’i dhënë një fytyrë të re shoqërisë otomane, që shquhej për organizim të rreptë me bazë etniko-fetare (mbi bazën e miletit). Periudha e tanzimatit (domethënë e riorganizimit), që shkon nga viti 1839, deri në vitin 1876, pati ndikim të fuqishëm edhe në drejtimin fetar. Lehtësoi depërtimin e misionarëve në të gjitha trojet e perandorisë otomane dhe krijoi kushtet që Porta e Lartë ta shikonte me sy tjetër veprimtarinë fetare. Kjo pati rëndësi të dorës së parë për praninë e katolikëve në Lindjen e Mesme. Para së gjithash, ajo që kishte më shumë rëndësi, është se Qeveria otomane, duke synuar t’i japë fund ndërhyrjeve të fuqive evropiane (të njohura si mbrojtëse të të krishterëve lindorë) në punët e brendshme të shtetit, për herë të parë kërkoi të hynte në lidhje të drejtpërdrejta me Selinë e Shenjtë, gjë që nuk u shikua me sy të mirë nga fuqitë katolike, si Franca e Austria. Në emisionin e ardhshëm, Tanzimati në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.