2014-09-13 15:12:36

Papa në Redipuglia: lufta është marrëzi


“Lufta është marrëzi”: nga Mauzoleu i Redipuglia-s, provincë e Goricies, në 100-vjetorin e fillimit të Luftës I Botërore, Papa i kërkoi njerëzimit shndërrimin e zemrës, sot, kur po luftohet lufta e tretë e madhe, me krime, masakra, shkatërrime”. Në Meshën e kremtuar nën shi, në praninë e më se 15 mijë vetëve, Papa u lut për të rënët e të gjitha luftërave. 320 bashkëkremtuesit, 60 ipeshkvijtë, nga të cilët, 13 prelatë ushtarakë. Liturgjinë e gjallëruan seminaristët e ipeshkvnisë ushtarake të Friulit. Të pranishme, edhe delegacionet nga Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Austria e Kroacia, përveç dhjetë përfaqësuesve të bashkësisë islamike në Itali. T’i dëgjojmë fjalët e Atit të Shenjtë, në shërbimin e të dërguarit tonë, Luca Collodi:RealAudioMP3

“… lufta është marrëzi. Ndërsa Hyji çon përpara krijimin e ne, njerëzit, jemi të thirrur të bashkëpunojmë në veprën e Tij, lufta shkatërron. Shkatërron edhe gjënë më të bukur, që krijoi Hyji; qenien njerëzore. Lufta shkatërron gjithçka, edhe lidhjen ndërmjet vëllezërve. Lufta është e çmendur, plani i saj i zhvillimit është shkatërrimi…”.
Lufta është marrëzi! Nga Mauzoleu i Redipuglia-s, në Friuli Venezia Giulia, ku treten 100 mijë viktima të Luftës I Botërore, Papa i kërkoi njerëzimit shndërrimin e zemrës, përballë dhunës së njeriut. E përballë zemrës së prishur të njeriut, njerëzimi duhet t’i pranojë gabimet e veta, të lypë falje, të qajë:
“Lakmia, intoleranca, ambicia për pushtet... janë shkaqet, që çojnë në vendimin për shpërthimin e luftës, e këto shkaqe shpesh përligjen nga ideologjia, por fillimisht prin pasioni, shtysa e mbrapshtë. Ideologjia është përligjje, e kur nuk është ideologjia, është përgjigjja e Kainit: “S’më bëhet vonë fare për tim vëlla! S’më intereson…:‘Thua jam rojtar i tim vëllai?’(Zan 4,9), Lufta shkatërron, vret pleq, fëmijë, nëna, baballarë… Pa dallim. S’i bëhet vonë fare”.
Pasi zbriti nga avioni në Aeroportin Ronchi i Legjionarëve, Françesku bëri aktin e parë të paqes, duke u ndaluar për t’u lutur në varrezën e Fogliano-s, ku bëjnë gjumin e mbramë 14 mijë të rënë austrohungarezë, shumë prej të cilëve, ushtarë të panjohur, të paemër, mbledhur nga varreza të ndryshme lufte të zonës:
“Edhe sot viktimat janë shumë… Si është e mundur kjo? Është e mundur, sepse sot, pas kuintave, janë interesat, planet gjeopolitike, lakmia për para e pushtet, industria e armëve, që duket se është tepër e rëndësishme! E këta planifikues të terrorit, këta organizatorë konfliktesh, këta sipërmarrës armësh, e kanë të shkruar në zemër shprehjen e Kainit: “Mua aq më bën!”. Afaristët e luftës ndoshta fitojnë shumë, por zemra e tyre e prishur e ka humbur aftësinë për të qarë. Ata nuk dinë ç’do të thotë të lotosh. Kaini nuk qau. Vëllezër, njerëzimi ka nevojë të qajë, të shfrejë, e kjo është ora e lotëve”.
Në përfundim të Meshës, Papa u dhuroi 13 ipeshkvijve ushtarakë të pranishëm, kandilin françeskan të paqes, të ushqyer me vaj, dhuratë e shoqatës Libera të don Ciottit, prodhuar nga tokat e konfiskuara të mafies. Në kohën kur paraqiteshin dhuratat në elter, Papës i dhuruan kapelen me pupla të bersalierit Giuseppe La Rosa, viktima e fundit italiane në Afganistan. Së fundi, Kreu i Shtabit të Mbrojtjes, admirali Binelli Mantelli, i dhuroi Françeskut faqen e rregjistrit, ku shkruhet emri i të gjyshit, Giovanni Bergoglio, bersalier, ushtar në Piave gjatë Luftës i Botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.