2014-09-14 10:40:04

Shenjtorët e javës 15-21 shtator


Më 15 shtator përkujtohet Zoja e Dhimbshme. Përkujtimi i Zojës së Dhimbshme na thërret të përjetojmë çastin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën qeillore, e cila u bashkua me mundimet e të Birit, pranë të cilit ndenji besnikërisht në orën e kryqit. Amësia e saj u bë, në Kalvar, amësi universale. Ky përkujtim me zanafillë devocionale hyri në kalendarin romak me vendim të Papës Piu VII (1814).

Më 16 shtator përkujtohet Shën Cipriani. U lind në Kartagjenë rreth vitit 210. Tre vjet pas kthimit në krishtërim u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Gjatë përndjekjes së Valerianit jetoi në fshehtësi. Sapo mori lajmin se ishte dënuar me vdekje, u kthye në Kartagjenë, për të dëshmuar Krishtin përballë besimtarëve të vet, para të cilëve i prenë kokën, më 258.

Më 17 shtator përkujtohet shën Rober Belarmino. U lind në Montepulciano (Itali) më 1542, në një familje të pasur, me shumë fëmijë. Më 1560 hyri në Shoqërinë e Jezusit. Studioi në Padovë, në Luvën (Belgjikë) e në Kolegjin Romak. U emërua kryeipeshkëv i Kapuas (Itali) e kardinal, më 1599. Pas Koncilit të Trentos u bë një ndër teologët më të njohur të kohës dhe shkroi disa vepra ekzegjetike, baritore e asketike. Vdiq në Romë, më 17 shtator 1621.

Më 18 shtator përkujtohet i lumi Jozef Kut, Meshtar i kryedioqezës së Poznanit, ra viktimë e nazistëve në kampin famëkeq të përqendrimit gjerman në Dachau. Papa Gjon Pali II e lartoi në nderimin e altarit, bashkë me 107 viktima të tjera të nazizmit, më 13 qershor 1999.

Më 19 shtator përkujtohet Shën Gjenari. I lindur në Napoli në gjysmën e shekullit III, u zgjodh ipeshkëv i Beneventos, ku fitoi dashurinë e të krishterëve e paganëve. Historia e tij duhet lexuar në kontekstin e përndjekjeve të Dioklecianit. Ishte mik me diakonin Sosius, që udhëhiqte bashkësinë e krishterë të Misenit. Zëvëndëskonsulli i Campania-s e burgosi shekun e Gjenarit, prandaj ky shkoi për ta vizituare në Burg bashkë me dy shokë, Festin e Desiderin. Zëvëndëskonsulli i arrestoi edhe këta të tre dhe i dënoi me vdekje, me shqyerje nga arinjtë në amfiteatër. Ndërsa po përgatiste zbatimin e vendimit, zëvëndëskonsulli mori vesh se populli ishte kundër këtij vendimi, prandaj, nga frika se do të shkaktonte rrëmujë gjatë të të ashtuquajtura lojëra, ndryshoi vendim dhe u preku kokën me shpatë më 19 shtator 305.

Më 20 shtator përkujtohet shenjtorët martirë koreanë. Veprimi i Shpirtit të Shenjtë, që fryn ku do vetë, frymëzoi një grusht laikësh koreanë për të themeluar Kishën e Hyjit në tokën e tyre. Fara e parë e fesë katolike, e mbjellë nga një shekullar korean më 1784, pasi u kthye nga Pekini, i dha frytet e veta madhështore në gjysmën e shekullit XIX, me martirizimin e 103 anëtarëve të asaj bashkësie të re. Ndër ta bie në sy Andrea Kim Taegon, meshtari i parë korean, dhe apostulli laik Pal Chong Hasang.

Më 21 shtator është e diel, festa e Zotit








All the contents on this site are copyrighted ©.