2014-09-12 10:18:13

Papa flet me presidentin tunizian për lirinë fetare dhe refuzimin e ekstremizmit


Papa Françesku priti sot presidentin e Republikës së Tunizisë, Mohamed Moncef Marzouki, i cili, më pas, u takua edhe me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin si dhe me imzot Dominik Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
“Gjatë bisedës së përzemërt, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, u fol përmbledhtas mbi disa tema me interes të përbashkët, si mbrojtja e paqes, dialogu ndërfetar dhe të drejtat e njeriut, me theks tek liria e ndërgjegjes dhe liria fetare, si dhe tek mospranimi i çdo forme të ekstremizmit e të dhunës. Më pas u vlerësua puna e Kishës katolike në fushën shoqërore, shëndetësore dhe edukative, në shërbim të të gjithë qytetarëve tunizianë, posaçërisht, të më të varfërve e më nevojtarëve. Në fund u shqyrtuan disa çështje me karakter ndërkombëtar e rajonal, me vëmendje të veçantë tek situata në pellgun mesdhetar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.