2014-09-14 10:39:51

E diela XXIV gjatë vitit


Falja

Judaizmi e ka pranuar detyrimin për t’i falur fyerjet e lëndimet, por e ka pranuar vonë dhe vetëm pasi kishte caktuar tarifat e sakta, që përkonin me çdo ofendim a lëndim. Vogëlsia njerëzore përpiqet gjithmonë të masë gjithçka, të vendosë norma, që ia plotësojnë kërkesat e mirëcaktuara. Të falësh, po, por deri në sa herë? Rabinët, për të nënvizuar lirinë e Hyjit, thoshin se ai fal tri herë; shkollat rabinike u kërkonin nxënësve të tyre të falnin një numër të caktuar herësh gruan, bijtë e vëllezërit. Numri i herëve ndryshonte nga një shkollë në tjetrën. Pjetri e pyet Jezusin çfarë tarifash kishte caktuar ai.

Shtatëdhjetë herë shtatë

Jezusi kishte thënë se duhet t’i duam armiqtë dhe duhet të lutemi për ata që na përndjekin, për të qenë bijtë e Atit qiellor, i cili bën të lindë dielli mbi të këqinj e të mirë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët e të padrejtët (Mt 5,44-45). Tek lutja Ati ynë i kishte mësuar nxënësit të luteshin me këto fjalë: “Na i fal ne fajet tona, si ua falim ne fajtorëve tanë”. Pjetri, për të cilin, meqë rrinte me Jezusin, masat që deri atëherë konsideroheshin të vlefshme nuk shërbenin më, bën këtë pyetje: “Deri në shtatë herë?”. Është më shumë se dy herë tre dhe është numër simbolik që përfaqëson përsosurinë. Jezusi e formulon përgjigjen duke e përdorur numrin simbolik, por edhe duke e shumëzuar aq shumë, sa të krijojë idenë e pafundësisë. Duhet të falim gjithmonë, pa fund.
Shëmbëlltyra që vijon jep arsyet pse duhet të falim pa përcaktim. Kuptimi i shëmbëlltyrës është se Hyji ia fal falas mëkatet atij që i kërkon falje, duke treguar një dashamirësi krejtësisht të painteresuar kundrejt mëkatarit.
Si rrjedhojë e kësaj përvoje të faljes nga ana e Hyjit, njeriu duhet të mësojë t’i falë vëllezërit e vet, si për faktin se këto fyerjet nuk janë asgjë, në krahasim me peshën e mëkatit, ashtu edhe për faktin se edhe ai vetë e ka shijuar faljen e Hyjit.

Falja e krishterë mund t’ia ndryshojë fytyrën historisë

Falja e mëkateve dhe dashuria për armiqtë përbëjnë njërën ndër karakteristikat më të dukshme e më të reja të moralit ungjillor. Por, siç ndodh shpesh, sa më e ma dhe të jetë kërkesa, sa më i lartë të jetë pikësynimi i dëshiruar, aq më gjysmak dhe i varfër duket realizimi në jetën praktike.
Sa ka ndikuar doktrina ungjillore e faljes së mëkateve në jetën dhe sjelljen praktike të të krishterëve? Duhet të themi se shumë të krishterë gjatë historisë së Kishës e kanë marrë si të vërtetë fjalën e Jezusit dhe jeta e shenjtorëve të krishterë është plot me shembuj sublimë të dashurisë dhe me gjeste heroike të faljes dhe të pajtimit. Nëse sot flitet gjithjnë e më shumë për paqen, për çarmatosjen, për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare apo për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për ndihmën ndaj popujve në zhvillim, duhet ta pranojmë se shumë të krishterë kanë dhënë ndihmesën e tyre në përhapjen dhe thellimin e këtij ideali ungjillor.
Ungjilli ka pasur rëndësi të pallogaritshme në edukimin e popujve perëndimor dhe shumë ide, intuita e ngacmime pozitive për të cilat kanë luftuar disa sisteme, që e kundërshtojnë krishtërimin, kanë lindur në një kulturë që mbart vulën e krishterë dhe trajtën e shpirtit ungjillor.
Por historia e popujve, edhe e popojve të krishterë, është plot me dëshmi negative: luftra, përplasje, kobe, hakmarrje, padrejtësi, konflikte fetare, pushtime koloniale, pa harruar sot imperializmin ekonomik, shfrytëzimin e botës së tretë, industrinë e luftës dhe të vdekjes. Përgjegjësia e të krishterëve përballë Ungjillit e vëllezërve që nuk e kanë marrë ende dritën e fesë është tejet e lartë. Kundërdëshmitë e përgënjeshtrojnë me fakte çdo përpjekje ungjillëzuese dhe e kompromentojnë besueshmërinë e Ungjillit.

Të këputen vargonjtë e urrejtjes

Nisma për pajtim vjen prej Hyjit. Kisha dhe të krishterët duhet të jenë veprimtarët e paqes në botë, duhet të krijojnë klimën e pajtimit, të faljes, të takimit, të vëllazërisë në të gjithë sektorët e në të gjitha nivelet, nga niveli ndërkombëtar deri tek marrëdhëniet e vogla të fqinjësisë dhe të punës, marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet bijve, ndërmjet nëpunësve dhe punëdhënësve, të pasur e të varfërve. Nuk ka marrëdhënie njerëzore, sado e vogël të jetë, që nuk mund të përmirësohet me anë të faljes e pajtimit. Shtjellën e dhunës e ndalon dashuria e krishterë, çast i rëndësishëm i së cilës është falja. Vetëm me anë të dashurisë mund të formohet bashkësia, edhe ajo kombëtare.

Mbi faljen
(Nga Fjalimi 114 i Shën Agostinit)

Ungjilli i Shenjtë, siç e dëgjuam kur u lexua, na ka dhënë disa udhëzime në lidhje me faljen e mëkateve. Mbi këtë temë ju nevojitet legjërimi ynë, sepse ne jemi shërbestarët e fjalës, që nuk është e jona, por e Hyjit, Zotit tonë. Askush nuk i shërben asaj, pa e marrë prej saj lavdinë; askush nuk e përçmon pa rënë në ndëshkim. Zoti ynë Jezu Krishti, i cili, duke qenë i bashkuar me Atin, na krijoi dhe, pasi u bë njeri për ne, na rikrijoi, ai, vetë Hyji e Zoti ynë, na thotë, siç e dëgjuam: nëse vëllai yt të ka bërë keq, qortoje; nëse pendohet, fale; edhe nëse të fyen shtatë herë në ditë e vjen tek ti për të të thënë: më vjen keq, fale. Duke thënë: shtatë herë në ditë, donte të thoshte: “të gjitha herët”, për të mos lejuar që të mos falte ai, i cili do të pësonte tetë fyerje. Çfarë do të thotë, pra: shtatë herë? Do të thotë: gjithmonë, sa herë që dikush bën keq e pendohet. Kjo është edhe domethënia e fjalisë: shtatë herë do të të lavdëroj, sikurse thotë edhe një tjetër psalm: lavdi i tij do të jetë gjithmonë në gojën time. Po pse, në vend të fjalës “gjithmonë” gjejmë fjalën “shtatë herë”? Arsyeja e sigurtë është kjo: gjithë koha shpaloset në shtatë ditë, që shkojnë e vijnë.

Duhet të falim vëllanë, për të marrë faljen e Hyjit

Kushdo qofsh ti, që e ke mendjen tek Krishti dhe dëshiron të marrësh çfarë ka apremtuar ai, nuk duhet të jesh përtac e të bësh çfarë ka urdhëruar ai. Çfarë ka premtuar ai? Jetën a amshuar. Çfarë ka urdhëruar? Fale vëllanë. Është si të kishte thënë: “Ti që je njeri, fal një njeri, në mënyrë që unë, që jam Hyj, të vij tek ti”. Por le të mos flasim për një çast për premtimet më të larta të Hyjit, falë të cilave krijuesi ynë do të na bëjë të barabartë me engjëjt e tij, që të mund të jetojmë përjetësisht në të, me të e prej tij. Le të mos flasim për këtë, por, a nuk dëshiron të marrësh nga Hyji yt të njëjtën gjë, që të kërkon t’ia japësh vëllait tënd? Të njëjtën gjë – e përsëris – që të urdhërohet t’ia japësh vëllait tënd, a nuk dëshiron ta marrësh nga Hyji, Zoti yt? Më thuaj se nuk e do, atëherë as mos e jep. Çfarë është kjo gjë, përveçse që ti t’i japësh faljen atij që ta kërkon, nëse dëshiron të të jepet çfarë kërkon? Ose, nëse ti nuk ke asgjë për të cilën duhet të kërkosh falje, unë guxoj të të them: “Mos fal!”. Megjithatë, nuk duhej ta thosha as këtë. Edhe nëse nuk ke bërë asgjë për të kërkuar falje, duhet të falësh njësoj, sepse fal edhe Hyji, i cili nuk ka bërë asgjë për të kërkuar falje.

Duhet t’i falim mëkatet sipas shembullit të Hyjit

Por ti do të thuash: “Po unë nuk jam Hyj, jam mëkatar”. Qoftë lëvduar Hyji, që ti pranon se ke mëkate! Fal, atëherë, që të të falet edhe ty. Edhe vetë Hyji ynë na bën thirrje ta imitojmë. Na bën thirrje para së gjithash Krishti vetë, Zoti vetë, për të cilin apostulli Pjetër thotë: Krishti vdiq për ne, duke na lënë shembullin, që edhe ne të ndjekim sjelljen e tij. E pra, ai nuk kishte asnjë mëkat, por vdiq për mëkatet tona dhe derdhi gjakun e vet për faljen e mëkateve. Mori mbi vete, për ne, mëkatin, që nuk e pati për detyrë ta merrte, për të na liruar nga detyrimi. Nuk ishte ai, njeriu që duhej të vdiste, por ishim ne ata që duhej të jetonim. Pse? Sepse ishim mëkatarë. As ai nuk e kishte për detyrë të vdiste, as ne nuk kishim të drejtë të jetonim. Mori përsipër çfarë nuk i takonte dhe na dha çfarë nuk na takonte. Por, meqë bëhet fjalë për faljen e mëkateve, me qëllim që të mos besoni se është punë e vështirë për ne të ndjekim Krishtin, dëgjoni Apostullin, që thotë: faleni njëri-tjetrin, sikurse Hyji ju fali ju me anë të Krishtit. Jini, pra – thotë apostulli e jo unë – jini pra imituesit e Hyjit. A mos është mendjemadhësi të imitojmë Hyjin? Imitues të Hyjit. Ndoshta është mendjemadhësi! Ndoshta është sjellje krenare. Por jeni bij shumë të dashur, quheni bij: nëse nuk pranon imitimin, pse kërkon trashëgiminë?

Mëkatari ta falë mëkatarin

Do të flisja kshtu edhe nëse ti nuk do të kishe asnjë mëkat, për të cilin do të kërkoje falje. Mirëpo, kushdo që ti të jesh, je njeri. Edhe po të jesh i drejtë, je njeri; Nëse je laik, je njeri; edhe nëse je murg, je njeri; po të jesh klerik, je njeri; edhe po të ishe ipeshkëv, je njeri; edhe po të ishe apostull, gjithmonë njeri je. Dëgjoje zërin e një apostulli: nëse themi se jemi pa mëkat, gënjejmë veten. Kush e ka thënë? Pikërisht Gjoni ungjilltar, apostulli i madh të cilin Zoti ynë Krishti e donte më shumë të të gjithë të tjerët dhe kur ishte në tryezë me Jezusin vendosi kryet në kraharorin e tij. Pikërisht ai thotë: “nëse themi”. Nuk thotë: Nëse thoni se jeni pa mëkat”, por: nëse themi se jemi pa mëkat, gënjejmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. U bashkua me të tjerët në faj, për t’u gjetur bashkë me ta në falje. Nëse themi. E shihni kush e thotë? Nëse themi se jemi pa mëkat, gënjejmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. Por, nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai që e mban fjalën dhe është i drejtë, do të na i falë mëkatet dhe do të na lirojë nga të gjitha fajet. Si do të na lirojë? Duke falur. Të mos mendojmë se nuk do të gjejë faje, për t’i ndëshkuar. Nëse, pra, kemi mëkate, vëllezër, t’ua japim faljen atyre që na e kërkojnë, t’ua japim atyre që pendohen. Mos të mbajmë në zemër armiqësinë. Nëse e mbajmë gjatë armiqësinë, ajo na e prish zemrën.

Në lutje i kërkojmë falje Hyjit, me kusht që të falim të tjerët

Dëshiroj, pra, që ti ta japësh faljen, sepse shoh se e kërkon edhe për vete. A ta kërkojnë? Fal. Ta kërkojnë ty, por edhe ti do ta kërkosh. Nëse ta kërkojnë, fal, sikurse edhe ti lutesh për të marrë faljen. Ja, do të vijë çasti për t’u lutur. Me fjalët që do të shqiptosh, do të të vë me shpatulla pas murit. Do të thuash: Ati ynë që je në qiell, mirëpo nuk do të renditesh ndër bij, nëse nuk do të thuash Ati ynë. Pra, do ta thuash lutjen: Aty ynë që je në qiell. Vijon: U shenjtëroftë emri yt. E më tej: Ardhtë mbretëria jote. Vijo më tej: u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë. Shiko çfarë do të shtosh: Bukën tonë të përditshme na e jep sot! Ku e ke pasurinë ti, që kërkon lëmoshë? Megjithatë, pasi të kesh thënë: Bukën tonë të përditshme na e jep sot, thuaj më tej atë për të cilën po flasim, thuaj çfarë vijon: Na i fal fajet tona. Erdhe tek pika për të cilën po flisja. Na i fal fajet tona. Me çfarë të drejtë? Me çfarë kushtetsh? Me ç’marrëveshje. Është caktuar marrëveshja, është caktuar mirë ligj: fal ti, siç fal unë!








All the contents on this site are copyrighted ©.