2014-09-12 18:10:43

Benedikti XV, Papa që e quajti Luftën I Botërore “masakër e kotë” dhe mbrojti fatet e Shqipërisë


Papa Benedikti XV njihet si Papa i Luftës së madhe por, më shumë, si Papa i paqes së madhe. Papnia e tij (1914-1922) u shtri në të gjithë hapësirën e vringëllimës së armëve e u karakterizua nga thirrjet e fuqishme për paqe kundër “masakrës së kotë”- “masakrave të kota”, që lënë pas gërmadha vendesh e njerëzish. Luajti një rol të dorës së parë në ndihmë të të burgosurve e të të plagosurve. Por ajo, që ka më shumë rëndësi, propozimet e tij ndikuan fuqimisht në tryezën e bisedimeve për paqe, në Konferencën e Parisit dhe në atë të Lidhjes së Kombeve, ku merreshin vendime mbi fatet e botës së pas Luftës.

Emri i Benediktit XV është i lidhur ngushtë edhe me fatet e tërësisë territoriale të Shqipërisë. E, natyrisht, me Kishën katolike në vend që, kur shpërthente Lufta I Botërore, ishte në kulmin e lulëzimit. Prej këndej i takoi nderi e detyra të luante një rol të dorës së parë gjatë Luftës, e sidomos, pas saj. Historia tashmë i ka vënë vulën këtij roli, pavarësisht se vijon të ketë edhe nga ata që e kundërshtojnë, duke u radhitur, dashur pa dashur, me armiqtë e Kombit. E ky rol lidhet me Konferencën e Paqes të Parisit, më 1919, e më pas, edhe me ndikimin e Lidhjes së Kombeve mbi fatet e Shqipërisë, falë mbrojtjes autoritare të çështjes shqiptare nga një delegacion i papërsëritshëm, që kishte në krye një prelat, Imzot Luigj Bumçin e një françeskan, Atë Gjergj Fishtën. “Çka do të thotë shekulli, kur të shohë në krye të këtij delegacioni një frat të përvujtë, veshë me zhgun e ngjeshë me konop të Shën Françeskut” e pati pyetur Papa Benedikti XV Fishtën, para nisjes në Paris, ku sigurisht nuk shihej kund hije zhguni as konopi. Po fryti i këtij zhguni, mbështetur fort nga Benedikti XV, e i petkut kuq e zi të Prelatit, që do të mbante ligjëratën me titull “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”, edhe sot e kësaj dite kryevepër e prozës oratorike, ishte shpëtimi i Korçës dhe i Gjirokastrës, që mbeten shqiptare. Ashtu si mbeti i pakundërshtueshëm, sepse i mbështetur mbi dokumente, që flasin vetë, roli i Papës Benedikti e i dy klerikëve, përfaqësues të Kishës katolike, të lidhur ngushtë me përfaqësuesit e dy feve të tjera, myslimane e ortodokse, në fatet e Shqipërisë. Të mirënjohura, fjalët e imzot Bumçit, me të cilat e niste bisedën me Papën, kundërshtar i luftave e i përçarjeve e dorëzanë i tërësisë territoriale të vendit të vogël ballkanik: “Të gjithë misat e Dergatës shqiptare, qi janë në Paris e qi shumica asht muslimane, më kanë çue këtu, para Shêjtnisë suej”. Fjalë me vlerë të madhe aktuale, në prag të vizitës së një Pape tjetër, që shkel në Shqipëri 100 vjet pas këtyre ngjarjeve, me të njëjtin shpirt!

Shkaqet që çuan në shpërthimin e Luftës I Botërore, një shekull më parë, vijojnë të studiohen nga historianët. Ndërmjet argumenteve, që thellohen e dokumentohen, është ai, që i kundërvihet konceptit të vlerësimit të Kombit deri në atë masë, sa të çojë në nacionalizëm të tepruar, i krizës shoqërore të Perandorisë austro-hungareze, i tregtisë së armëve, vizionit të luftës si “spastrim” i njerëzimit, i qëndrimit të Kishës e katolikëve ndaj luftës, i thirrjeve të Benediktit XV për ta shmangur rrezikun e katastrofës botërore dhe i rolit të Papës në mbrojtjen e interesave të popujve.










All the contents on this site are copyrighted ©.