2014-09-10 16:50:02

Lamtumirë përgjithmonë, apo mirupafshim?


Në audiencën e përgjithshme Papa kujtoi sa vepër e madhe mëshire është t’u rrish pranë njerëzve në prag të vdekjes, kur përgatiten ta lënë këtë botë. Çast, që njerëzimi e quan “i lamtumirës”, e Kisha nënë, i përshëndetjes plot shpresë: “mirupafshim”. Çast që nuk mungon të vijë për gjithë të gjallët, pa asnjë përjashtim!
Pra, lamtumirë apo mirupafshim? Si ta kuptojmë? Na e mëson Papa, duke ia paraqitur edhe një herë botës shembullin e së Lumes shqiptare, Nënë Terezës. E kuptoi mirë e Lumja Terezë, tha Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, kur endej nëpër rrugët e Kalkutës e atje…
“Gjente njerëz në grahmat e fundit, rrugëve, njerëz që kishin nisur t’i hanin minjtë e hendeqeve, e ajo i merrte e i çonte në shtëpinë e saj, që të vdisnin të pastër, të qetë, në paqe. E nuk u thoshte kurrë lamtumirë, por mirupafshim. Shumë burra e gra, si ajo, e kanë bërë këtë. E ata i presin atje, lart, për t’u hapur portat e qiellit. Sa gjë e bukur është t’i ndihmosh njerëzit të vdesin mirë, të shkojnë në paqe”.
Mirupafshim, pra, është përshëndetja e krishterë, që duhet t’i bëjmë njeriut në grahma, me bindjen se do ta gjejmë te portat e qiellit, ku të vijë ora për t’i thënë edhe ne “Të mirupafshim” kësaj bote.










All the contents on this site are copyrighted ©.