2014-09-09 15:36:10

Nigeri. Edhe myslimanët kanë marrë arratinë nga Boko Haram


“Disa kisha janë shkatërruar e dhjetra mijëra njerëz, shumica të krishterë, kanë marrë arratinë nga Boko Haram” – denoncon për agjencinë Fides atë Patrick Tor Alumuku, drejtor i komunikimeve shoqërore në kryedioqezën e Abuxhës. “Kam folur me disa meshtarë nga Maiduguri (kryeqyteti i Shtetit të Bornos, në veri-lindje të Nigerisë, ku vepron më së shumti sekti islamik) e më kanë treguar gjëra të pabesueshme” – thotë meshtari. “Boko Haram ka ndërmend të shkatërrojë gjithçka që kujton praninë e të krishterëve, prandaj kanë shkatërruar e djegur shumë Kisha. Javën e kaluar famullia e një fshati në zonën e Maidugurit është shndërruar në selinë vendore të Boko Harammit”.
Sipas njoftimeve të Imzot Oliver Dashe Doeme, ipeshkëv i Maidugurit, “në zonat e pushtuara nga Boko Haram të krishterët po arratisen masivisht”. Ipeshkvi thotë se të krishterët e shpërngulur janë rreth 90.000.
“Duhet të saktësojmë se ndër të shpërngulur nuk ka vetëm të krishterë, por edhe disa myslimanë”, thotë atë Patrick. “Ndër ta edhe kryetarët e fshatrave dhe të qytetëve, disa krerë fetarë myslimanë, që cilët nuk miratojnë veprimet e Boko Haramit”.
Gjendja e të shpërngulurve është tejet e vështirë, sepse është e vështirë të arrihet me ndihmat e nevojshme humanitare.








All the contents on this site are copyrighted ©.