2014-09-07 12:57:10

Shenjtorët e Javës 8 – 14 shtator


Më 8 shtator përkujtohet Lindja e Zojës. Ky kremtim është miratuar nga Papa Sergji I (shek. VII), i cili vendosi ta merrte nga tradita lindore. Lindja e Virgjërës është e lidhur ngusht me ardhjen e Mesisë, si premtimi, përgatitja dhe fryti i shëlbimit.Ag, që i prin diellit të drejtësisë, Maria e paralajmëron botën për gëzimin që sjell Shëlbuesi.
Më 9 shtator përkujtohet Shën Pjetër Klaver, meshtar i Shoqërisë së Jezusit, i cili, në Kartagjenë të Kolumbisë, punoi me përkushtim, zell e dashuri për dyzet vjet, në mbrojtje të skllevërve të zinj. Shoqëroi tek gurra e pagëzimit treqindmijë prej tyre të cilët i pagëzoi me dorën e vet.
Më 10 shtator përkujtohen 52 martirët e Nagasakit. Sebastian Kimura, i Shoqërisë së Jezusit, Francesco Morales, i Urdhrit të Predikatarëve, meshtarë, bashkë me pesëdhjetë shokë martirë, meshtarë, rregulltarë, bashkëshortë, të rinj, katekistë, të veja e fëmijë, të cilët vdiqën për Krishtin para një turme të madhe, mes torturash të tmerrshme.
Më 11 shtator përkujtohet i lumi Baldassarre Velaskes. Ra në duart e saraçenëve, në La Muela, Spanjë. E kërcënuan me vdekje në rast se nuk do të mohonte fenë katolike, por ai qortoi rreptë për ligësitë dhe veset, dëshmoi me guxim fenë dhe për këtë arsye e shporuan me heshtë, bashkë me 16 martirë të tjerë. Ishte viti 1588.
Më 12 shtator përkujtohet Emri i Shenjtërueshëm i Marisë. Ky përkujtim na sjell ndër mend dashurinë e patregueshme të Nënës së Hyjit për Birin e saj të shenjtë. Figura e Nënës së Shëlbuesit u paraqitet besimtarëve, që ta thërrasin në ndihmë e ta imitojnë.
Më 13 shtator përkujtohet Shën Gjon Gojarti. U lind në Antioki (ndoshta në vitin 349) dhe pasi kaloi disa vite në shkretëtirë, ipeshkvi Fabian e shuguroi meshtar dhe zgjodhi si bashkëpunëtor. U bë i njohur si predikatar i madh dhe më 398 u zgjodh pasardhës i patriarkut Nektar në katedrën e Kostantinopojës. Pati admirues e kundërshtarë, për shkak të veprimtarisë së tij të zellshme: ungjillëzoi fshatrat, themeloi spitale, organizoi lëvizjen anti-ariane, nën mbrojtjen e policisë perandorake, mbajti predikime të zjarrta, me të cilat qortonte veset dhe vaktësinë shpirtërore, ndreqte murgjërit e pazellshëm dhe klerikët e dhënë pas pasurisë. Një grup ipeshkvijsh, me në krye Teofilin e Aleksandrisë, ia hoqën katedrën dhe e dëbuan nga qyteti, por perandori Arkad e ktheu në shërbesën ipeshkvore. Pas dy muajsh e dëbuan përsëri, fillimisht në Armeni, pastaj në bregun e Detit të Zi, ku vdiq më 14 shtator 407. Teodozi i Ri, biri i perandorit Arkad, e barti trupin e Gojartit nga varri i Komanës në Kostantinopojë.
Më 14 shtator është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.