2014-09-07 12:55:28

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (9)


Emisioni i nëntë i rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, i jep përgjigje pyetjes: Kush ishte Mehmet Aliu?RealAudioMP3
Ishte shqiptar prej Kavalle, ku kishte lindur e kishte zënë vend i ati, Ibrahim Agai, i shpërngulur nga Shqipëria në atë qytet. Kur erdhi në Misir, Mehmet Aliu ishte vetëm bylykbash por, falë mendjes së tij të hollë arriti të bëhej Pasha i Misirit, siç quhej asokohe Egjipti. Iu deshën shumë përpjekje, për t’i mbajtur gjithnjë në dorë frenat e pushtetit, që kish fituar. Madje dhe zhdërvjedhtësi, shkathtësi e deri rreptësi e mizori, që nuk ishin tipare të karakterit të tij. Turqia e njohu si pasha, vetëm pse nuk mund të mos e njihte. Por, ndërsa Sulltani u detyrua ta pranojë, Anglia, që nuk e shihte me sy të mirë forcimin e tij, pse i dobësonte ndikimin mbi Egjiptin, me dredhi e dinakëri, të zakonshme për politikën e saj të jashtme, organizoi armiqtë e Aliut, turqit dhe mamelukët. Mehmeti, që flinte gjithnjë me një sy hapur, iu përgjigj, duke bërë për vete, me “peshqeshe” të mëdha, një mori autoritetesh të Stambollit. E fuqizoi, kështu, më shumë pushtetin, i përkrahur edhe nga shqiptarët e tij, të cilët i paguante rregullisht, që të mos ngrinin krye. Edhe koptëve ua lehtësoi taksat e larta, që detyroheshin t’i paguanin pashallarëve, sundimtarë para tij.
I vuri kështu, poshtë, anglezët, turqit e mamelukët, që kurdisnin intriga kundër tij. Njëri pas tjetrit. Që nga viti 1806 e deri më 1811 e pastroi Egjiptin nga anglezët e nga mamelukët.
Turqit u prekën të parët nga ky qëndrim i Pashës së pabindur shqiptar. Në korrik të vitit 1806, Kapidan Pasha ia mbërrijti në Aleksandri me një flotë të fuqishme. Kishte me vete urdhërin që Mehmet Aliu të shkulej me rrënjë nga Egjipti e të bëhej Pasha i Selanikut. Pasha shqiptar u përgjigj se ishte gati të nisej ku e thërriste Porta e Lartë, por nuk e linin ushtarët e tij, që prisnin të merrnin njëmijë qese rroga të papaguara. E ashtu ishte. Sapo u mor vesh mundësia e largimit të Mehmetit, shtatëdhjetë oficerë shqiptarë bënë be mbi Kuran se nuk do ta linin të ikte për asnjë arsye. Sipas një zakoni të lashtë, kaluan nën një shpatë, që e mbanin dy më të moshuarit, duke treguar se ishin gati t’i shtroheshin edhe vuajtjeve më të mëdha, për të mos e lënë Pashanë të largohej nga Egjipti. Edhe polemi i Kairos zu të lëvizte, ndërsa shehët e ulemajtë si dhe paria tjetër e vendit, i dërgoi një letër Portës së Lartë, duke kërkuar të mos lëvizej Pashai. Ndërhyu për këtë edhe përfaqësuesi diplomatik i Francës. Kështu Kapidan Pasha nuk mundi ta shkulte Mehmet Aliun nga Egjipti. Si mori dhuratë katër mijë qese, paguar nga polemi i kryeqytetit, u nis nga Aleksandria më 2 shkurt 1806 e nuk u kthye më.
Së fundi u erdhi radha mamelukëve. Ditën e parë të marsit 1811 i biri i Mehmetit, Tosuni, sipas zakonit, do të ngjeshte zyrtarisht shpatën e më pas do të nisej për luftë kundër disa fiseve të Arabisë, që kishin ngritur krye. Kremtimi do të bëhej në fushë të Kobet-El-Azabit. U thirrën edhe mamelukët. 400 prej tyre u paraqitën me petkat më të bukura e me armët më të ndritura. Erdhën, kështu, e hynë krenarë në fortesën e Kajros. Pasha po priste në sallën e madhe të divanit e, kur hynë brenda, i priti me nderime të mëdha, duke urdhëruar t’u nxjerin kafe. Pastaj u ngrit që të shkonte bashkë me ta në vendin ku do të kremtohej. Prinin jeniçerët, pas tyre, mamelukët e pas mamelukëve, ushtarë të tjerë. Mehmet Aliu mbyllte varganin, i shoqëruar prej shehlerëve dhe oficerëve të tij të lartë. Posa morën të përpjetën, që shpie te porta e El-Azabit, u dëgjua një e shtënë topi. Shqiptarët, fshehur ndërmjet gurëve, sipas urdhërit të Mehmet Aliut, u ranë mamelukëve. Këta, duke parë portën e mbyllur, bënë të ktheheshin mbrapa, por u ndodhën në mes dy zjarresh e kështu, ndonëse qëndruan si burrat, i shfarosën të gjithë. I vranë e ua plaçkitën gjithë ç’kishin me vete. Pashai shqiptar qe kthyer e po priste në sallë të divanit, lajmin mbi përfundimin e ngjarjes. Ia dha një mjek gjenovez: “Ja një ditë e bukur për Lartësinë tuaj”- i tha. Pas këtyre fjalëve, banorët e Kairos, bashkë me shqiptarët, zunë të plaçkisnin shtëpitë e të vrarëve. Ploja u shtri edhe në vise të tjera të Egjiptit, ku u therën më se njëmijë mamelukë. Një Mehmet tjetër, Serasqer i Rumelisë, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug të Shqipërisë, do të ndiqte shembullin e tij vetëm njëzet vjet më vonë, më 30 korrik 1830, në Masakrën e Manastirit, ku gjetën vdekjen 500 krerë kryengritës.
Kështu e siguroi Mehmet Aliu rendin e qetësinë: duke e larë vendin në gjak.
Porsi Pjetri i Madh i Rusisë, me të cilin e krahasuan, në fillim pastroi fundërritë e së kaluarës, pastaj nisi të punojë për një ardhmëri më të mirë, duke ndjekur një poltikë liberale, filoevropiane. Në emisionin e ardhshëm, Veprimtaria misionare në Siri e Palestinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.