2014-09-02 15:28:19

Përshëndetja e Papës ndeshjes së futbollit për paqen në Stadiumin Olimpik


Sporti e feja takohen për paqen në botë. Kjo është sinteza dhe domethënia, që i dha shtytjen organizimit të lojës, ideja e së cilës lindi nga takimi i Papës Françesku me lojtarin argjentinas Zanetti. Fitimet iu dhuruan dy strukturave edukative rinore argjentinase (Scholas Occurrentes dhe Fondacionit P.U.P.I. Onlus).RealAudioMP3
Loja u luajt mbrëmë në Stadiumin Olimpik të Romës, në praninë e 20 mijë dashamirëve të futbollit.
Duatrokitja e parë ishte për Papën që, përmes një videomesazhi, pohoi arsyet e kësaj ndeshjeje të parë ndërfetare për paqen: feja e sporti, së bashku, kundër luftës! Pastaj, për kampionët e sotëm e të djeshëm, që me lojën e tyre i përcollën botës mesazhin universal të paqes, duke i thënë kurrë më luftës. Ishin aty, në fushë, Shevchenko, Buffon, Baggio, Muslera, Simeone, e posaçërisht, Diego Maradona.

Ati i Shenjtë i takoi dje pasdite, në Vatikan, pjesëmarrësit dhe organizatorët. I takoi e u foli fjalë për t’u medituar, kushtuar sportit, që mund të bëjë shumë për bashkëjetesën paqësore, falë forcës së tij komunikative.
Ati i Shenjtë i falënderoi futbollistët, që po e vinin në jetë dëshirën e tij për t’i parë kampionët dhe trajnerët e vendeve të ndryshme e të feve të ndryshme, duke u ndeshur në një garë sportive, për të dëshmuar ndjenjat e vëllazërisë e të miqësisë.
Kujtoi, më pas, se ndeshja do të shërbejë edhe për të mbledhur fonde, në ndihmë të projekteve të solidaritetit, por sidomos, për të reflektuar mbi vlerat universale, që mund të favorizojnë sportet në përgjithësi, e futbolli, në veçanti: ndershmërinë, mikpritjen, dialogun, besimin tek tjetri. Janë vlera, që i bashkojnë njerëzit, pavarësisht nga raca, kultura, besojma fetare.
Papa e quajti këtë ndeshje, gjest i lartë simbolik, që lë të kuptohet se është e mundur të ndërtohet kultura e takimit dhe bota e paqes, në të cilën besimtarët e feve të ndryshme, duke ruajtur identitetin e tyre, mund të bashkëjetojnë në harmoni e respekt reciprok.
Françesku e vlerësoi lart rolin e sportit, posaçërisht të futbollit, duke e parë si fenomen njerëzor e shoqëror, që ka shumë rëndësi e ndikim mbi doket e mendësinë bashkëkohore:
“Njerëzit, posaçërisht të rinjtë, ju shikojnë me admirim për aftësitë tuaja sportive. Ka rëndësi, prandaj, të jepni shembull të mirë, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Në ndeshjet sportive jeni të thirrur të tregoni se sporti është gëzim i të jetuarit, lojë, festë, e si i tillë, duhet vlerësuar, përmes rifitimit të natyrës së tij pa interes, të aftësisë për të shtrënguar lidhjet e miqësisë e të hapjes së zemrës për njëri-tjetrin”.
Edhe me sjelljet tuaja të përditshme, vijoi Papa, të ngarkuara me fe, përshpirtëri, humanitet e vetëmohim, mund të jepni dëshmi në dobi të idealeve të bashkëjetesës paqësore civile e shoqërore, për ndërtimin e qytetërimit të themeluar mbi dashurinë, solidaritetin e mbi paqen. E kjo është kultura e takimit: duhet punuar kështu!
Në përfundim Papa uroi që sporti të japë kontributin e vet për bashkëjetesën paqësore të mbarë popujve, duke përjashtuar çdo diskriminim race, gjuhe e feje, sepse diskriminim do të thotë përbuzje:
“E ju me këtë ndeshje, do t’i thoni ‘jo!’ çdo diskriminimi! Fetë, posaçërisht, janë të thirrura të bëhen përçuese të paqes e kurrë të urrejtjes, sepse në emër të Zotit, duhet të çojmë kudo, vetëm dashuri:
“Feja e sporti, të kuptuara vërtetësisht, mund të bashkëpunojnë e t’i ofrojnë mbarë shoqërisë shenja të qarta të një epoke të re, në të cilën ‘popujt nuk do ta vringëllojnë më shpatën njëri kundër tjetrit(cfr Is 2,4).
Në përfundim, Papa u përcolli të gjithëve një mesazh:
“Zgjerojini zemrat tuaja, si bën vëllai me vëlla. Ky është një nga sekretet e jetës e, njëkohësisht, edhe përmasa më e thellë e më e vërtetë e sportit”.
Pas këtij inkurajimi, futbollistët u nisën, të ndjekur nga mijëra sy, drejt stadiumit, për këtë ndeshje kaq të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.