2014-09-01 17:53:27

Kardinali Vegliò takohet me Papën Françesku për çështjen e Irakut


Papa Françesku priti këto ditë, në Shtëpinë e Shën Martës, kardinalin Antonio Maria Veglò, kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve. Tema qendrore e besedës, drama e popullsisë irakiane, që ka marrë arratinë për shkak të dhunës së xhihadistëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Për Papën, Kisha duhet të jetë pararojë e mbrojtjes së më të dobtëve, tha kardinali Vegliò para mikrofonit tonë:
Kisha duhet të ndihmojë pikërisht ata që kanë më shumë nevojë, sepse u janë shkelur të drejtat. Prandaj, Kisha, që është në anën e të varfërve dhe të atyre që nuk kanë zë, duhet të jetë e pranishme dhe nuk duhet të lodhemi kurrë së thëni këto gjëra, si nëpër homeli, ashtu edhe nëpër fjalime të ndryshme dhe atje ku fjalët e kanë ndonjë ndikim, si, për shembull, në mjediset politike.
Tani kemi dramën e re të të shpërngulurve në Irak: janë vërtet shumë...
Unë i quaj të shpërngulur e refugjatë, sepse arratisen, ngaqë do t’i vrisnin, po të rrinin në vendet e prejardhjes. Përballë dramave të këtyre njerëzve nuk arrij të kuptoj si mund të thuhet – siç është thënë: “T’i kthejmë në vendin e tyre”. Por unë pyes: një mendje që arsyeton, a mund t’i thotë dikujt që është arratisur nga një vend ku do ta vrisnin: ‘kthehu në atdheun tënd’? Unë besoj se mungon jo vetëm njerëzia, por edhe inteligjenca. Më vjen keq që më duhet të shprehem kështu... Pastaj, këta njerëz vuajnë: braktisin gjithçka dhe marrin arratinë... E jo vetëm në Irak, ju e dini mirë. Tani, Iraku është maja e ajsbergut, sepse atje gjendja është më e frikshme: ka vrasje, kobe të natyrës barbare, që i njohim, i kemi parë... Mirëpo, këta njerëz kanë nevojë jo vetëm për lutje: lutja është e rëndësishme, por nuk mjafton. Ata kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë që bashkësia ndërkombëtare t’i marrë përsipër. Po si? E ka thënë mirë Papa në avion, duke u thkyer nga Koreja: “Duhet t’i ndalojmë këta njerëz”. Në ç’mënyrë? Ja, pra: është bashkësia ndërkombëtare ajo që duhet t’i vlerësojë mjetet, por nuk mund të bëjë sikur s’po ndodh asgjë. Me të drejtë Papa tha: “Nuk mund t’i mbyllim sytë, nuk mund të bëjmë sikur nuk po ndodh asgjë”, sepse do të ishte njësoj si në kohën kur Hitleri vriste hebrenjtë e më vonë shumë vetë thanë: “Ah, jo, jo, ne nuk dinim gjë!”. Fund e maje hipokrizi! Duhet bërë diçka!
Bashkësia ndërkombëtare po bën pak në këtë drejtim...
Bashkësia ndërkombëtare, domethënë OKB-ja, por edhe Evropa, që është afër këtyre vendeve edhe gjeografikisht, po bën shumë pak. Sipas meje Evropa duhet të jetë pak më e ndjeshme. Fatkeqësisht, në Evropë kemi aq shumë probleme, sa secili mendon për vete, në mënyrë egoiste, dhe pak për të tjerët. Por, nëse mendojmë për problemet tona – ‘tonat’ e kam fjalën si italianë – që janë të mëdha, sepse ekonomia nuk ecën mirë, shumë vetë janë pa punë, duhet ta dimë se këto probleme janë relativisht më të vogla se ato të popullit të gjorë irakian, që merr arratinë për të shpëtuar nga therja në fyt...
Cilat janë shpresat e Kishës për këta refugjatë irakianë?
Unë uroj që Evropa – ndonjë vend ka filluar të lëvizë – të jetë e ndjeshme, t’u japë mundësinë të mikpriten në vendet tona - Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja: të gjitha vende të pasura krahasuar me këta skamnorë! Uroj të veprojnë kështu të shtyrë edhe nga Kisha. Kur flasim për Kishën nuk kam ndërmend vetëm Vatikanin apo Kurjen. Kisha është një realitet i pranishëm kudo dhe Kisha e ka ndjeshmërinë për t’i ndihmuar këta të varfër, këta emigrantë, refugjatë e të shpërngulur. Nuk mund të mendohet se këtë dramë mund ta zgjidhë një vend i vetëm, si Italia, prandaj jam i kënaqur që në Evropë është kuptuar problemi italian me çështjen e projektit “Mare Nostrum” dhe të “Frontex plus”. Tani, ja: të punojmë ku të mundemi, me shpresën se edhe njerëzit të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.