2014-09-01 17:52:01

Kardinali Sandri në Rumani: u çova përshëndetjen e Papës katolikëve dhe ortodoksëve


Përfundoi dje, vizita e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në Rumani, nisur më 29 gusht. Prelati i lartë mori pjesë në përurimin solemn të heparkisë së Shën Bazilit të Madh, në Bukuresht, si dhe në fillimin e detyrës së ipeshkvit të parë, imzot Mihail Frăţilă. Të shtunën, kryesoi Liturgjinë Hyjnore, së bashku me kryeipeshkvin e madh të Făgăraş e Alba Iulia-s të rumunëve, Fortlumturinë e tij, kardinalin Lucian Mureşan. Bashkëkremtuan me ta edhe nunci apostolik, kryeipeshkvi Lozano, ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës greko-katolike rumune, disa sivëllezër të ardhur nga Kishat katolike lindore të Ukrainës, Greqisë, Hungarisë, përveç prelatëve latinë të Rumanisë. Ndërmjet autoriteteve, ishte i pranishëm edhe sekretari i Shtetit për Kultet si dhe Ambasadori i Rumanisë pranë Selisë së Shenjtë.
Pasditen e së shtunës, kardinali Sandri ishte për vizitë te patriku ortodoks, Fortlumturia e Tij Daniel, të cilit i përcolli përshëndetjen e Papës Françesku, duke i shprehur edhe dëshirën për vijimin e ecjes së filluar në rrugën e dialogut e të bashkëpunimit vëllazëror.
Së fundi, dje, para rikthimit në Romë, kardinali Sandri kryesoi meshën në katedralen latine të Shën Jozefit, në Bukuresht, së bashku me kryeipeshkvin, kryetar i Konferencës ipeshkvnore, imzot Robu, si dhe me ndihmësin, imzot Damian.

Para se të nisej, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore u prit në audiencë nga Papa, i cili e ngarkoi me detyrën për t’u çuar të gjithë ipeshkvijve, meshtarëve e besimtarëve, Bekimin Apostolik dhe për t’u dhënë zemër të vijojnë dëshminë e gëzimit të Ungjillit.









All the contents on this site are copyrighted ©.