2014-08-31 10:04:21

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (7)


Veprimtaria misionare në Perandorinë Otomane
Në emisionin e tetë të rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, do të flasim për Veprimtarinë misionare në Perandorinë Otomane .

Pas dy emisioneve, kushtuar veprës monumentale “Illyricum Sacrum” fryt i punës së misionarëve, po rikthehemi tek veprimtaria misionare në shekullin XVII, në të gjithë shtrirjen e Perandorisë së pafundme otomane. Dy janë arsyet kryesore, që i dhanë shtytje veprimtarisë misionare drejt zonave të Lindjes së Mesme. Së pari, procesi i shekullarizimit, i përftuar nga Evropa e sidomos nga kultura iluministike si dhe nga ngjarjet e dhimbshme revolucionare. Këto rrethana kaq shqetësuese e nxitën Kishën të dalë ‘nga guaska evropiane’, ku qe mbyllur prej disa shekujsh e të nisej drejt Lindjes, drejt rrënjëve të krishterimit. E pikërisht në këtë periudhë Palestina dhe Jeruzalemi nisën të perceptohen si Toka e Shenjtë. Këtu ekzistonin bashkësitë katolike të ritit lindor, që kishin shumë nevojë për ndihmë, aq më tepër që në dhjetvjeçarët e parë të tetëqindës, për misionarët u hapën horizonte të reja për ndërhyrje, deri në atë kohë shumë të kufizuara.
Arsye tjetër, që e lehtësoi zgjerimin e veprimtarisë misionare, të paktën për Kishën katolike, qe zgjedhja e Gregorit XVI (shkurt 1831) në fronin e Shën Pjetrit. Gregori XVI, para se të bëhej Papë, kishte qenë prefekt i Kongregatës Propaganda Fide. Ky Papë, i njohur nga historianët për qëndrim të papajtueshëm ndaj liberalizmit dhe të ashtuquajturave “liri moderne”, vuri themelet e metodës misionare. Me udhëzuesin “Neminem profecto” të vitit 1845, hapi një udhë të re, të gjerë, për krijimin e Kishave vendase, të inkulturuara në realitetet ku predikonin Ungjillin dhe për formimin e klerit vendas, të aftë për të marrë në dorë fatet e bashkësive, që do t’i besoheshin. Me këtë synim, u kërkoi rregulltarëve misionarë të hapnin në Lindje shkolla të reja. E jo vetëm për formimin e klerit, por edhe të elitave katolike. Me bindjen, që e pati shprehur përmes citimit të një shprehjeje proverbiale të Shën Jeronimit iliras: “Është më lehtë të shuash diellin, se të shkatërrosh Kishën Katolike”.

Politika e hapjes ndaj Perëndimit në dhjetëvjeçarët e parë të tetëqindës, u ikurajua në mënyrë të posaçme nga gjenerali shqiptar Mehmet Ali, mëkëmbës i Sulltanit në Egjiptin, që vetëm formalisht bënte pjesë në Perandorinë otomane. Shqiptari i ardhur në Egjipt nga Maqedonia që në vitet tridhjetë, kishte nisur shtrirjen e Egjiptit në drejtim të Palestinës e të Sirisë. Ky plan ambicioz falimentoi keqas, edhe pse nuk u përkrah nga fuqitë evropiane, që interesoheshin ta ruanin gjendjen ekzistuese të perandorisë otomane, duke ia zgjatur sa më shumë jetën ‘të sëmurit të madh të Bosforit’. Prej këndej, pas sulmit të dështuar të Mehmet Aliut, këto zona u rikthyen nën sundimin e plotë të sulltanit. Gjithsesi qëndrimi liberal, që mbajti në këto vite Mehmet Aliu u hapi shumë evropianëve rrugën për t’u vendosur në Lindjen e Mesme si për arsye tregtare, ashtu edhe ekonomike, kulturore e fetare.
Emisioni i ardhshëm, portret i Mehmet Aliut...









All the contents on this site are copyrighted ©.