2014-08-31 14:09:39

Françesku në Engjëllin e Tënzot: të mposhtet, me forcën e Ungjillit, rreziku i mendësisë së botës


Rreziqet e përshtatjes me mendësinë e botës mund të mposhten me forcën e Ungjillit: kështu u shpreh sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke i ftuar të gjithë besimtarët ta dallojnë vullnetin e Zotit në jetën e tyre e ta jetojnë këtë vullnet. Pastaj, urimi për ta respektuar natyrën, në prag të Ditës për mbrojtjen e krijimit, që do të kremtohet nesër në Itali. RealAudioMP3

I frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, Papa nënvizoi posaçërisht çastin kur Jezusi e qorton Pjetrin, që nuk arrin ta pranojë një fund aq të përbuzshëm për Mjeshtrin, sepse Apostulli nuk mendon sipas Zotit, por sipas njerëzve, pa u kujtuar fare se është nën tundimin e shejtanit. Ndërsa Shën Pali Apostull, kujtoi Papa, u shkruan të krishterëve të Romës: “Mos ju përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e përtërijeni mendjen tuaj në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur”(Rom 12.2):
“Në të vërtetë ne të krishterët jetojmë në botë, të përfshirë plotësisht në realitetin shoqëror e kulturor të kohës sonë, e kjo është plotësisht e drejtë; por prej këndej lind rreziku që të bëhemi ‘njerëz të botës’, që kripa ta humbasë shijen, siç do të thoshte Jezusi, domethënë, që i krishteri të ligështohet, ta shkarkojë ngarkesën e së resë, që e ka në shpirt e që i vjen nga Zoti e nga Shpirti Shenjt”.
Përkundrazi, nëse forca e Ungjillit mbetet e gjallë, mund t’i shndërrojë gjykimet, vlerat, interesat, mendimet, modelet e jetës.
Prej këndej, është e nevojshme të përtërihemi vazhdimisht, duke thithur limfën e Ungjillit. Por, si mund ta bëjmë këtë, në jetën tonë? Posaçërisht, duke e lexuar e duke e medituar Ungjillin çdo ditë, që Fjala e Krishtit të jetë përherë e pranishme në jetën tonë:
“Mos harroni: do t’ju ndihmojë Ungjilli, nëse e mbani gjithnjë me vete. Një Ungjill i vogël, në çantë, në xhep, që ta lexoni gjatë ditës një pjesëz. Po gjithnjë me Ungjillin pranë, sepse ju sjell Fjalën e Jezusit, që mund ta lexoni e ta meditoni”.
Pastaj, duke marrë pjesë në meshë, vijoi të shpjegonte Françesku, posaçërisht në kremtimin e së dielës, ku takohemi me Zotin e me bashkësinë, dëgjojmë fjalën e Tij e marrim Eukaristinë, që na bashkon me Të e ndërmjet nesh. E pastaj, për risimin shpirtëror, kanë shumë rëndësi edhe ditët e ushtrimeve shpirtërore. Prej këndej: “Ungjilli, Eukaristia, Lutja”. Falë këtyre dhuratave të Zotit, mund t’i përshtatemi, jo botës, po Krishtit, e ta ndjekim në udhën e tij, udhë e humbjes së jetës, për ta rigjetur:
“E humbjes’, në kuptimin për ta dhuruar, për ta flijuar për dashuri e në dashuri. E kjo kërkon flijimin, kërkon kryqin, që ta rimarrim përsëri, të pastruar, të çliruar nga egoizmi e nga hipoteka e vdekjes, përplot me amshim”.

Pas lutjes mariane, Françesku kujtoi Ditën për mbrojtjen e krijimit:
“Uroj të fuqizohet angazhimi i të gjithëve, institucioneve, shoqatave e qytetarëve, që të mbrohen jeta e shëndeti i njerëzve, edhe duke respektuar ambientin e natyrën”.Një përshëndetje e posaçme, ndërmjet sa e sa të tjerave, ishte ajo, drejtuar pjesëmarrësve të shoqatës bamirëse “Scholas Occurentes”, së cilës do t’i dorëzohen fitimet e ndeshjes ndërfetare të futbollit për paqen, që do të luhet nesër në Stadiumin Olimpik të Romës, për të financuar projektin “Një alternativë për jetën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.