2014-08-31 10:02:44

Një e diel nga veprimtaria e Kishës katolike nëpër botë


Vatikan: Rifillon nesër Mesha e mëngjesit, kryesuar nga Papa Françesku, me pjesëmarrjen e besimtarëve. Si zakonisht, kremtimi do të vijojë të mbahet në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.
E po nesër fillon edhe vizita “ ad Limina” e ipeshkvijve të Kamerunit.

Një vit më parë kardinali Pietro Parolin emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, imzot Parolin, lindi në Schiavon, në provincën e Viçencës (Itali) më 17 janar 58 vjet më parë. 25 vjeç u shugurua meshtar e u emërua zëvendës-famullitar në bashkësinë kishtare të së Shenjtueshmes Trini, në Schio. Në vitin 1983 hyri në Akademinë Kishtare Papnore. Filloi, pastaj, shërbimin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, duke nisur nga nunciatura apostolike e Nigerisë e më pas, ajo e Meksikës. Pastaj u kthye në Romë ku, në vitin 2001, u emërua zëvendës-sekretar, i ngarkuar për Marrëdhëniet me Shtetet, duke iu kushtuar, në mënyrë të veçantë, marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë e Vendeve aziatike, posaçërisht,Vietnamit e Kinës. Dha një kontribut shumë të rëndësishëm në aderimin e Vatikanit në Traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore. Gjithnjë në këtë detyrë pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Parolin u njoh nga afër edhe me realitetin e Kishës ndër shqiptarë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e vende tjera, ku jetojnë pakica shqiptarësh.
Në vitin 2009 u emërua nunc apostolik në Venezuelë. Më 12 shtator 2009, Papa Benedikti XVI e shuguroi ipeshkëv, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Po këtu u krijua kardinal nga Papa Françesku, në Konçistorin e 22 shkurtit 2014.
Një vit më parë, duke marrë detyrën e rëndishme, pohoi:
“Jam mëse i vetëdijshëm se shërbimi është i rëndësishëm, kërkues e plot përgjegjësi. Por, dua të nënvizoj se është edhe apasionues, në këtë epokë të re për Kishën, përuruar nga papnia e Françeskut. Përparësi ka shndërrimi misionar i Kishës, në një Kishë që shkon mes njerëzve, siç thotë Papa, një Kishë në gjendje të përhershme misioni”.

Milano: U përkujtua sot dyvjetori i vdekjes së kardinalit Carlo Maria Martini, që ndërroi jetë më 31 gusht 2012.
Sot, në orën 17.30, në katedralen e Milanos, kryeipeshkvi i Qytetit veri-italian, kardinali Angelo Scola, kryesoi kremtimin eukaristik, duke kujtuar njëkohësisht dy përvjetore: 2-vjetorin e vdekjes së kardinalit Martini dhe 60-vjetorin e vdekjes së të Lumit kardinal, Ildefonso Schüster.

Në Kolumbi, Konferenca ipeshkvnore vendase organizoi sot një mbledhje kombëtare lëmoshësh. Nisma organizohet çdo vit, të dielën e fundit të gushtit, në kuadrin e fushatës: “Dona nobis” - “Bukën tonë të përditshme epnae neve sot”.

Angli: u kremtua, në Mbretërinë e Bashkuar, një Meshë për gjithë të persekutuarit për shkak të fesë në mbarë botën. Ftesa për këtë kremtim është e kapelanit ushtarak të Anglisë dhe Uellsit, imzot Richard Moth. Gjatë Meshës, sipas ndjetit të prelatit, u tha një lutje drejtuar Zotit për t’i mbrojtur të gjithë të persekutuarit e botës.

Poloni: nisi sot vizita triditore e kryetarit të Konferencës ipeshkvnore gjermane, kardinalit Reinhard Marx. Prelati i lartë do të ndalohet posaçërisht në Gliwice e në Varshavë, për kremtimet përkujtimore të 275-vjetorit të pushtimit të Polonisë nga trupat naziste, më 1 shtator 1939, me pasoja të tmerrshme për kombin. Kardinalin gjerman e shoqëron ipeshkvi i Gorlitz, imzot Wolfgang Ipolt.

Ishujt Mauritius: Nisi dje e do të vijojë deri më 6 shtator, Asambleja e 28-të e CEDOI(Konferencës ipeshkvnore të ishujve Mauritius, Riunione, Seyzhelles, Rodrigues e Comore).
Takimi me temë: “Roli i rregulltarëve në ungjillëzimin e ri në ishujt tanë, sot”, do të mbahet në ishullin e Riunionit.








All the contents on this site are copyrighted ©.