2014-08-29 15:37:21

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (8)


Mbetet më pak se një muaj nga vizita e Françeskut në Shqipëri. E ne vijojmë të shfletojmë intervistat e Papës dhënë mjeteve të ndryshme të komunikimit, për ta njohur më nga afër, me fjalët e tij.RealAudioMP3 Intervista, dhënë vatikanistes Franka Giansoldati, me pjesën e tretë të së cilës po ju njohim sot, u botua më 29. 06. 2014, në faqen e parë të gazetës romake ‘Il Messaggero”, me titull: “Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, pas takimit të Atit të Shenjtë me gazetaren. Vijon të vërë theksin mbi plagën e rrezikshme të korrupsionit; pastaj, mbi ndershmërinë në politikë, dekadencën morale, jo vetëm në politikë, por kryesisht në jetën financiare ose shoqërore në kapërcyell epokash, kur shtytjet drejt devijimit moral bëhen më të forta, mbi prostitutat e lypësit e mitur, në udhëkryqe, plagë, që e prek rëndë edhe kombin tonë….


Pyetjes “Sipas jush flitet kaq shumë për korrupsionin sepse mediat ngulmojnë tepër mbi këtë argument, apo sepse bëhet fjalë për një sëmundje endemike vërtet të rëndë?, Papa i përgjegjet:

“Jo, për fat të keq, nuk është punë mediash, por fenomen botëror. Shohim kryetarë shtetesh në burg, pikërisht për këtë. E kam pyetur shpesh veten e kam arritur në përfundim se shumë të këqija lulëzojnë posaçërisht gjatë ndërrimit të epokave. Bëhet fjalë për ndryshimin e kulturës; pikërisht në këtë fazë lindin probleme të tilla. Ndryshimi i epokës ushqen dekadencën morale, jo vetëm në politikë, por kryesisht në jetën financiare ose shoqërore”.

Edhe të krishterët, me sa duket nuk shkëlqejnë aq për dëshmi…

“Është mjedisi që e lehtëson korrupsionin. Nuk them se të gjithë janë të korruptuar, por mendoj se nuk është aspak e lehtë të mbetesh i ndershëm në politikë. Flas kështu për të gjitha vendet, jo vetëm për Italinë. Mendoj edhe raste të tjera. Nganjëherë ka njerëz që do të dëshironin t’i sqaronin gjërat, por pastaj hasin vështirësi, e duket sikur gllabërohen nga një fenomen endemik, me shumë nivele, transversal. Jo pse kjo është natyra e politikës, por pse në kapërcyell epokash shtytjet drejt devijimit moral bëhen më të forta”.

Ju ju tremb më shumë varfëria morale, apo ajo materiale e një qyteti?

“Më trembin që të dyja. Një të uritur, për shembull, edhe mund ta ndihmoj ta shuajë urinë, por po të ketë humbur punën, pa mundur ta rigjejë, njeriu ka të bëjë me një varfëri tjetër. Nuk ka më dinjitet. Ndoshta edhe mund të shkojë në Karitas e të kthehet në shtëpi me ndonjë pako ushqimesh, por kjo nuk e shpëton nga varfëria e rëndë, që e rrënon zemrën. Një ipeshkëv–ndihmës i Romës më tregoi se shumë njerëz shkojnë në mensë fshehurazi, me turp e pastaj e çojnë ushqimin në shtëpi. Ndjejnë si u sterroset dinjiteti, sepse jetojnë në gjendje të vazhdueshme poshtërimi”.

Nëpër rrugët konsullore të Romës shihen vajza, që nuk i kanë mbushur ende të katërmbëdhjetat. Shesin trupin, rrethuar nga indiferenca e përgjithshme, ndërsa në metro takon vazhdimisht fëmijë, që shtrijnë dorën për lëmoshë. Kisha është ende tharm? Si ipeshkëv, a ndjeheni i pafuqishëm përballë gjithë këtij zvetënimi?

“Më dhemb. Më dhemb shumë. Shfrytëzimi i fëmijëve më bën të vuaj. Edhe në Argjentinë është e njëjta gjë. Për disa nga punët e dorës shfrytëzohen fëmijët, sepse i kanë duart më të vogla. Po fëmijët shfrytëzohen edhe seksualisht, ndër hotele. Një herë, në Buenos Aires, më njoftuan se në një rrugë kishte prostituta 12 vjeçe. U informova mirë e vërtetova se ishte pikërisht kështu. E ndjeva veten tepër keq. Më dhembi. E më dhembi edhe më shumë, kur pashë sesi pranë tyre ndaleshin auto luksi, që i ngisnin pleqtë. Mund të ishin gjyshat e tyre. I ftonin vajzat e mitura në makinë e i paguaniun 15 pesos, që pastaj shpenzoheshin për të blerë mbeturina droge “pako”. Për mua këta njerëz, që sillen kështu me vajzat e vogla, janë pedofilë. Kjo ndodh edhe në Romë. Në Qytetin e Amshuar, që duhet të ishte fanar në botë, ndërsa është edhe pasqyrë e zvetënimit moral të shoqërisë. Mendoj se janë probleme që zgjidhen me një politikë të mirë shoqërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.