Që sot Pajtorja e Kubës mund të soditet në Kopshtet e Vatikanit. Është fjala për një
shtatore të Zojës së Dashurisë të Kobres, Pajtore e Kubës, dhuruar Benediktit XVI
nga ipeshkvijtë e kubanë, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’, në vitin 2008.
Pikërisht kjo Zojë u fronëzua sot në Kopshtet e Vatikanit. Kremtimin, nisur në
orën 09.00, e kryesoi kardinali kamerleng, Tarçizio Bertone, që e bekoi shtatoren,
në praninë e një përfaqësie të Governatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit,
të kryetarit të tij dhe të një delegacioni ipeshkvijsh kubanë. Ndërmjet tyre, kryeipeshkvi
i Santiagos së Kubës, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore (COCC), imzot Dionisio Garcías
Ibánez dhe disa prelatë të tjerë kubanë. Për t’u bashkuar shpirtërisht me festën,
shumë kisha kubane i ranë përnjëherësh këmbanave përfestshëm. Shtatorja është riprodhim
besnik i një vepre arti tjetër, realizuar në bronz, vendosur në fillim të viteve ’50
në një eremitazh të Baia di Nipe (dioqeza e Holguín). Eremitazhi u ndërtua në vendin
e gjetjes, më 1612, të figures së famshme të Zojës së Dashurisë, që sot besimtarët
kubanë e nderojnë në shenjtëroren e Kobres, qytet rreth 20 kilometra larg Havanës,
prej të cilit e merr edhe emrin. Shtatorja e Pajtores së Kubës do t’u shtohet 13 shtatoreve
të tjera të Zojës, kopje të famshme, ardhur këtu nga Italia e nga vende të tjera,
ndërmjet të cilave, edhe Zoja e Guadalupes e ajo e Lurdës.