2014-08-28 10:44:18

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Pali VI për Rregulltaren shqiptare (pjesa II).


Po vijojmë me pjesën e dytë të fjalës, mbajtur nga Pali VI në ceremoninë, gjatë së cilës i dorëzoi Nënë Terezës Çmimin Ndërkombëtar për Paqen “Gjoni XXIII”. Ishte ditë e mërkurë, data 6 janar 1971.

“E kështu, ftohemi për një aspekt tjetër reflektimi, sa ngushëllues, aq paradoksal, në përkim me ligjet, që udhëheqin ekonominë e së mirës. Po flisnim për Ligjin e përvujtërisë, e po zbulojmë një tjetër; e mira përhapet. E edhe e keqja, për fat të zi. Sa i fortë është ndikimi i saj, sa ngjitës, sa i rëndë, e sa i mjerë kush e ka në shpirt (Cfr Mt 18,7). Por kështu është edhe e mira. Na e thotë vetë vepra e Nënë Terezës. Edhe një herë u zbuluan energjitë e pashterrshme të së mirës, rezervat e zemrës njerëzore, të cilat përhapen e bëhen vepruese kur leva e flijimit të vetvetes, leva e guximit, me ndihmën e Zotit, i bën të shpërthejnë e të shndërrohen në vepra të prekshme. E ja edhe një ligj i ri i kësaj ekonomie të mrekullueshme të së mirës: pikërisht në çastin e procesit të saj dinamik e të mungesës, në disa raste, të plotë, të mjeteve të domosdoshme për ta bërë të mirën, këto mjete gjinden vetvetiu: varfëria bëhet burim pasurie, zbraztësia e saj mbushet, mundimshëm, po, por mrekullisht; historia e veprave të bamirësisë e dokumenton këtë ligj. Lojë e Provanisë e fenomen i mirësisë njerëzore, që për t’u shprehur, shpesh herë ka nevojë për mungesat e tjetrit e nxitjen e atij, që ka gjeninë e së mirës, karizmën e bamirësisë.
Nga këto vërejtje, lindin të tjera. Kjo, për shembull: kur një vepër bamirësie nis të matet me nevojat, të cilat i përmbush, e zbulon përmasat e frikshme të këtyre nevojave, që më përpara besonte se mund të plotësoheshin, se ishin më pak të tmerrshme e më të lehta për t’u mbartur me nënshtrim të plotë. Atëherë, në vend të gëzimit nga rezultatet e para pozitive, shtypet nën peshën e papërfytyrueshme të së keqes, që deshi ta përballojë, e kështu shkon përpara me frikën e dorëzimit përballë ligësisë e me ankthin e kufizimeve vetjake; vuan e vijon të ecë nën barrën e vuajtjes, vuajtje, që bëhet bashkim; bëhet, në kuptimin etimologjik, dhimbsuri; e pikërisht kjo, në vend që t’i shterojë forcat, paradoks tjetër i bamirësisë, i ringjall e i bën gjithnjë më cilësore. E atëherë vepra bamirëse fiton një vlerë, që shkon përtej meritës së ushtrimit të saj konkret; bëhet, së pari, dëshmi, dëshmi e dyfishtë, që ngre me forcë zërin për t’i kujtuar botës nevojat e njerëzimit, të lëna në heshtje, të harruara, të gjykuara si të pashërueshme, për t’i treguar opinionit publik ekzistencën e një problemi të hapur e përvëlues; së dyti, bëhet predikim i heshtur, që nuk tregon vetëm nevojat, por edhe mundësitë për t’i përmbushur. Është e mrekullueshme; del në pah elementi i ri, motivi mbinjerëzor, që e bën të lehtë gjithë këtë guxim, motivi mistik, motivi engjëllor, ai, që e shndërron fytyrën e të varfrit të uritur, të foshnjës së mekur, të lebrozit të neveritshëm, të kriminelit të tmerrshëm, të njeriut në të shuar, në fytyrën misterioze të Krishtit: e një lloj joshjeje shpirtëore e magjeps Motrën, Vëllain, që i kushtohet krejtësisht bamirësisë, sepse tashmë dashuria e krishterë bëhet arsye kryesore e të jetuarit, i thith të gjitha të tjerat, edhe ndjenjat më të denja njerëzore, që e shtynë dhe e larton gjithçka, me prirjen për të arritur deri në lartësi heroike.
Edhe një herë në historinë e Kishës e në progresin e shoqërisë, Ungjilli përmbushet e kremtohet e rindez në zemrat e njerëzve gëzimin e së mirës, shpresën e jetës ideale, të vërtetën e shndritshme të Ireneut “Lumnia e Zotit, është njeriu i gjallë!”.
E gjithë kjo, sipas nesh, fiton një vlerë të madhe në kuadrin modern të botës që rritet, duam të themi, në përpjekjen e sinqertë, që po bën njerëzimi i sotëm me denoncimin e vetvetes, duke folur për nevojat e pamasa të shoqërisë moderne, me shtrirje botërore: padijen, urinë, sëmundjet, punën, zvetënimin e rreziqet, që kërcënojnë vetë fitoret e saj. Na duhen, sot, më shumë se kurrë, kur vetëdija universale po zgjohet, energjitë e pakufishme të njeriut për njeriun, energji që ndërmarrje bujare e të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare po i vënë në jetë, ndërsa vetë këto ndërmarrje kanë nevojë që ideali njerëzor të mos zbehet e të mos humbasë, por të ketë gjithnjë më shumë dëshmitarë të vlerës së tij tejet të lartë.
Tani Gruaja, që ne po e nderojmë me këtë Çmim, është pikërisht dëshmi e kësaj vlere të lartë; njeriu, shembëllim i Hyjit, gjymtyrë e Krishtit, pasqyrë e atij, që e kundron e zbulon në të vetveten, zbulon vëllain. Nëna e përvuajtur Terezë, në figurën e së cilës dëshirojmë të shikojmë mijëra e mijëra njerëz të kushtuar- full time- shërbimit të më nevojtarëve, bëhet shembull e simbol i këtij zbulimi, në të cilin fshihet sekreti i paqes në botë, në kërkim të së cilës jemi të gjithë; zbulimi, gjithnjë aktual, se çdo njeri është vëllai ynë!
Vëllazërimi e paqja janë ontologjikisht sinonime. Njëri e tjetra kanë një rrënjë të përbashkët, për ne krejt të qartë, që na paraqitet sot si misionare e dashurisë së krishterë, si apostulle e vëllazërisë e kasnece e paqes. Ja, pra, pse po ia japim Çmimin për paqen, shoqëruar me bekimin tonë për të gjithë ata, që bashkëpunojnë në veprën e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.