2014-08-27 14:09:13

OKB-ja denoncon tmerret e xhihadistëve dhe të regjimit në Siri


Komisioni hetimor i OKB-së për Sirinë publikoi sot në Gjenevë një raport shokues mbi dhunimin e të drejtave të njeriut në këtë vend, 3 vjet e gjysëm pas fillimit të luftës. Ekzekutime publike, prerje koke, gjymtime, rrahje me kamxhik: kjo ndodh çdo të premte në rajonet siriane të kontrolluara nga xhihadistët e Shtetit Islamik. Civilët, përfshirë fëmijët, detyrohet të asistojnë në këto dënime të tmerrshme. Trupat pa jetë lihen rrugëve ditë me radhë për të terrorizuar popullsinë.
Në 45 faqet e raportit përshkruhet prerja e kokës së të rinjve 15 vjeçarë; rrahja me kamxhik e njerëzve që kanë pirë duhan, ose që shoqërohen nga ndonjë grua e paveshur si duhet; fshikullimi i grave që ecin rrugës me fytyrë të zbuluar… Ekstremistët marrin fëmijë 10-vjeçarë për t’i përdorur në luftë si kamikaze. Por OKB-ja akuzon edhe autoritetet siriane, të cilat kanë përdorur armë kimike në prillin e kaluar. Në tetë raste, në fshatrat e veriut, helikopterë qeveritarë kanë hedhur mbi popullsinë fuçi me klor.
Në raport, Kombet e Bashkuara i kërkojnë me forcë vendeve anëtare të vendoset një embargo për armët, që u mbërrijnë të dyja palëve e përdoren vetëm për të shtuar numrin e krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit e për të dhunuar të drejtat e njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.