2014-08-27 18:33:54

Bhati takohet me Françeskun: të krishterët e persektuar e ndjejnë afërsinë tuaj


Prekës, sot, një nga çastet e fundit të audiencës së përgjithshme. Papa Françesku priti ish-ministrin e krishterë pakistanez, Paul Bhati dhe nënën e tij. Menjëherë pas këtij takimi Paul Bhati, i cili tri vjet më parë humbi të vëllain, Shahbaz Bhati, vrarë nga integralistët islamikë, i dha Radio Vatikanit këtë dëshmi:

Përgjigje: - Për mua ishte emocion i madh, jo aq pse pashë Atin e Shenjtë – të cilin e kam parë edhe herë të tjera - sa për arsye se e pashë së bashku me nënën time. Ishte e saja, dëshira për ta takuar e për të shkëmbyer disa mendime. Mendimi i parë ishte se ajo lutet për Françeskun, që po bën një punë kaq të mirë për mbarë të krishterët e botës e, posaçërisht, për të krishterët që persekutohen në këto çaste, sidomos në Irak e në Pakistan. Ajo ndau me të këtë ndjenjë, duke më kërkuar t’ia përkthej saktësisht Atit të Shenjtë. E unë i thashë Françeskut se nëna ime lutet për të dhe e fton në Pakistan, pavarësisht se situata e të krishterëve tek ne është e vështirë. Po ajo ngulmoi, edhe pse është diçka tejet e ndërlikuar. Të krishterët janë bijtë e tij e nëna ime mendon se një atë duhet të kujtohet për ta pikërisht kur kalojnë çaste të vështira. Pashë se Ati i Shenjtë u prek thellë, aq sa nuk gjente fjalë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese. Në vend të fjalëve, e përqafoi nënën time, i shtrëngoi dorën e më tha se është pranë nesh e lutet për ne.

Pyetje: - Cilat janë fjalët e Papës Françesku, që ju prekën më shumë lidhur me persekutimin e të krishterëve në viset tuaja, duke menduar edhe për vëllain tuaj?

Përgjigje: - Më shumë se fjalët, më preku shprehja e fytyrës. Kur i flisja, për një çast mbylli sytë, i shtrëngoi dorën mëmës dhe e përqafoi. E kjo vlente më shumë se çdo fjalim. Pastaj i tha: “Jam me ju! Zoti ju bekoftë!”. E pashë se ishte tejet i emocionuar. E njoh Papën, e kjo që na përçoi në heshtje, ishte shprehje e një dashurie të madhe. Pastaj tha qartë: “Lutem për ju, jam me ju e për çka mund të bëj, jam gjithnjë i gatshëm”.

Pyetje: - Lidhur me të krishterët e persekutuar, ju natyrisht e njihni mirë situatën në Pakistan, e jo vetëm, sepse kujtuat këtu, edhe Irakun. Sa e rëndësishme është kjo afërsi e Papës, që shprehet në njëmijë mënyra, posaçërisht me lutje, siç e kujtuat edhe ju?

Përgjigje: - Po unë besoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse janë të persektuar pikërisht për fenë e tyre. E feja na lidh të gjithëve, na bashkon. Kisha Nënë është një e vetme e Papa Françesku, forca më e lartë, prej këndej afërsia e tij, dashuria e lutja, na japin zemër të gjithëve. E kjo, sepse ne jetojmë për fenë tonë, e prandaj edhe shumë nga ne janë gati të jetojnë e të vdesin për këtë fe. Prej këndej, ta ndjesh këtë afërsi, këtë siguri, është një çast tejet ngushëllues.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni posaçërisht për të krishterët e shumtë, që vuajnë në Pakistan - e mendimi ynë shkon menjëherë nga Asia Bibi, tek të tjerët - në pranga për shkak të fesë.

Përgjigje: - Ne nuk mund t’i harrojmë ata, që vuajnë për shkak të fesë së tyre, si Asia Bibin, ashtu edhe të tjerët. Njëkohësisht dëshirojmë që Zoti të na ndihmojë të sjellim paqen e bashkëjetesën ndërmjet nesh e feve të tjera. Nuk mund t’i harrojmë edhe figurat e një feje tjetër, asaj myslimane, si Salmaan Taser, që bëri shumë për të krishterët, duke e ditur mirë se ishte i kërcënuar me vdekje për mbrojtjen e Asia Bibit. E megjithatë, pranoi ta mbronte. Edhe këto figura duhen kujtuar doemos. E duhet kujtuar edhe shpresa se në një të nesërme, duke mbajtur fetë, që kemi, do të mund të sjellim paqen e bashkëjetesën paqësore në botë.

Pyetje: - Edhe për të nënvizuar se kjo, që shikojmë për ditë, nuk është ndeshje ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, luftë ndërmjet fesh. Kujtojmë, këtë çast edhe Gjon Palin II që, gjatë e pas Luftës II të Gjirit, tërhoqi vëmendjen që të mos përsëritej ky rrezik, ky tundim….

Përgjigje: - Po, pikërisht kështu, e ne besojmë në këtë e kemi shpresën e mirë se në botë ka shumë njerëz të ndjeshëm, edhe të fesë myslimane, që besojnë në dinjitetin e njeriut, në paqen, në dashurinë. Kjo na mbush me shpresë se në një të nesërme do të mund të kapërcehen gjithë këto pengesa, që krijohen nga diskriminimi, përçarjet e, siç e tha sot edhe Papa, janë në kundërshtim të plotë me dialogun, ndajnë, shndërrohen në urrejtje ndërmjet feve të ndryshme e ndërmjet njerëzve, edhe ndërmjet vetë të krishterëve.

Pyetje: - Besojmë se nga ky takim ju merrni zemër e forcë të re për impenjimin tuaj ndërmjet të krishterëve, por edhe ndërmjet feve të tjera, ndërmjet pakicave…

Përgjigje: - Sigurisht. Do të thosha, para së gjithash, se gjej forcë për vetveten e edhe për njerëzit që kam për rreth. E kujtoj përsëri atë, që ndodhi dy vjet më parë, kur fola para Atit të Shenjtë në Ditën e lëvizjeve: atë çast ndjeva pranë afërsinë e gjithë popullit italian, gjë që ma shprehu me duartrokitjet e pareshtura, kur dhashë dëshminë time e fola për tim vëlla, në Pakistan: ishte një çast i madh, e sot e rijetova përsëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.