Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell
“Ndërmjet dy ditëlindjeve” (Shkup, 26. 08. 1910- Kalkutë, 5 shtator 1997) i
titulluam këto emisione, në kujtim të Nënë Terezës, bazuar në shkrimet më të njohura,
që i kushtohen. “Ndërmjet dy datave më të rëndësishme të jetës”: të lindjes e të vdekjes,
që për ne, të krishterët, është lindja e dytë, e vërteta, përfundimtarja. Ne besojmë
se korpi ynë duhet të jetë fara që, përmes vdekjes, do të shndërrohet në korp të përkryer.
Korp krejtësisht i ri, por gjithnjë yni, madje shumë më i shkrirë me shpirtin, sesa
korpi tokësor. Ne shpresojmë, jo sepse i përfytyrojmë sendet e ardhshme, por
sepse besojmë në Zotin, që dëshiron ta shëlbojë njeriun me korp e me shpirt. Ky vullnet
i Zotit na u zbulua në ngjalljen e Krishtit. Prej këndej, vetë Jezusi, thotë: “Unë
jam Ringjallja dhe Jeta” (Gjn 11,25). Me këtë sy i shikojmë datat më të rëndësishme
të jetës së Nënë Terezës: datën e lindjes për tokë e të lindjes për qiell. Po rregulltarja
e bamirësisë ka edhe një datë të tretë, që duhet kujtuar. 11 vjet më parë, më
19 tetor 2003, gjatë një kremtimi madhështor kryesuar nga Papa Gjon Pali II në Bazilikën
e Shën Pjetrit, shpallej e Lume. Ishte e para grua shqiptare e ngritur në nderimin
më të lartë, atë të elterit, duke e lartuar kështu edhe Shqipërinë, bijë e së cilës
ishte dhe popullin shqiptar, gjakun e të cilit kishte ndër rrema. Po e kujtojmë
me disa radhë, që i kushton e përjavshmja “Miracoli” – “Mrekulli”, numri i parë i
së cilës doli me rastin e vizitës së Zojës së Fatimës tek Papa e iu shpërnda falas
qindra mijëra besimtarëve nga të katër anët e botës, mbledhur rreth Zojës së Mrekullueshme,
si atë ditë të 19 nëntorit, kur mbarë bota i kishte sytë tek portreti i Nënë Terezës,
gjithnjë me buzë në gaz, në fasadën e Bazilikës së Popujve, simbol i paqes, i përkushtimit,
i vëllazërisë. Asaj, si Samaritanit të mirë, iu besua misioni të shpallë dashurinë
e pafundme të Jezusit për njerëzit, për çdo njeri. Shpirt i mbushur me dritën e Krishtit,
e përflakur nga dashuria për Të, kishte një dëshirë të vetme: “Të shuante etjen e
dashurisë së Zotit për shpirtrat”. Është një nga jetëshkrimet e thjeshta të
së Lumes Terezë.
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje
thellësisht fetare, ku mbretëronte dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane
Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Ganxhe Anjeze. E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë
në ngarkim pas vdekjes së t' et, kishte një karakter të ëmbël, por të vendosur, që
ndikoi shumë mbi personalitetin dhe orientimin e ardhshëm të Nënë Terezës. Më 1928,
në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për t’u bërë misionare, e la shtëpinë për të shkuar
në Institutin e Zojës së Bekuar, i njohur si Motrat e Loretos, në Irlandë. Mori emrin
motër Mari Tereza. Në dhjetor u nis për në Indi. Arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Motër
Tereza bëri kushtet e para rregulltare në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24
maj 1937. U bë Vasha e Jezusit për amshim. Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë Tereza.
Pas kushteve të para, dha mësim në Shkollën e Shën Marisë në Entali të Kalkutës dhe,
më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte e njohur për bamirësi, altruizëm, guxim,
aftësi për punë të rënda, talent natyror në organizim dhe gëzim e besnikëri ndaj jetës
rregulltare. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta në Darjeling
për ushtrimet shpirtërore të përvitshme, Nënë Tereza mori nga Zoti atë, që u quajt
“frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”: “Kam etje! Kam etje!”- dëgjonte zërin e Krishtit
që i fliste. Që nga ajo ditë, etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë
në zemrën e saj. Dëshira për ta shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më
të varfërve ndër të varfër, u bë forca tërheqëse e jetës. Pasi mori lejet e nevojshme,
më 17 gusht 1948, e la kuvendin e Loretos, veshi sarin e grave të varfra indiane dhe
hyri në botën e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset e dikurshme të shkollës së
Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve të Bamirësisë u vendos zyrtarisht
në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër, Nënë Tereza hapi shkollat
e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore në shumë vende të qytetit. Dekreti
i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën ta zgjerojë misionin për
të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin vazhdimisht. Me qëllim
që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza
themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë, më 1963; më 1976 degën kundruese të motrave,
më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984 Etërit Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë
me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë për të Sëmurët dhe të Vuajturit,
Misionarë laikë të Bamirësisë. Më 1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët. Në
vitin 1997, Motrat e Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në
610 degë në 123 vende të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur
si Eprore të Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë. Më 5 shtator, jeta tokësore
e Nënë Terezës mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Atit”. U lind për qiell. Varri
i saj në Shtëpinë Mëmë shpejt u bë vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha
fetë, për të varfër e të pasur. Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia,
ashtu edhe nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Çështjet e Shenjtorërve lejoi
fillimin e Çështjes së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën
e Kalkutës, në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori
1999 deri më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës
u miratua nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002. Bijat e bijtë e saj shpirtëror
vijojnë punën në jetimore, strehë për të gërbulurit, për pleqtë, vajzat-nëna, njerëzit
në fill të mortjes. 5000 shtëpi të Kongregatës, themeluar nga e Lumja shqiptare, hapin
portat ditë-natë për çdo njeri, që troket në ta, në sa dega mashkullore kryen të njëjtin
shërbim në 600 shtëpi, përhapur në të katër anët e botës. Pa folur, këtu, për mijëra
vullnetarë e laikë të përkushtuar, që çojnë përpara veprën e kësaj Gruaje, me ndërmjetësimin
e së cilës u bënë shumë mrekulli, duke nisur nga shërimi i hinduistes Monika Besra,
që i hapi rrugën e lumnimit. Grua sa e vogël, aq e madhe, ndikoi fuqimisht mbi
fatin e mijëra njerëzve, në të katër anët e botës, duke ecur mbi gjurmët e Jezusit.
Kjo ishte Nënë Tereza që, do ta kujtojmë këto ditë, ndërmjet dy lindjeve, asaj
për tokë, për tokën shqiptare, e asaj për qiell, duke shfletuar disa nga shkrimet
më të njohura, kushtuar asaj e misionit, që e bëri Anjezën Bojaxhiu, e Lumja, e nesër,
shpresojmë edhe Shën Tereza e Kalkutës.