Patriarku Sako: të krishterët irakianë vazhdojnë të vdesin
“Shkova për vizitë në kampet e refugjatëve në Erbil e Dohok e ajo që pashë e dëgjova
ia kalon edhe imagjinatës më të skajshme!”. Këto janë fjalët e Patriarkut kaldeas
Louis Raphael I Sako, në një thirrje botuar nga agjencia AsiaNews, me të cilën kujton
se akoma nuk janë gjetur zgjidhje konkrete për krizën, ndërsa vazhdon pa pushim fluksi
i parave, armëve e mercenarëve për Shtetin Islamik. Të krishterët, denoncon Patriarku,
janë goditur në zemrën e jetës së tyre, janë zhveshur nga çdo pasuri e madje, edhe
nga dokumentet. Jemi përpara një fushate, që synon zhdukjen e të krishterëve
dhe të pakicave të tjera në Irak e bota, akoma nuk e ka kuptuar rëndësinë e saj. Sipas
Patriarkut, ka filluar faza e dytë e operacionit: emigracioni i familjeve të krishtera
në anë të ndryshme të botës, duke zhdukur kështu historinë, trashëgiminë dhe indentitetin
e këtij populli. Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Irakiane shpjegon se fenomeni i emigracionit
ka të bëjë jo vetëm me të krishterët, por edhe me myslimanët, të cilët po humbasin
një përmasë të pazëvendësueshme të shoqërisë. Ai e ngre zërin kundër bashkësisë ndërkombëtare,
sidomos kundër SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, të cilët, pavarësisht se e kuptojnë
nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë, nuk marrin masa konkrete për ta gjetur. Imzot
Sako nuk i kursen kritikat edhe për bashkësinë myslimane, deklaratat e dobëta të së
cilës për “barbaritë” e xhihadistëve, në emër të fesë islamike, nuk arritën të garantojnë
respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të të krishterëve. “Fundamentalizmi fetar –
paralajmëron Patriarku – vazhdon të rritet në forcë e pushtet, duke shkaktuar tragjedi,
ndërsa ne të krishterët pyesim veten me çudi pse krerët dhe intelektualët myslimanë
nuk e kuptojnë sa i rëndë është problemi”. Në Irak duhet promovuar një kulturë takimi
e respekti, para së cilës, të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta, shton
imzot Sako. Heshtja e pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare, denoncon akoma Patriarku
kaldeas, do t’i inkurajojnë xhihadistët të shkaktojnë tragjedi të tjera. Ai i bën
thirrje Kishës në mbarë botën të bashkohet me të krishterët irakianë jo vetëm me deklarata
të vazhdueshme, por me një prani si ajo e të dërguarit të Papës Françesku, apo si
prania e Patriarkëve. Burime për Patriarkatin kaldeas flasin për një persekutim
në vijim të xhihadistëve kundër civilëve irakianë. Në Baghdida, një nga qytetet e
Rrafshit të Ninives, elementë të Shtetit Islamik kanë marrë peng një vajzë, që sapo
i ka mbushur tre vjetët dhe e kanë detyruar familjen të largohet nga shtëpia. Burime
të krishtera nga qyteti Bashiqa, në veri të Mosulit, tregojnë se janë gjetur kufomat
e dy të krishterëve, babë e bir shurdhmemecë, vdekur nga uria brenda shtëpisë së tyre,
vetëm se nuk kanë dashur të largohen nga qyteti, prej tri javësh, në duart e xhihadistëve.
E këto, madje, nuk janë rastet më ekstreme.