2014-08-22 17:13:01

Teologjia e Kryqit, në qendër të takimit të Ratzinger Schülerkreis


Filloi sot, në Kastel Gandolfo, takimi tradicional i asaj, që njihet me emrin Schülerkreis, rrethi i ish-nxënësve të Benediktit XVI. Tema e sivjetme është “Teologjia e Kryqit”. Do të flasë për të, teologu gjerman Karl-Heinz Menke. Këtë takim e përshkruan, në mikrofonin tonë, ati salvadorian, Stephan Horn, kryetar e Shoqatës të ish-nxënësve të Benediktit XVI:

Përgjigje: - Herr Professor Menke wird zwei Vorträge halten; der erste Vortrag ist …
Profesor Menke do të mbajë dy referate: të parin do t’ia kushtojë kuptimit të Kryqit të Krishtit. Profesor Menke do ta lexojë Kryqin e Krishtit si vetëzbulim të Hyjit trinitar. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se në ngjarjen e zbulesës, Kryqi zë një vend qëndror: kjo do të thotë se Kryqi, në një farë mënyre, fiksohet brenda misionit të Krishtit. Tema e dytë është përgjigje e pyetjes: “Ç’kuptim ka Kryqi për njerëzit e të gjitha kohëve, pra, jo vetëm për të krishterët, por, parë si shenjë shëlbimi për të gjithë njerëzit”. Benedikti XVI, në librin e tij kushtuar Jezusit, pati vënë një theks të ndryshëm. Në qendër të vëmendjes pati vënë pyetjen mbi pendesën: si mund të kuptohet vdekja e Jezusit, si pendesë. Duke e ndriçuar me një dritë të re këtë koncept. Nuk bëhet fjalë këtu për faktin se njeriu dëshiron të pajtohet me Hyjin e, prej këndej, edhe të bëjë pendesë të vetvetishme për Zotin; por është vetë Hyji ai, që bëri pendesë në Birin e vet, për të na dhuruar pajtimin. Kjo, natyrisht, të krijon një vizion krejt pozitiv të Kryqit, duke na kujtuar se Hyji Atë, përmes dashurisë së Birit, dëshiron të pajtohet me njerëzit.
Tema e dytë ka të bëjë me ne të gjithë. Natyrisht ne, të krishterët, e dimë se mbi Kryqin e Krishtit takojmë dashurinë e Hyjit. Po të tjerët? Si mund të takohen me Kryqin e Krishtit? E të takohen, në mënyrë që të bëhet për ta mundësi shëlbimi, pa i shkuar as nëpër mend të largohen prej Tij? Janë pyetje themelore, që kanë të bëjnë me të krishterin.

Pyetje: - Benedikti XVI, për herë të dytë, nuk do të marrë pjesë në diskutimin teologjik të ish-nxënësve të tij. Do t’i vijë keq?

Përgjigje: - Ich kann natürlich nicht in das Herz des Papstes sehen, aber auf der einen …
Natyrisht, unë nuk mund të shikoj në zemër të Papës. Por mendoj se nga njëra anë, do t’i pëlqente shumë të ishte i pranishëm, por nga ana tjetër, ka marrë vendimin të kalojë jetë kundruese e tani dëshiron të mbetet i lidhur me ne në një mënyrë të re. Në dashtë Zoti, do të mund ta kremtojë Meshën me ne të gjithë edhe për shumë vjet: pa harruar se kur organizojmë ndonjë tubim e njoftojmë për gjithçka e ai lutet për ne, na jep zemër e gëzohet, kur na shikon sërisht bashkë.









All the contents on this site are copyrighted ©.