2014-08-22 12:28:14

Ngushëllimet e Atit të Shenjtë për Familjen e James Foley-t


Mbrëmjen e djeshme Papa Françesku mori në telefon prindërit e gazetarit amerikan James Foley, të cilin forcat e Shtetit Islamik e vranë barbarisht në Irak, për t’ u shprehur dhimbjen e afërsinë e tij në këto çaste zie.
Për telefonatën e Atit të Shenjtë foli sot Atë Ciro Benedettini, zëvëndësdrejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit:

“Papa i mori në telefon mbrëmë pas darke, pak pas orës 20.00. Natyrisht, folën në anglisht, me një ndërprerje të shkurtër në spanjisht. Ati i Shenjtë deshi t’i shfaqte afërsinë familjes së goditur nga dhimbja. Në fillim foli me nënën, e cila është katolike dhe dëshmoi fe të gjallë, gjë që i bëri përshtypje edhe Atit të Shenjtë. Pastaj foli me të atin dhe me një anëtar të familjes, që fliste spanjisht. Sigurisht, të gjithë, si Ati i Shenjtë, ashtu edhe familjarët, uruan që këto ngjarje tragjike të mos përsëriten kurrë më”.

Jezuiti amerikan James Martin njoftoi se prindërit e Foley-t, që jetojnë në Richmond, New Hampshire, i ka prekur shumë interesimi i Papës, të cilit i janë mirënjohës. James Foley, i vrarë në moshën 40 vjeçare, ishte katolik dhe kishte studiuar në “Marquette University”, të cilin e drejtojnë jezuitët e shtetit të Wisconsin-it. James i kishte ruajtur lidhjet me jezuitët dhe i njoftonte vazhdimisht për zhvendosjet e tij nëpër zonat e luftës dhe të misioneve humanitare ku merrte pjesë, si dhe u kërkonte ta shoqëronin me lutje. Ai vetë pati rrëfyer, në një letër, se gjatë muajve të burgut në Libi e Siri, ku e kishin rrëmbyer më 2012, pati shpëtuar falë lutjes së rruzares.
Nëna e Foley-t ka pohuar se është krenare për të birin, për guximin që pati, duke flijuar jetën për t’i treguar botës vuajtjen e popujve të shtypur. Ajo u bëri thirrje sekuestruesve të kursejnë jetën e pengjeve të tjera.
Universiteti i jezuitëve ka organizuar një ceremoni fetare përkujtimore, që do të mbahet më 26 gusht, nuk kujtim të ish-studentit.








All the contents on this site are copyrighted ©.