2014-08-22 14:49:22

Mitingu i Riminit, nga 24 deri më 30 gusht


Fillon të dielën e do të përfundojë më 30 gusht, edicioni i 35-të i Takimit të Miqësisë ndërmjet Popujve në Rimini të Italisë. Tema e sivjetme është “Drejt periferive të botës e të jetës. Fati nuk e ka lënë të vetëm njeriun”. Është i qartë frymëzimi nga ftesa, që Papa Françesku u drejton herë pas here të krishterëve, për ta takuar njeriun kudo, në çdo ambient, për të gjetur perspektiva të reja pozitive për shqetësimet e krizat e botës së sotme: nga drama e bashkësive të krishtera të persekutuara në vende të ndryshme; në pasigurinë e ekonomisë së globalizuar, kërcënuar nga spekullimet e reja financiare; në emigrimin e popujve të tërë, që ikin nga lufta, shtypja e varfëria; në papunësinë e miliona të rinjve.
Punimet e Mitingut të Riminit do të përurohen me meshën e kremtuar nga ipeshkvi i vendit, imzot Francesco Lambiasi. Më pas, një tryezë e rrumbullakët për dialogun e paqen nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa e nga drejtoresha e Rainews24, Monica Maggioni. Shfaqja e parë artistike e Takimit do të jetë homazh për filmin “La strada” (Rruga) e regjizorit të njohur italian Federico Felini, me rastin e 60-vjetorit të filmit.
I pasur, programi i javës, me rreth njëqind konferenca, 14 ekspozita, 17 shfaqje artistike dhe 10 manifestime sportive. Si çdo vit, edhe kësaj here do të marrin pjesë eksponentë fetarë e politikë, afaristë, gazetarë e akademikë. Ndër ta, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomasi; ipeshkvi-ndihmës i Patriarkatit të Babilonisë së Kaldejve, imzot Shlemon Varduni; presidenti i Universitetit islamik Al Azhar, Usamah Elabed e shumë të tjerë.
Ndër nismat, Mitingu i Riminit do t’i kushtojë Sirisë së lashtë ekspozitën “Nga thellësitë e kohës: zanafilla e komunikimit dhe e bashkësisë”. Risia e këtij viti është Arena Ndërkombëtare, vënë në dispozicion nga Hekurudhat Shtetërore të Italisë, në të cilën më 25, 26, 27 e 28 gusht do të japin shfaqje artistë nga Afrika, nga Lindja e Largët, nga Evropa Lindore e nga periferitë italiane. Të pranishëm në Miting janë edhe shqiptarët, një grup prej të cilëve banojnë në Itali e janë anëtarë të Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, organizatore e Takimit të Miqësisë ndërmjet Popujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.