Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (8)
Gushti shkëput nga kalendari fletën e 22-të. Mbetet më pak se një muaj nga vizita
e Papës Françesku në Shqipëri. E ne vijojmë të shfletojmë intervistat e Papës dhënë
mjeteve të ndryshme të komunikimit, për ta njohur më nga afër, me fjalët e tij. Nisëm
nga “La Vanguardia”, për të vijuar, të premten e kaluar, me intervistën e Papës dhënë,
vatikanistesFranka Giansoldati.Kjo intervistë, me pjesën e dytë të së cilës
po ju njohim sot, u botua më 29. 06. 2014,në faqen e parë të gazetës romake
‘Il Messaggero”, me titull: “Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, pas takimit
të Atit të Shenjtë me gazetaren. Pjesa 2-të, 29 gusht
Pse Ju,
që në fillim, deshët ta nënvizoni fort rolin e Ipeshkvit të Romës?
“Shërbimi
i parë i Françeskut është ky: të bëjë ipeshkvin e Romës. Të gjithë titujt: Papë, Bari
universal, Mëkëmbës i Krishtit etj etj, i ka pikërisht sepse është Ipeshkëv i Romës.
Gjëja e parë, kjo! Pasojë e parisë së Pjetrit. Nëse nesër Papa do të dëshironte të
bënte ipeshkvin e Tivolit, është e qartë se do t’i tregonin derën”.
Dyzet
vjet më parë, nën papninë e Palit VI, Vikariati organizoi një takim kushtuar të këqijave
të Romës. Qytet ku, si asokohe, ashtu edhe sot, kush ka më shumë, zgjedh më të mirën,
duke i lënë, si zakonisht, më të keqen, atij që ka më pak. Sot, sipas Jush, cilat
janë të këqijat e këtij qyteti?
“Janë ato të metropoleve, si Buénos Ájres.
Njëri vijon të pasurohet, tjetri të varfërohet gjithnjë më shumë. Nuk kam dijeni për
takimin mbi të këqijat e Romës. Janë çështje ngushtësisht romake, e unë aso kohe isha
38 vjeç. Jam Papa i parë që nuk ka marrë pjesë në Koncil e edhe i pari, që studioi
teologjinë e pas Koncilit e, asokohe, për ne, drita e madhe ishte Pali VI. Sipas meje,
Evangelii Nuntiandi mbetet dokument i pakalueshëm.
A ekziston hjerarkia
e vlerave, që duhet respektuar në qeverisjen e pasurivë publike?
“Natyrisht.
Pasuria e përbashkët duhet ruajtur gjithnjë. E këtë duhet ta bëjë çdo politikan. Koncept
i gjerë, ky, që përfshin, për shembull, edhe mbrojtjen e jetës njerëzore, të dinjitetit
të saj. Pali VI pati marrë guximin të thotë se misioni i politikës është një nga format
më të larta të bamirësisë. Sot problemi i politikës, nuk flas vetëm për Italinë, por
për të gjitha vendet, është zhvlerësimi i saj. Poltika është rrënuar nga korrupsioni,
nga fenomeni i ryshfeteve, i bakshisheve. Më vjen në mendje një dokument i botuar
nga ipeshkvijtë francezë 15 vjet më parë. Ishte një letër baritore, që titullohej:
“Të rehabilitohet politika”. Përballonte pikërisht këtë argument. Nuk do të kishte
korrupsion, pa zemra të korruptuara. I korruptuari nuk ka miq, ka vetëm idiotë të
nevojshëm.
A mund të na e shpjegoni më qartë? “Fola, dy ditë më
parë, për këtë argument, sepse po komentoja Leximin kushtuar vreshtit të Nabotit.
Mua më pëlqen shumë të flas për leximet e ditës. Ditën e parë fola për fenomenologjinë
e korrupsionit, të dytën, për mënyrën si përfundojnë të korruptuarit. Thënë me dy
fjalë, i korruptuari nuk ka miq, ka vetëm bashkëpunëtorë në krim.