2014-08-21 11:57:10

“Jo më skllevër, por vëllezër”: tema e Ditës Botërore të Paqes 2015


“Jo më skllevër, por vëllezër”: kjo është tema, që Papa Françesku ka zgjedhur për Ditën e 48-të Botërore të Paqes, e cila do të kremtohet më 1 janar 2015. Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe i Paqes, në komunikatën me të cilën lajmëron për temën, vë në dukje se skllavëria, fatkeqësisht, nuk është fenomen i së kaluarës, por është e pranishme si plagë shoqërore, edhe në botën e sotme. Dikasteri vatikanas kujton mesazhin e Ditës së kaluar të Paqes “Vëllazërimi, bazë e udhë për paqen” për të theksuar se skllavëria e godet rëndë këtë vëllazërim universal, me të cilin Zoti u ka dhënë të gjithë njerëzve dinjitet të barabartë.
Nënvizohen aspekte të ndryshme të skllavërisë si: “trafiku i njerëzve, trafiku i emigrantëve dhe i prostitucionit, puna skllavëruese, shfrytëzimi i njeriut nga njeriu, mendësia skllavëruese ndaj grave dhe fëmijëve. E mbi këtë skllavëri – ngre zërin Këshilli Papnor – spekullojnë paturpësisht individë e grupe, duke përfituar nga konfliktet e shumta në botë, nga kriza ekonomike e nga korrupsioni”.
“Skllavëria – thuhet më tej në komunikatë – është plagë e tmerrshme, hapur në trupin e shoqërisë bashkohore, është plagë e rëndë në korpin e Krishtit! Për ta kundërshtuar frytshëm duhet, para së gjithash, të njihet dinjiteti i patjetërsueshëm i njeriut e të mbahet parasysh gjithnjë kriteri i vëllazërimit, që kërkon kapërcimin e atyre pabarazive, mbi bazën e të cilave njeriu mund të skllavërojë njeriun”.
Objektivi, sipas ndjetit të Papës, është ndërtimi i një qytetërimi bazuar në dinjitetin e barabartë të të gjithë njerëzve, pa diskriminime. Për këtë nevojitet punë më e madhe për informimin, edukimin e për formimin e një kulture e të një shoqërie, që kanë në qendër lirinë e drejtësinë, bazë për paqen.
Kujtojmë se Dita Botërore e Paqes u kremtua për herë të parë nga Papa Pali VI e bie çdo vit më 1 janar. Mesazhi i Papës me këtë rast u dërgohet kancelarive të gjithë botës dhe përcakton linjën diplomatike të Selisë së Shenjtë për vitin e ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.