2014-08-21 16:23:02

Çelësi i Fjalëve të Kishës – atësia dhe amësia e përgjegjshme


Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës” jemi duke lexuar Letrën drejtuar familjeve shkruar nga Shën Gjon Pali II më 1994. Sot, vijimi i paragrafit 12, ku flitet për atësinë dhe amësinë e përgjegjshme. Papa kujton se ky argument është trajtuar edhe në dokumenta të tjera kishtare, si enciklika Humanae vitae, dhe thirrja apostolike Familiaris Consortio . Ai pohon se Kisha nuk është e mbyllur ndaj kërkesave të shpirtit të kohëve moderne, por as nuk pranon të udhëhiqet prej tij, nga frika se mund të humbë popullaritet. Ja si e arsyeton Papa Gjon Pali II qëndrimin e Kishës ndaj prindërve:RealAudioMP3
“Themeli mbi të cilin bazohet doktrina e Kishës për atësinë dhe amësinë e përgjegjshme është i gjerë dhe i fortë. Koncili (i Vatikanit) e vë në pah këtë themel para së gjithash në doktrinën mbi njeriun, ku pohon se ai “është në tokë krijesa e vetme të cilën Hyji e ka krijuar për vete” dhe se nuk mund “ta gjejë plotësisht veten, përveçse duke dhuruar vetveten”. Kjo ndodh sepse njeriu është krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit dhe është shëlbuar nga Biri i njëlindur i atit, që u bë njeri për ne dhe për shpëtimin tonë.
Koncili II i Vatikanit, posaçërisht i vëmendshëm ndaj problemit të njeriut dhe të thirrjes së tij, pohon se bashkimi martesor, realiteti biblik i “një mishi të vetëm”, mund të kuptohet dhe të shpjegohet plotësisht vetëm duke u kapur pas vlerës së “personit” dhe të “dhurimit”. Çdo burrë dhe çdo grua realizohet plotësisht me anë të dhurimit të sinqertë të vetvetes dhe, për bashkëshortët, çasti i bashkimit martesor është përvoja e veçantë e këtij dhurimi. Pikërisht atëherë burri e gruaja, në vërtetësinë e qenies së tyre mashkull e femër, bëhen dhuratë e ndërsjellë. Tërë jeta martesore është dhuratë; por kjo del veçanërisht në pah kur bashkëshortët, duke iu dhuruar njëri-tjetrit në dashuri, realizojnë atë takim, që i bën të dy “një mish i vetëm” (Zan 2,24).
Ata jetojnë, atëherë, një çast të veçantë përgjegjësie, edhe për shkak të fuqisë riprodhuese, që lidhet me aktin bashkëshortor. Bashkëshortët munden, në atë çast, të bëhen atë e nënë, duke i dhënë zanafillën një ekzistence të re njerëzore, që pastaj do të zhvillohet në barkun e gruas. Nëse është gruaja ajo që vë re së pari se u bërë nënë, burri, me të cilin është bashkuar në “një mish të vetëm”, bëhet edhe ai i vetëdijshëm se është bërë atë, me anë të dëshmisë së saj. Që të dy janë përgjegjës për atësinë dhe amësinë e mundshme dhe, më pas, të realizuar. Burri nuk mund të mos e njohë dhe të mos e pranojë përfundimin e një vendimi që është edhe i tiji. Nuk mund të fshihet pas shprehjeve të tilla si: “nuk di gjë”, “nuk doja”, “ishe ti ajo që e dëshiroje”. Bashkimi bashkëshortor kërkon në çdo rast përgjegjësinë e burrit dhe të gruas, përgjegjësinë e mundshme, që bëhet efektive kur e lypin rrethanat. Kjo vlen mbi të gjitha për burrin, i cili, edhe pse është vetë autor i nisjes së procesit lindës, mbetet biologjikisht larg: ky proces, në fakt, zhvillohet tek gruaja. Po burri, si mund të marrë pjesë? Duhet që të dy, burri e gruaja, të marrin së bashku, para njëri-tjetrit dhe para të tjerëve, përgjegjësinë e jetës së re të lindur prej tyre.
Me këtë përfundim janë në një mendje edhe vetë shkencat humane. Megjithatë, duhet shkuar edhe më thellë dhe duhet analizuar domethënia e aktit bashkëshortor në dritën e vlerave të lartpërmendura të “personit” dhe të “dhurimit”. Kisha e bën këtë me mësimet e saj të vazhdueshme, veçanërisht në dokumetet e Koncilit II të Vatikanit.
Në çastin e aktit bashkëshortor, burri dhe gruaja janë të thirrur të vërtetojnë në mënyrë të përgjegjshme dhurimin e ndërsjellë për të cilin janë angazhuar në besëlidhjen martesore. Logjika e dhurimit tërësor të vetvetes sjell hapjen ndaj riprodhimit: në këtë mënyrë martesa realizohet edhe më shumë si familje. Sigurisht, dhurimi i ndërsjellë i burrit dhe i gruas nuk ka si pikësynim vetëm lindjen e fëmijëve, por është në vetvete bashkim i ndërsjellë i dashurisë dhe i jetës. Gjithmonë duhet garantuar vërtetësia e brendshme e kësaj dhurate. “E brendshme” nuk do të thotë “subjektive”. Do të thotë koherente me vërtetësinë objektive të atij dhe të asaj që i dhurohen njëri-tjetrit. Personi nuk mund të konsiderohet kurrë një mjet për të arritur një qëllim dhe, mbi të gjitha, kurrë një mjet për të arritur “kënaqësinë”. Personi është dhe duhet të jetë vetëm qëllimi i çdo akti. Vetëm atëherë veprimi përkon me dinjitetin e vërtetë të njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.