2014-08-21 16:23:29

Papa me Veprën e Nazaretit: “Jezusi është udha për të gjetur vetveten"


“Jezusi është udha e hapur para çdo njeriu për t’u takuar me Hyjin”. Kështu pohoi Papa Françesku në takimin me anëtarët e Veprës së Nazaretit, shoqata ndërkombëtare e besimtarëve, që punon për veprat apostolike, bamirëse dhe misionare. Takimi u zhvillua në Shtëpinë e Shën Martës dhe ishte i pranishëm kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.RealAudioMP3
Historia e Veprës së Nazaretit – tha Papa – ka dy aspekte karakteristike. I pari është “zbulimi i Jezusit si Udha e njeriut” drejt Atit:
“Jezusi është udha e hapur para çdo njeriu për t’u takuar me Hyjin, për të krijuar marrëdhënie dhe për t’u bashkuar me të, në mënyë që kështu të gjejë me të vërtetë vetveten. Ne e gjejmë plotësisht vetveten, kur bëhemi plotësisht bij të Atit tonë, dhe kjo ndodh falë Jezusit: për këtë Ai ka vdekur në kryq”.
Gëzimi – shtoi Ati i Shenjtë – është aspekti i dytë që karakterizon historinë e Veprës së Nazaretit:
“Kur dikush e zbulon Jezusin si udhën, në jetën e tij hyn gëzimi. Hyn përgjithmonë dhe është një gëzim i rrënjosur brenda nesh, të cilin askush nuk mund të na e heqë, sikurse ka premtuar edhe Zoti. E gëzimi se jemi nxënësit e Jezusit bëhet dëshmi, domethënë apostullim, veprim misionar”.
Gëzimi i gjetjes së udhës, që është Jezusi, i bën njerëzit dëshmitarë, apostuj, misionarë:
“Ju e bëni këtë me stilin e një pranie të fshehur, të përvuajtur e të thjeshtë – fryma e Nazaretit – në mjediset ku jetoni e punoni, veçanërisht në mjediset universitare. Për këtë gjë ju inkurajoj dhe ju falënderoj për të mirat që keni bërë me hirin e Hyjit”
Vepra e Nazaretit u themelua më 1964 në Reggio Emilia (Itali) dhe ka si synim t’i ndihmojë njerëzit të zbulojnë fytyrën e Krishtit në jetën e përditshme. Vepra ndihmon zhvillimin e ushtrimit të bamirësisë, me qëllim që, duke mbështetur nismat e reja shoqërore, t’u jepet një përgjigje kërkesave materiale të njerëzve në vende dhe kohë të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.