2014-08-20 14:38:57

Imzot Tomazi: vdekja e emigrantëve është tragjedi evropiane


Selia e Shenjtë mban qëndrim për çështjen e emigracionit në Evropë, drejt së cilës, çdo ditë mësyjnë mijëra vetë në kërkim të një jete më të mirë. Arsyet që i shtyjnë të marrin një barkë dosido, duke rrezikuar jetën e tyre e të fëmijëve, janë të të gjitha llojeve, nga politike tek ekonomike. Për të mos folur për luftrat, që kanë përfshirë gjysmën e botës e sidomos Lindjen e Mesme, farë pranë Evropës. E megjithatë, veçanërisht kësaj vere, toni i zërit me të cilin mundohen të merren vesh për emigracionin vendet evropiane, është ngritur jashtëzakonisht, në përpjekjen për t’ia lënë në dorë tjetrit problemin që djeg. Italia kërkon më tepër fonde nga Bashkimi Evropian, i cili ia refuzon; Spanja i kthen refugjatët hipotetikë mbrapsht që në ujrat ndërkombëtare; Gjermania nuk do t’ia dijë. I kërkuam një koment vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomasi:RealAudioMP3

Drita e kuqe e alarmit të mosfunksionimit të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, është ndezur së pari nga numri i viktimave, nga emigrantët e varrosur në humbëtirën e heshtur të Detit Mesdhe. Nuk mund të mos na bëjnë përshtypje vlerësimet, që tregojnë se nga viti 2000 deri në vitin 2013, rreth 23 mijë emigrantë kanë humbur jetën në përpjekjen për të hyrë në Evropë: në Greqi, në Lampeduzë të Italisë, në Kanarie, në Spanjë. Jemi përpara globalizimit të indiferencës. E nuk i njohim shifrat e sakta, pasi jo të gjitha viktimat numërohen nga organizmat e kontrollit të kufijve. Ka rrezik të mësohemi me lajmet e këtyre barkave, që tërheqin në fund të detit njerëz e familje me fëmijë, të cilët investojnë gjithçka kanë, për të kërkuar një jetë më të denjë. Më duket se fillimisht, duhen quajtur me emrin e tyre këta njerëz, që ikin nga dhuna, nga shtypja e nga rreziku për jetën e tyre. Pjesa më e madhe janë refugjatë, të cilët kanë të drejtë për strehim politik, për mikpritje të koordinuar nga Bashkimi Evropian. Solidariteti nuk është thjesht teori. Pastaj, para nevojës për krahë pune e para mosrritjes demografike të vendeve evropiane, instrumentalizimi i emigrantëve për objektiva politike e shoqërore kthehet në një strategji, në një mjet të pandershëm, që favorizon frikën nga të huajt dhe paragjykimet. Si rezultat, emigranti konsiderohet qytetar i kategorisë së dytë. Përqendrohet vëmendja në funskionin ekonomik të emigrantit, pa i dhënë përparësi faktit se është njeri, me fytyrë, buzëqeshje, aspirata, si çdo njeri tjetër. Interpretimi i gabuar i fenomenit të emigracionit çon në politika administrative, që i detyrojnë njerëzit të ndërmarrin rrugë të rrezikshme për të mbijetuar e për të arritur një mirëqënie minimale.
Sipas jush, cila duhet të jetë politika e bashkësisë ndërkombëtare ndaj emigracionit?
Hapi i parë është zbatimi me koherencë i normave, për të cilat ekzistojnë marrëveshje; respektimi i konventave në fuqi, si ajo e Organizatës Botërore të Punës, apo ajo për Mbrojtjen e Punëtorëve Emigrantë dhe e Familjeve të tyre, të cilat duhen ratifikuar edhe nga vendet e pasura. Parashikimi i rrugëve ligjore për mbërritjen e refugjatëve dhe të emigrantëve të domosdoshëm për ekonominë e vendeve të zhvilluara, si edhe zbatimi i të drejtave të njeriut, janë masa që mund ta përmirësojnë menjëherë administrimin e fenomenit të emigracionit. E Mesdheu nuk është i vetmi vend i tragjedive të emigracionit. Fenomeni është global e ka të bëjë edhe me “boat people” që shkojnë drejt Australisë, me latinoamerikanët që përshkojnë shkretëtirën e Arizonës, me haitianët që nisen drejt Floridës. Përgjigjja ndaj përpjekjeve të dëshpëruara të njerëzve, të cilët detyrohen të ikin nga toka e tyre, nuk është forcimi i mëtejshëm i kontrolleve, që shkon deri tek militarizimi i kufirit, pasi këto janë politika, që i shtyjnë emigrantët drejt rrugëve më të rrezikshme, ose i nxisin t’ia besojnë vetveten e familjen trafikantëve. Duhet zbatuar Common European Asylum System (Sistemi i përbashkët evropian i Strehimit politik), duhen mbështetur vendet nën presion për shkak të mbërritjeve të vazhdueshme, duhen formuar funksionarë të ndjeshëm ndaj arsyeve të azilkërkuesve, duhen dënuar seriozisht trafikantët e njerëzve e masa të tjera si këto. Qëkur, Papa Leoni XII shkruante në Enciklikën “Rerum Novarum” se askush nuk do të ikte nga vendi i vet nëse do të jetonte denjësisht aty. Natyrisht, opcioni më i mirë është të punohet për të realizuar hyrjen në treg, krijimin e vendeve të punës, stabilitetin politik, në vendet nga nisen emigrantët, sepse kjo u jep njerëzve mundësinë për ta zgjedhur emigracionin e jo për ta konsideruar rrugën e vetme të mbijetesës.
Çfarë duhet të bëjnë vendet evropiane të Mesdheut, drejt të cilave nisen çdo ditë mijëra emigrantë?
Dy brigjet e Mesdheut karakterizohen nga ndryshime të dukshme demografike, politike e fetare. Pasiguria e shkaktuar nga ndryshimet politike e numri i të rinjve të gatshëm për të hyrë në tregun e punës do ta mbajnë të vazhdueshëm fluksin e emgracionit. Megjithëse është kontinenti më i pasur i botës, Evropa nuk mund t’i presë të gjithë. Do t’i duhet të gjejë rrënjët e problemit. Do t’i duhet të marrë masa më të arsyeshme për t’i lejuar emigrantët të vijnë në Evropë ligjërisht e në mënyrë të kontrolluar, sepse ka nevojë për ta. Projektimet demografike vënë në dukje se në vitin 2060, popullsia aktive në Bashkimin Evropian, do të zvogëlohet me 10% ose me 50 milion vetë, ndërsa numri i pensionistëve do të rritet nga 84,6 milion në 151,5 milion. Pastaj, do t’i duhet të intensifikojë bashkëpunimin me Afrikën e Veriut për ta ndihmuar të zhvillojë demokracinë e pluralizmin, shtetin e së drejtës, lirinë e fesë, ekonominë e qëndrueshme. Mikpritja e zhvillimi ecin së bashku e ky ekuilibër do ta përmirësonte qeverisjen e fenomenit të emigracionit në rajonin e Mesdheut.








All the contents on this site are copyrighted ©.