2014-08-20 15:24:53

100 vjet më parë ndërroi jetë shën Piu X, Papë bari e reformator


100 vjet më parë, ndërroi jetë Papa i shenjtë Piu X. Kulmi i kremtimeve për kujtimin e tij do të jeta mesha e së shtunës, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në parkun e Shenjtërores së Çendroles, në provincën e Trevizos, në Itali. Këtu u lind në vitin 1835, Giuseppe Sarto, Papa që përballoi problemet e modernizmit e reformoi Kurjen, siç pohon në mikrofonin tonë profesori i historisë bashkohore në Universitetin e Padovës, Gianpaolo Romanato, anëtar i Komitetit papnor të Shkencave historike.RealAudioMP3
Kurja lindi pas Koncilit të Trentit, në vitin 1588. Pavarësisht nga përmirësimet, mbeti po ajo deri në fund të pushtetit tokësor të Kishës. I takoi Piut X, në fillim të viteve ‘900, ta rimendojë e ta reformojë. Më pas, Kurja u reformua sërish nga Papa Pali VI e nga Gjon Pali II, por në vija të përgjithshme, edhe sot, është akoma ashtu si e pati menduar Piu X me reformën, të cilën e miratoi në vitin 1908.
Shën Piu X kishte shumë për zemër edhe ungjillëzimin, sidomos përgatitjen e të krishterëve. Ai realizoi edhe një “Katekizëm” shumë të rëndësishëm, apo jo?
Ungjillëzimi, katekizimi, ishin në qendër të qeverisjes e të baritorisë së Piut X. Të mos harrojmë se Piu X është papa i vetëm i kohëve moderne, që ka qenë famullitar për rreth 20 vjet: së pari kapelan e pastaj famullitar në kisha të vogla të fshatit. Prandaj, baritoria, takimi i drejtpërdrejtë me popullsinë, transmetimi i mesazhit ungjillor, ishin në qendër të vëmendjes së tij. Pasi u bë Papë, e zgjeroi në planin universal këtë linjë, me anë të reformave liturgjike, me mënyrën e pjesëmarrjes së besimtarëve në meshë, me miratimin e Katekizmit dhe me promovimin e kultit eukaristik. Më parë, kungimi ishte praktikë e largët, që merrej rrallë. Piu X promovoi kungimin e shpeshtë dhe e uli moshën e marrjes së këtij sakramenti nga fëmijët, pikërisht sepse në Eukaristinë shihte mjetin e vazhdueshëm, që i jep mundësi besimtarit t’i afrohet Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.