2014-08-19 13:59:32

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë


Jemi në kapitullin e gjashtë të Ungjillit sipas Markut (v. 1-6). Jezusi gjenet në vendlindje, bashkë me nxënësit, dhe shkon në sinagogë. Sinagoga e Nazaretit është vendi ku ai ka shkuar çdo të shtunë, që fëmijë, dhe ka marrë pjesë rregullisht në jetën e bashkësisë hebraike, e cila mblidhej aty për të dëgjuar fjalën e Hyjit. Marku tregon se Jezusi filloi t’i mësojë njerëzit dhe vë në pah se shumë prej tyre mbetën të çuditur, prandaj pyesnin: “Nga i vijnë këto gjëra?” (v.2).
Nëse nga njëra anë e njihnin mirë, e dinin se ai ishte zdrukthëtari, biri i Marisë, vëllai i Jakobit, Joseut, Judës e Simonit dhe se motrat e tij banonin aty (v.3), nga ana tjetër, kur e dëgjuan si i mësonte, shtruan disa pyetje themelore: “Nga i vijnë këto gjëra?”, “Çfarë dije është kjo që i është dhënë?”, “Po mrekullitë, që bën me duart e veta?” (v.3). Nga njëra anë kemi forcën mahnitëse të birit të Hyjit dhe nga ana tjetër dobësinë e njerëzisë së vërtetë të Krishtit, i cili është rritur në Nazaret, si të gjithë nazaretasit e tjerë. Për anëtarët e sinagogës hyjnia dhe njerëzia nuk mund të rrinë së bashku, prandaj – shënon Marku – “shkandulloheshin prej tij” (v.3).
Ngecja e nazaretasve përballë hyjnisë dhe njerëzisë së Jezusit nuk është diçka që u ndodh vetëm atyre. Edhe Gjon Pagëzuesi e ka pasur një dyshim përballë Krishtit, pavarësisht se e kishte paraqitur si qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës. Edhe Gjoni çon njerëz për ta pyetur nëse ishte ai Mesia apo duhej të prisnin një tjetër. Jezusi i përgjigjet Gjonit pikërisht me fjalët që kishte lexuar dhe komentuar në Sinagogën e Nazaretit. Marku nuk na i tregon këto fjalë, për të cilat flet kalesa e sotme, por i gjejmë tek Ungjilli sipas Lukës. Aty thuhet se Jezusi u paraqit si i lyeri me Shpirtin e Hyjit, për t’u sjellë të varfërve lajmin e mirë, për të liruar të burgosurit, për t’u hapur sytë të verbërve, për t’u kthyer lirinë të shtypurve, për të shpallur hirin e Hyjit. A mundet një njeri t’i bëjë të gjitha këto? Duke iu përgjigjur Gjonit, Jezusi pati thënë se të verbërit shohin, të çalët ecin dhe të vdekurit po ringjallën, prandaj: “Lum ai që nuk shkandullohet prej meje” (Mt 11,6).
Të besosh në Krishtin do të thotë të mos shkandullohesh nga njerëzia e tij. Ai na afrohet si njeri, sepse dëshiron të prekë njerëzinë tonë të lënduar, dhe të na sjellë edhe një herë plotësinë e hyjnisë. Nëse nuk e lejojmë Krishtin njeri të prekë njerëzinë tonë mëkatare, rrezikojmë të mos e lejojmë të bëjë mrekullitë që dëshiron të bëjë në ne, siç ndodhi në Nazaret, ku “nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, por vetëm vendosi duart mbi disa të sëmurë dhe i shëroi (v.5). Mrekullia e vërtetë është besimi në njerëzinë dhe hyjninë e vërtetë të Krishtit, me anë të të cilit njerëzia jonë e kufizuar hapet ndaj pakufizueshmërisë hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.