2014-08-19 15:20:59

Atë Lombardi: Papa prek zemrat, sepse sjell një Ungjill të gjallë


Papa Françesku përfundoi dje udhëtimin e tij në Korenë e Jugut. Siç e ka bërë tashmë zakon, para se të kthehej në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, shkoi për të çuar një tufë me lule, dhuruar nga një vajzë e vogël koreane, në Bazilikën e Zojës së Madhe. Në mikrofonin tonë, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi përshkon krejt vizitën e Papës, duke filluar nga kontributi i tij për pajtimin e dy Koreve, kujtuar shpesh, jo vetëm para autoriteteve institucionale e kishtare, por edhe para të rinjve të Ditës aziatike të Rinisë. Ta dëgjojmë:
Tema e ndarjes ndërmjet dy pjesëve të Koresë e, më gjerë, tema e pajtimit dhe e paqes, ishte një konstante në këtë udhëtim. U ndje shumë fuqimisht, duke filluar që nga dita e parë, në fjalimin e presidentes së Koresë, në atë të kryetarit të ipeshkvijve e, pastaj, shoqëroi të gjitha etapat, në veçanti, takimin me të rinjtë. Do të thosha se kjo, përgjigjja që i dha Papa së resë koreane, si edhe homelia përfundimtare në katedralen e Seulit, na bëjnë të kuptojmë se qëndrimi i Papës ndaj argumentit është krejtësisht ungjillor, qartësisht i krishterë, pasi favorizon, rrënjos ato sjellje bazë, që janë premisa e pajtimit dhe e paqes. Papa e di mirë se nuk është politikan, ose autoritet me pushtet politiko-ushtarak për të realizuar paqen në botë, por është udhëheqës moral e fetar, prandaj vepron në një plan më të thellë e më afatgjatë, që është ai i kthimit të zemrave dhe i dialogut të thellë ndërmjet njerëzve, dialog, që presupozon ndryshimin e sjelljes e dëgjimin e ndërsjellë. Ndokush, ndoshta, është zhgënjyer: do të kishte dashur mesazhe më të fuqishme për ta dënuar regjimin e Koresë së Veriut, ose persekutimet e të krishterëve e të feve në atë vend, por kjo nuk ishte detyra e Papës në këtë udhëtim. Ai e di se kjo situatë ekziston, fatkeqësisht, që prej 66 vjetësh dhe, mundohet të krijojë premisat që gjendja të ndryshojë e të ndryshojë thellë e për një kohë të gjatë, duke filluar nga pajtimi, i cili lind nga zemra. Fjalët e Papës ishin mëse të vetëdijshme, të thella, e mendoj se koreanët i kuptuan fort mirë. Dëgjova shumë falenderime për homelinë e meshës përfundimtare.
Duke folur për udhëtimin, në tërësinë e tij, po përmend një koment për Radio Vatikanin të kryetarit të ipeshkvijve koreanë. “Françesku na ngushëlloi e na bëri të buzëqeshim”, tha. Kjo tregon empatinë e madhe të Atit të Shenjtë me njerëzit…
Sigurisht. Në atë fjalim, u pa mirë ç’lloj qëndrimi dëshiron Papa të ketë Kisha në takimin me popujt, me njerëzit e ndryshëm, me fe të ndryshme nga e jona, me të cilët duhet të hyjmë në dialog. Do të thosha se ka një mënyrë të ndryshme, specifike për Azinë, për të folur mbi të njëjtin koncept, që ai zakonisht e quan “kultura e takimit”. E është ajo e marrëdhënieve më të thella ndërmjet njerëzve, në të cilat ata përfshihen megjithësej, me gjithë vetveten, jo vetëm me fjalë e sjellje, që natyrisht janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por nuk janë gjithçka e nuk janë baza më e thellë. Papa tregoi se është njeri, që lëviz gjithnjë për ta takuar tjetrin, duke e parë në dritën e fesë, në dritën e fesë së krishterë si imazh i Zotit, si bir i një Ati të vetëm. E për popullin korean pati po këtë qëndrim dashurie të thellë, të cilën e tregoi sidomos me grupet e të vuajturve që takoi. Kjo i preku shumë koreanët, të cilët janë të ndjeshëm ndaj kontributit dhe kujdesit të veçantë që ka sjellë Kisha Katolike, që nga zanafilla, për më të brishtët e shoqërisë. Me gjestet e tij, Papa arriti t’u japë të kuptojnë të gjithëve, në dritën e fesë së krishterë, se të gjithë, pavarësisht nga gjendja e ndjenjat, janë për të njerëz për t’u përqafuar, për t’u dashur e për t’u takuar.
Meqë folët për gjeste, po kujtoj se një nga takimet, në të cilin Papa Françesku nuk foli me fjalë por vetëm me gjeste, që ai në Qendrën për ndihmën ndaj njerëzve me të meta fizike në Kottongnae. I preku shumë koreanët. Ju ç’përshtypje ju ka mbetur?
Besoj se vërtet, është një nga imazhet, që do të mbetet e gdhendur thellë në kujtesën e koreanëve e të atyre, që ndoqën këtë udhëtim. Dikush më kujtoi fjalët e Shën Françeskut, i cili thoshte: Ungjilli duhet kumtuar gjithnjë, me të gjithë jetën, e “nëse është e nevojshme, edhe me fjalë”. Kjo presupozon që Ungjilli, para se me fjalë, të kumtohet me jetë e me vepra konkrete. Papa Françesku e zbaton këtë këshillë me shumë gjallëri. Prandaj nuk foli. Kishte përpara fëmijë të vegjël me të meta fizike e s’kishte kuptim t’u thoshte fjalë të mëdha, pavarësisht se të bukura, sepse nuk do t’i kuptonin. Ndërsa përqafimi, përkëdhelja, dashuria e treguar edhe fizikisht, konkretisht, është diçka që e kuptojnë të gjithë, është gjuhë universale. Kjo duhet vlerësuar e duhet të falenderojmë Qiellin për këtë: pra, për faktin se ka një gjuhë universale, që të gjithë e kuptojnë, pavarësisht nga gjuhët e ndryshme, të cilat, nganjëherë, na krijojnë vështirësi në komunikim. Kjo gjuhë është dashuria, dashuria konkrete. Të gjithë shenjtorët e patën kuptuar këtë. Kujtonim më parë shën Françeskun, por edhe Nënë Tereza: pse Nënë Tereza, e cila ka punuar në Azi, arriti ta përçojë mesazhin e saj? Sepse mishëroi mesazhin e dashurisë së krishterë. Papa Françesku arrin ta bëjë këtë – është dhuratë e tij – me thjeshtësi e natyrshmëri të madhe. Ata të sëmurë të vegjël, të cilët janë braktisur, kanë nevojë më shumë se të gjithë për dashuri e kanë arritur të jetojnë sipas kërkesave të tyre, pikërisht për hir të dashurisë së motivuar nga krishterimi. E kjo është një nga mënyrat më të frytshme me të cilën Kisha dëshmon Jezu Krishtin konkretisht, përmes dashurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.